Prizren, hapet ekspozita “Zemra e Fjalës” nga Ahmet Sula

“Civilizimi ynë më parë ka qenë këtu, këtu kemi bashkatdhetarë, edhe nëse gjuhët, gjeografitë e ngjyrat ndryshojnë, besimi në zemër nuk ndryshon”, thotë artisti Ahmet Sula.

Në sheshin “Shatërvan” të Prizrenit sot u bë hapja e ekspozitës kulturore të pikturës dhe të bukurshkrimit “Zemra e Fjalës” të artistit Ahmet Sula, njëkohësisht edhe një shef policor i Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ekspozitën e organizuar nga Instituti “Yunus Emre” në Prishtinë morën pjesë autori i ekspozitës Ahmet Sula, drejtori i Institutit “Yunus Emre” në Prishtinë Mehmet Ülker, përfaqësues të Komunës së Prizrenit, të KFOR-it Turk në Kosovë, të institucioneve tjera turke në Kosovë si dhe artdashësit e këtij vendi.

Në një deklaratë për AA, Sula, i cili bën gërshetimin e artit të pikturës dhe të bukurshkrimit me kulturën dhe besimin turko-islam, tha se kjo kulturë nënkupton një filozofi e cila synon “një njerëzim më të mirë dhe botë më të bukur”. “Secila prej tyre (veprave) ka një poezi, një fjalë dhe një manifestim të veçantë. Të gjitha veprat kanë një shpirt dhe një kuptim e cila fton në njerëzim”, tha ai.

Sula po ashtu theksoi se edhe ai vetë është një migrant nga Ballkani. “Civilizimi ynë më parë ka qenë këtu, këtu kemi bashkatdhetarë, edhe nëse gjuhët, gjeografitë e ngjyrat ndryshojnë, besimi në zemër nuk ndryshon. Këtë e gjeta këtu”, thotë ai.

Ndërsa drejtori i YEE-së në Prishtinë, Ülker tha se ndjehet i lumtur për organizimin e një ekspozite të një artisti të rëndësishëm të kohëve të fundit të Turqisë. Ai tha se përveç dimensionit si artist i pikturës dhe bukurshkrimit, Sula është edhe një letrar, poet dhe një “ushtar” në mbrojtjen e atdheut të tij, si në luftën kundër terrorizmit.

“Në këtë dimension ne ndjejmë gëzimin që si familje e Institutit ‘Yunus Emre’ t’i bashkojmë veprat e tij me artdashësit në seshin Shatërvan të Prizrenit, në zemrën e Kosovës dhe në qytetin e bukur të saj”, tha ai.

Ekspozita e cila po mbahet në kuadër të dy koncepteve, ekspozimit të pikturave dhe paraqitjes së shembujve të bukurshkrimit, do të jetë e hapur gjatë ditës së sotme.

Ahmet Sula është edhe një shef policor i nivelit të lartë në Turqi, i cili ka punuar në pothuajse të gjitha fushat e luftës kundër terrorizmit me qëllim të ngritjes së vetëdijes posaçërish tek të rinjtë, ka përgatitur një mori aktivitetesh ku përfshihen ekspozitat, bukurshkrimi, ekspozita të poezisë, konferenca dhe panele. Kjo është ekspozita e tij e 32-të personale dhe se Prizreni është vendi i fundit në kuadër të turnesë së tij në Ballkan, pas Sarajevës në Bosnjë e Hercegovinë dhe Novi Pazarit në Serbi.

Kategoritë
Kulturë

Të ngjajshmet