Presidentja Osmani pret në takim ambasadorin turk, Çağri Sakar

Osmani është shprehur falënderuese për ndihmën që shteti turk i ka ofruar Kosovës dhe qytetarëve të saj në fusha të ndryshme, e sidomos tash së fundmi përgjatë pandemisë COVID-19.

Ushtruesja e detyrës presidente e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në një takim ambasadorin turk në Prishtinë, Çağri Sakar, ku diskutuan për raportet bilaterale mes dy vendeve, duke potencuar “bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe raportet e mira mes vendeve”.

Siç njofton presidenca e Kosovës, Osmani është shprehur falënderuese për ndihmën që shteti turk i ka ofruar Kosovës dhe qytetarëve të saj në fusha të ndryshme, e sidomos tash së fundmi përgjatë pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).

“Ajo (Osmani) ka theksuar faktin se Turqia ka ofruar ndihmë në trajtimin e pacientëve në faza të ndryshme që ka qenë ndihmë e madhe për Kosovën”, thuhet në njoftim.

Ndërsa ambasadori Sakar, thuhet në njoftim, ka uruar Osmanin për rezultatin e arritur në zgjedhjet e 14 shkurtit, duke konstatuar se vullneti i qytetarëve të Kosovës është i qartë dhe se i njëjti duhet të jetësohet përmes krijimit të institucioneve të reja.

Osmani e cila u largua nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), me listën e saj ishte pjesë e listës zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, e cila fitoi bindshëm me rreth 48 përqind të votave.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi