Presidenti Pendarovski bën thirrje për reforma në OKB

“Në lidhje me nevojën për reformë të saj themelore, sfidat para të cilave jemi të gjithë mund të zgjidhen vetëm me më shumë, e jo me më pak multilateralizëm”, tha mes tjerash Pendarovski

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në fjalimin e tij në Debatin e përgjithshëm të sesionit të 75 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), mes tjerash foli për pandeminë e koronavirusit të ri (COVID-19), por edhe bëri thirrje për reforma në OKB, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç bëjnë të ditur nga Presidenca e Maqedonisë së Veriut, presidenti Pendarovski theksoi se viti 2020 është pa dyshim një nga vitet më të vështira të cilin po e përjeton njerëzimi në historinë më të re.

“Pandemia për vetëm disa muaj, jo vetëm që mori pothuajse një milion jetë njerëzore, la edhe pasoja të thella në çdo fushë të jetës sonë, për të cilat do të na nevojiten vite që të rimëkëmbemi tërësisht. COVID-19 shkaktoi ndryshime tektonike në rendin të cilin e dimë, por, na mundësoi edhe mbikëqyrje reale në kapacitetet nacionale në shëndetin publik për ballafaqim me kriza të përmasave planetare”, tha Pendarovski.

Megjithatë, ai tha se viti 2020 do të jetë një vit kthesë për të gjithë.

“Sot, në vend të rendit statik ekzistues të vendosur pas Luftës së Dytë Botërore, na nevojitet sistem dinamik dhe funksional i parimeve dhe rregullave të vendosura në të cilat besojmë, të përshtatura me kohën e re. Na nevojitet me patjetër një model i ri i multilateralizmit aktiv, inkluziv, i njohur për solidaritetin midis kombeve dhe humanizmi midis njerëzve. Në këtë kontekst, një nga detyrat e mëdha të Kombeve të Bashkuara është të na ndihmojnë të vazhdojmë fokusin dhe ta mbajmë të zgjuar vetëdijen kolektive dhe vetëdijen për të mirën globale”, theksoi Pendarovski.

Duke iu referuar qëllimeve të përbashkëta, presidenti i vendit gjithashtu rikujtoi fjalët e ish Sekretarit të Përgjithshëm, Dag Hamarsheld i cili tha: “Qëllimet e Kartës janë shprehje e idealeve universale që nuk mund të hidhen poshtë; por, ne, njerëzit, mund të dështojmë në plotësimin e tyre. Me fjalë të tjera, organizata jonë mund të jetë efikase aq saç do ta lejojnë të jetë vendet anëtare”.

Presidenti Pendarovski gjithashtu tha se që të tejkalohet kjo periudhë është i domosdoshëm solidariteti midis shteteve që nuk do të reflektohet vetëm në planin shëndetësor. Sipas tij, duhet të jemi solidarë edhe në aspektin e të ardhmes, të cilën duhet ta ndërtojmë së bashku.

“COVID-19 të mos shfrytëzohet për tensione gjeopolitike. Shkenca, jashtë logjikës së fitimit”

Në fjalimin e tij, presidenti Pendarovski gjithashtu tha se assesi nuk duhet të lejohet që tragjedia e shkaktuar nga COVID-19 të shfrytëzohet për tensione gjeopolitike dhe përforcime në garën gjeopolitike midis fuqive të mëdha.

“Shkenca duhet të mbetet me patjetër jashtë logjikës së fitimit, por, edhe jashtë veprimit rrënues të propagandës dhe dezinformacioneve. Politikat e fokusuara në rezultatet e shpejta kanë gjithmonë efekt afatshkurtër. Nëse krizat i trajtojmë të izoluara njëra nga tjetra, vetëm do t’i zbutim simptomat pa e shëruar njerëzimin. Prandaj është e domosdoshme qasja integruese”, theksoi ai.

Pendarovski gjithashtu theksoi nevojën e zvogëlimit të pabarazisë midis burrave dhe grave, gjë që sipas tij, është ende realitet në shumë vende në botë.

“Vendosëm stabilitet shtesë me marrëveshjet me fqinjët”

Presidenti i Maqedonisë së Veriut theksoi se vendi i tij ka vendosur stabilitet shtesë në rajon duke zgjidhur, me negocim nga OKB-ja, një kontekst të komplikuar me Greqinë.

“Tani atë që e kemi dakorduar po e shndërrojmë në besim të mirë, kurse nga kjo dobi do të kenë të dy shtetet tona, por edhe rajoni në tërësi. Njëkohësisht, jemi të gatshëm të gjitha çështjet e hapura t’i zgjidhim nëpërmjet dialogut të subjekteve të barabarta, për çka shembull i rëndësishëm është Marrëveshja e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit me fqinjin tonë, Republikën e Bullgarisë”, tha Pendarovski.

Ai gjithashtu tha se demokracia,sot është nën një sulm të ashpër nga tendencat populiste dhe autoritare, andaj bëri thirrje që të investohet në demokraci, sidomos midis gjeneratave të reja, në edukimin e vlerave demokratike që t’i shuajmë ideologjitë e ndezura radikale, si neofashizmi, ultranacionalizmi dhe racizmi.

“Që të jetë e suksesshme kjo betejë bëhet në shumë fronte njëkohësisht. Çdo shtet, çdo popull dhe çdo organizatë mund të japë kontributin e vet. Por, parakushte që ta arrijmë qëllimin janë bashkëpunimi efektiv ndërkombëtar dhe solidariteti global për të cilat është e domosdoshme që Kombet e Bashkuara jenë të reformuara dhe të përshtatura me realitetin e ri”, theksoi Pendarovski.

Ai shtoi se me të gjitha mangësitë e veta, kjo organizatë mbetet platforma e vetme dhe e vërtetë globale, neutrale dhe legjitime për bashkëpunim.

“Në lidhje me nevojën për reformë të saj themelore, sfidat para të cilave jemi të gjithë mund të zgjidhen vetëm me më shumë, e jo me më pak multilateralizëm, i cili përveç qeverive dhe shteteve do ta përfshijë edhe sektorin privat, organizatat ndërkombëtare qeveritare dhe joqeveritare, institucionet akademike dhe shoqatat e të rinjve, grave dhe të margjinalizuarve, të cilët me të drejtë e kërkojnë të vërtetën, drejtësinë dhe barazinë”, tha ai.

Për fund, Pendarovski tha se në frymën e multilateralizmit, Republika e Maqedonisë së Veriut do të vazhdojë t’i plotësojë obligimet e veta ndërkombëtare dhe ta mbështesë punën e OKB-në dhe agjencitë e specializuara të saj në krijimin dhe zbatimin e politikave publike për çështjet me rëndësi globale.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet