Premtimet e partive për rritje ekonomike bien ndesh me FMN-në

Nga 6 deri në 9 për qind rritje ekonomike kanë premtuar partitë dhe koalicionet garuese në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit në Kosovë. Këto premtime, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike po cilësohen si të paarritshme dhe po shihen vetëm si premtime elektorale.

Në Kosovë, përgjatë viteve të fundit rritja ekonomike nuk ka shënuar më shumë se 4 për qind.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), ka parashikuar për vitin 2019 një rritje ekonomike për Kosovën deri në 4.2 për qind, ndërsa projeksionet e FMN-së për rritjen ekonomike për vitet 2020 deri në vitin 2024, janë jo më shumë se 4 për qind.

Nisur nga premtimet e bëra publike, Partia Demokratike e Kosovës në programin qeverisës kanë paraparë rritje ekonomike rreth 8 për qind. Koalicioni ndërmjet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Socialdemokrate kanë premtuar rritje ekonomike nga 7 deri në 9 për qind. Koalicioni Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë, kanë premtuar rritje ekonomike më të lartë se 5 për qind. Lëvizja Vetëvendosje ka garantuar dyfishim të normës vjetore të rritjes ekonomike në Republikën e Kosovës, ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës, në bazë të paraqitjeve publike, ka premtuar rritje ekonomike deri në 8 për qind.

Rëndësia e rritjes ekonomike qëndron në faktin se rritja deri në 4 për qind, vlerësohet se nuk adreson problemet me të cilat përballet Kosova, siç janë papunësia e varfëria, ndërsa rritja ekonomike 6 deri në 9 për qind, vlerësohet se do të ndikonte në uljen e varfërisë dhe hapjen e vendeve të reja të punës, duke ulur kështu edhe shkallën e papunësisë.

Safet Gërxhaliu, ekspert për çështje ekonomike, tha për Radion Evropa e Lirë se këto premtime në këtë kohë zgjedhjesh, nuk mund të shihen si reale.

Eksperti tjetër i çështjeve ekonomike, Naim Gashi thotë për Radion Evropa e Lirë, se nëse shikohen programet qeverisëse të partive politike në garë për zgjedhjet e 6 tetorit, nuk mund të arrijnë rritje ekonomike deri në 9 për qind ashtu siç pretendojnë.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në REL

Kategoritë
EkonomiLajmeVendi

Të ngjajshmet