Pro et contra grevës së një artisti

Prolog

Ka më tepër se një javë ditë qysh kur regjisori Sokol Plakolli ka nisur një grevë para Teatrit Kombëtar në Prishtinë. Arsyet e protestës tashmë janë bërë të ditura. Ai ka hedhur akuza të rënda në drejtim të Këshillit Drejtues të TKK-së, drejtorit të Teatrit Agim Sopi dhe segmenteve të tjera relevante institucionale, duke përfshirë këtu edhe Institucionin e Ministrisë së Kulturës. Për faj të drejtuesve të këtyre institucioneve që e kanë si të thuash, nën mbikëqyrje jetën tatrore në vend, sipas Plakollit, kanë arritur të instalohen struktura të dyshimta të cilat kanë vënë në skenë shfaqje antikombëtare nëpërmjet të cilave janë fyer simbolet kombëtare.

Pro et contra

Greva e tij bëri jehonë në të gjitha mediet në vend, por jo të gjithë ndajnë qëndrime të njëjta me të. Zyrtarë nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit e Kosovës, në disa raste janë distancuar nga kjo grevë, duke e cilësuar si të pabazë. Vet Këshilltari i Ministrit Shala Faton Peci për Gazeta e Re ka sqaruar se: ‹‹Repertori është çështje ekskluzive e Këshillit Drejtues dhe e Udhëheqësit artistik të Teatrit Kombëtar. Ministria nuk ka asnjë kompetencë në këtë rrafsh. Ministria ka detyrim ligjor vetëm të sigurojë buxhetin për Teatrin Kombëtar, në përputhje me Ligjin për Teatrot.››

Por përderisa zyrtarët nga Ministria e Kulturës kanë shprehur qëndrimin e qartë për çështjen në fjalë, komuniteti artistik nga ana tjetër, është shfaqur i përçarë. Këtë grevë disa nga aktorët e kanë mbështetur hapur, të tjerë e kanë konsideruar absurde.

I kontaktuar nga Gazeta e Re, aktori Çun Lajçi ka thënë se ai vet nuk është në dijeni rreth asaj se brenda TKK-së janë infiltruar struktura të dyshimta si UDB-asha.

‹‹ …jeni pre e njerëzve që për interesat e tyre të vogla do t’i rrotullojshin qiell e dhe, e prapë pak do t’u dukej. Unë s’jam në dijeni se në TKK ka UDB- aty ka djem e vajza të reja dhe Agim Sopin regjisori i vetëm me 70 dekorata ndërkombëtare me filmin e fundit Agnus Dei. Nuk pajtohem me deklarata boshe e fallco, unë pajtohem me fakte të verifikuara.›› – është shprehur Lajçi. Por sipas disa dokumenteve të publikuara nga grevisti, u dokumentua se vet drejtori i tanishëm i TKK-së Agim Sopi, dikur ka qenë për rrëzimin e bordit (10/25/15). Por duke vijuar më tutje Lajçi ia ka shtruar disa pyetje publike Plakollit duke i thënë: ‹‹Pse i bane dy shfaqje në TKK mbasi aty paska pas UDB-basha?›› dhe ‹‹Kush qëndron pas teje?››. Për dallim nga Lajçi, ka të tjerë që janë solidarizuar ose më së paku kanë shprehur keqardhje për të. Në të vërtetë kësaj vale reagimesh nuk i kanë shpëtuar pothuaj askush. Aktori Ismet Azemi për Gazeta e Re për sa i përket rastit u deklarua se është pa koment. ‹‹Lëmshi i gjithë kësaj çfarë po ndodhë jo vetëm para teatrit por në gjithë vendin e më gjerë, është për t’u shqetësuar.›› – përfundon ai.

Epilog

Figura publike duke përfshirë këtu artistë, profesorë universitarë dhe qytetarë të thjeshtë kanë shkuar dhe janë sensibilizuar me artistin grevist. ‹‹Unë zgjodha të jem në anën e atij që i vetëm po vepron kundër padrejtësisë në art dhe kulturë. Kjo për faktin, se e di se si është të jesh ndër të paktit që nuk e zgjodhën heshtjen, por  përballjen ne padrejtësinë›› – thotë një përkrahës i Plakollit, i cili kishte shkuar dhe e kishte vizituar atë përpara teatrit. Në këtë histori të ngatërruar, vetëm partitë politike kanë qëndruar të heshtura (disa prej tyre madje të kontaktuara nga ne, siç është Lëvizja Vetëvendosje nuk kanë pasur ç’të thonë). Duket që për to problemet e kulturës janë triviale,e për rrjedhojë nuk e kanë parë të rëndësishme të japin qëndrim pro ose kundër “kauzës” së regjisorit. Por kështu nuk ndodh me të tjerët. Ka disa qytetarë që hapur i kanë dalë krah grevistit. Qytetari Daut Ibrahimi i pyetur nga Gazeta e Re se pse ka marr anën e tij, është shprehur se jo domosdoshmërish pajtohet me disa qëndrime të tij kur bie fjala rreth patriotizmit e nacionalizmit, ngjyrime me të cilat në njëfarë mënyre është mbështjellë greva dhe protesta, por meqenëse po vijnë në shprehje oportunistë të cilët bëjnë shfaqje me turli shkau atëherë është mirë që dikush e ngritë zërin kundër këtyre dukurive, sidomos: ‹‹kur ky hypi mbi tavolinë me protestu kundër një maqedoni që kish dëshmi se ish kanë UDBAsh›› – u shpreh Ibrahimi.

Pavarësisht qëndrimeve dhe pozicionit neutral që kanë marr zyrtarët e institucioneve relevante, kjo sagë duket që do të zgjas më shumë se sa që është menduar. /Gazetaere.com/

 

Kategoritë
KulturëLajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet