Prizreni lanson platformën digjitale për mësimin në distancë

Autoritetet lokale të Prizrenit të hënën kanë lansuar platformën digjitale për nevojat e arsimit në këtë komunë. Sipas zyrtarëve kjo platformë ka për qëllim lehtësimin e qasjes në mësimin në distancë si dhe avancimin e ndërveprimit ndërmjet nxënësve e mësimdhënësve, si dhe ndërmjet shkollave e DKA-së, gjatë periudhës së pandemisë.

Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka ka sqaruar se platforma eduprizren.net po bëhet për nevojat e sistemit arsimor në Prizren për shkak të pandemisë COVID-19.

“Është një sistem, i cili mundëson që mësimdhënësi dhe nxënësi të komunikojnë gjatë orës së mësimit, por në të njëjtën kohë është një platformë ku prindërit mund të kontrollojnë nxënësit për testet, se si ju shkon mësimi. Drejtorët kontrollojnë numrin e orëve, pra kanë sistemin e menaxhimit nëpërmjet platformës dhe në fund të gjitha këto raportohen në DKA, dhe DKA-ja ka një pasqyrë më të mirë se si po shkon dhe si vijohet mësimi online”, ka thënë Haskuka.

Sipas tij pas lansimit do të bëhet trajnimi i mësimdhënësve për përdorimin e platformës, duke qenë se eduprizren.net përmban metoda të ndryshme të mësimit, duke përfshirë animacionet 3d, interaktivitetin, burime shtesë dhe testet vlerësuese. Ai ka shtuar se rritja e numrit të infektimeve në javën e fundit është tregues se ekziston nevoja për një plaformë të tillë. “Prizreni tani është gati për çfarëdo skenari që mund të zhvillohet në të ardhmen”, është shprehur Haskuka.

Ndërsa drejtoresha e Arsimit, Xhemile Thaçi-Vezgishi ka bërë të ditur se eduprizren.net është platformë digjitale e Komunës së Prizrenit për mësimin në distancë.

“Kjo platformë vjen me qëllim, që ne si Drejtori Komunale e Arsimit të mbështesim dhe të lehtësojmë qasjen e mësimdhënësve dhe nxënësve për mësimdhënie dhe mësimnxënie gjatë kësaj periudhe sfiduese të pandemisë për të gjithë ne”, ka thënë ajo, duke pohuar se me këtë platformë mbulohet 25 për qind të programit mësimor për klasat I deri V, derisa po punohet edhe në përgatitjen e lëndëve për klasat VI deri në IX, si dhe të disa lëndëve të caktuara për shkollat e mesme.

i përket përfshirjes së përmbajtjeve të mësimit në gjuhët e komuniteteve duke pasur parasysh kapacitetet e limituara nga stafi i komuniteteve dhe angazhimi i tyre në platformën e Ministrisë, me qëllim të shmangues së ngarkesës kyqja edhe në platformën komunale do të përbënte një mbingarkesë për ta shtesë, por që njëkohësisht kjo nuk le të nënkuptohet që përmbajtjet në këto gjuhë nuk janë të facilituara askund, por se ato janë të mbuluara nga platforma e ministrisë”, ka deklaruar Thaçi-Vezgishi.

Sipas saj, pas pandemisë, kjo platformë do të shfrytëzohet si mësim suplementar për nxënësit e komunës së Prizrenit.

Ndërsa përfaqësuesi i operatorit të kontraktuar për jetësimin e kësaj platforme, Besim Dida ka bërë të ditur se përmbajtja e njësive mësimore në platformën EduPrizren ofron informacione shtesë për njësitë mësimore, shembuj të aktiviteteve të realizuara dhe video materiale të ndryshme për mësimnxënie sa më efikase. Sipas tij, temat e ilustruara me shembuj shumëdimensional i ndihmojnë nxënësve t’i kuptojnë mësimet në thelb, duke ofruar animacione, interaktivitet por edhe teste vlerësuese.

Kategoritë
LajmeVendi

Të ngjajshmet