Prizren, memorandum bashkëpunimi për restaurimin e “Mejtepe Ruzhdijes” nga TIKA (Foto)

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, sot ka nënshkruar memorandum të bashkëpunimit për restaurimin e objektit të shkollës “Mejtepe Ruzhdije” në Prizren, në bashkëpunim me Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Memorandumi u nënshkrua nga koordinatori i TIKA-s në Kosovë, Hasan Burak Ceran, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe sekretari i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Veton Firzi.

Haskuka ka njoftuar që përmes këtij bashkëpunimi, tashmë i kanë ndarë obligimet, pjesën më të madhe të së cilave do ta kryejë TIKA. Ai ka falënderuar TIKA-n për mbështetjen e dhënë në këtë drejtim.

Ndërsa Burak Ceran, koordinator i përgjithshëm në TIKA, shkollën “Ruzhdije” e ka vlerësuar si një objekt shumë të rëndësishëm të trashëgimisë së Prizrenit dhe ka thënë se është i lumtur që po përkrahin një projekt të tillë.

“TIKA është organizata që ka kontribuar më së shumti ne trashëgimin kulturore të Kosovës. Për hartimin e projektit të “Mejtepe Ruzhdije” kanë bashkëpunuar ekspertet nga Turqia dhe Kosova, ky objekt do të jetë një objekt shumë aktiv ku shoqëria civile dhe organizatat që merren me art dhe kulturë do ta përdorin atë për aktivitet e tyre”, shtoi Ceran, përcjell Gazeta e Re.

Ai nuk ka dashur të flasë për buxhetin e projektit, me arsyetimin se ky është një donacion. Ai po ashtu ka thënë se kur është fjala për Kosovën, shuma e parave nuk vjen në shprehje për Republikën e Turqisë.

Veton Ferizi, sekretar permanent në MKRS, ka thënë se do të emërojnë një organ mbikëqyrës për këtë projekt dhe do ta japin përkrahjen e kërkuar. Ai ka treguar se do të jenë çdoherë afër komunës së Prizrenit në projekte të tilla, dhe ka thënë se shpreson që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe më tutje.

Nënshkrimet e memorandumit janë bërë në Zyrën e Kryetarit të Komunës së Prizrenit. /Gazetaere.com/

Kategoritë
KulturëLajmeVendi

Të ngjajshmet