Prizren – Nesër fillon edicioni i 16-të i festivalit ndërkombëtar “Zgjimi me Art”

Nesër në Prizren, konkretisht në Hamamin “Gazi Mehmet Pasha” në ora 20:00, do të hapet për të 16-ën herë me radhë, festivali ndërkombëtar “Sanatla Uyanmak/Zgjimi me Art”, raporton Gazeta e Re.

Hapja solemne e festivalit do të bëhet në hapësirat e hamamit historik të Prizrenit ku do të mbahet 3 aktivitete kulturore: Ekspozitë Pikture nga artisti i njohur maqedonas, Vladimir Temkov, ekspozitë personale nga artistja e re, Fjoruntina Sulejmani dhe muzikë klasike, “Krizantema takohet me Zambakun”

Tema e kësaj edicioni është “Kapgjiku” (Dera e Vogël), pra dera e vogël që lidh dy shtëpi, dy fqinjë mes vete. Me anë të kësaj dere, organizatorët kanë planifikuar ta përkujtojnë një traditë pothuajse të shuar e cila ishte më e theksuar në qytetin e Prizrenit. Përmes kapigjikut festivali synon ta ringjall vlerat e bashkëjetesës, tolerancës, ndihmës dhe solidariteti ndërmjet qytetarëve të Prizrenit.

Në një prononcim për Gazeta e Re, koordinatori i projektit, Onat Baymak tha se ky festival do të sjell artin origjinal të projektuar dhe krijuar nga artistët të talentuar që do të përfshihen shfaqje artistike, filma dokumentar dhe të shkurtër, lexime skenike, punëtori, ekspozita, performansë, promovim librash, diskutime, prezantime, dhe forma të tjera të artit të bëra nga artistët në Kosovë dhe në rajon.

Baymak shtoi se në kuadër të festivalit do të ketë edhe një ekspozitë në Mal të Zi ku do të shfaqen punimet artistike.

Ndryshe, kjo është hera e 16-të që në Kosovë organizohet një festival i llojit të tillë i cili do të mbahet prej 20 deri më 27 qershor të këtij viti ku do të marrin pjesë artistët të njohura nga Kosova, Maqedonia, Shqipëria dhe Turqia.  /Gazetaere.com/

Për programin e plotë të Festivalit Ndërkombëtar “Zgjimi me Art” mund të vizitoni faqen zyrtare:  http://www.sanatlauyanmak.com/

Kategoritë
KulturëLajmeVendi

Të ngjajshmet