Prej derrave të Daçiqit e deri te Nobeli i Peter Handke…!

Shkruan: Orhan Bislimaj

1) Jo rastësisht, në kuadër të suksesit në shkollë, evidentohet nota e sjelljes. Madje, me notë të dobët të sjelljes edhe nxënësi shembullor e përsërit vitin. Ngase, shkollimi nuk është vetëm process arsimor, por është ‘edukativo-arsimor’. Gjersa kjo është një e vërtetë unanime, në nivel të botës së civilizuar, atëherë, Akademia Suedeze, nuk ka pasuar asnjë arsye që t’ia japë Peter Handke çmimin NOBEL. Ai, mund t’i ketë dhënë shkencës ndonjë kontribut, së paku kështu është vlerësuar, por, me arsyetimin e përkrahjen e tij ndaj krimeve gjenocidale të Millosheviqit, në Bosnjë e Kosovë, Handke, në mos asgjë tjetër, ka marrë notë të dobët në sjellje. Kjo, nuk i ka hije asnjë intelektuali, e lëre më një nobelisti!?

2) Islami, po edhe fetë e tjera, i vlerëson lartë dijetarët e ndershëm, që besojnë në Zotin; ata dijetarë, që me dijën e tyre e promovojnë drejtësinë, korrektësinë, ndërsa, i kundërvihen padrejtësisë e të keqës. Falë tyre, ekzistojnë dhe mbijetojnë vlerat njerëzore. Sikundër kësaj, Krijuesi i gjithësisë, i ka nënçmuar ata dijetarë, që janë të pandershëm në dijën e tyre, që promovojnë të keqën dhe të shëmtuarën. Kryepersonazh i këtij nënçmimi është vetë ‘laneti’ (shejtani), i cili, edhe pse ishte më i ditur prej melekëve, megjithatë, Krijuesi e mallkoi, ngase i shkeli parimet e ndershmërisë dhe të objektivitetit. Sot, shumë njerzë janë duke e mallkuar Handken! Edhe në praktikën tonë njerëzore, shkollarët e pamoralshëm e mendjemëdhenjë janë antipatikë ndër njerzë. Populli e përdor shpesh rastin e mbretit, i cili, për brutalitet ekskluziv, e solli dhunshëm e duarlidhur babën e tij për ta marrë në pyetje, sa për t’i treguar se është bërë mbret!? “More bir, mbret qenke bërë, por njeri jo!”, i tha baba.

3) Thënë të drejtën, shkrimtari austriak, Peter Handke, me gjestet e tij, përveçse i ka vënë në pikëpyetje frytet e punës së tij, në anën tjetër e ka koprimentuar konceptin e shkollës, arsimit, dijës, shkencës, objektivitetit, humanitetit, etj. Mbi të gjitha e ka komprimentuar edhe vetë Nobelin. Hallall i qoftë mjekjes suedeze, znj. Christina Doctare, e cila, këto ditë, në shenjë revolte kundër Handke, e ktheu mbrapsht çmimin nobel për paqe, të fituar më 1988. Në fakt ky gjest, konsiston se Peter Handke, dhe njerëzit e këtillë kontravers, duhet të anatemohen nga tregu shkencor, nën akuzën për komprimentim të vlerave të njëmendëta shkencore. Tek e fundit, bëhet fjalë për një çmim prestigjioz. E, intelektuali që e fiton, duhet të jetë i pastër si loti, personalitet shembull, që përmban vlerat sublime, në dije, shkencë, kulturë, drejtësi, guxim, moral, humanizëm, etj.

4) Përtej kësaj, Akademia Suedeze, vendosi dhe ia akordoi çmimin nobel Peter Handke. Ajo, nuk përfilli kundërshtimin e ASHAK-ut, e as kundërshtimet e zyrave diplomatike të vendeve tona. As të Turqisë, e cila, gjithmonë u del në krah shqiptarëve e boshnjakëve. Kjo tregoi, se nuk janë gajluar për gjenocidin që ka ndodhur në Bosnjë e Kosovë. Akademia Suedeze, tregoi se ka mungesë të moralit shkencor, e që konvergjon me Akademinë Serbe dhe ‘SANU Memorandumin’ e saj famkeq, të vitit 1986, që shërbeu si platformë e Millosheviqit për masakrat në Bosnjë, Kroaci e Kosovë.

5) Ne, nuk po presim prej botës së civilizuar, që t’i ringjallë të vdekurit tanë. As prej Suedisë. Madje as prej Serbisë. Ne po presim respektin e kësaj bote të civilizuar për tragjedinë që ka ndodhur. Gjersa, Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, në shtator të vitit 2018 tha se Serbia mund ta njohë pavarësinë e Kosovës, vetëm kur derrat të fillojnë të fluturojnë dhe, gjersa Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e mohon masakrën e Reçakut dhe të tjerat në Kosovë, e kuptojmë se sa larg është integrimi i rajonit e pajtimi real i popujve. Por, kur pas kësaj mendësie e politikë shoviniste, rreshtohen edhe institucionet e akademive, si kupolë e vlerave, atëherë e kuptojmë se gjenocidi serb në ballkan, nuk ka ndodhur vetëm për vonesë të ndërhyrjes ndërkombëtare. Historia është hija e vetvetes…!


Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Kategoritë
OPINIONEOpinione - Ballina

Të ngjajshmet