Pozita bojkoton seancën për Dialogun, opozita i quan të papërgjegjshëm

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit e thirrur nga 40 deputetë të për diskutimin e draft-marrëveshjes gjithëpërfshirëse e përgatitur nga Qeveria për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, nuk është mbajtur në kohën e paraparë.

Kjo ka nervozuar deputetët e partive opozitare, ata të LDK-së, VV-së dhe PSD-së të cilët akuzojë për papërgjegjshmëri deputetët e koalicionit qeverisës të cilët nuk ishin të pranishëm në sallë.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti, ka vlerësuar se deputetët e pozitës kanë treguar papërgjegjshmëri , duke marrë parasysh se diskutimi I draft-marrëveshjes për dialogun është një çështje me shumë rendësi.

Hoti: Papërgjegjësi e madhe e deputetëve të pozitës

“Kryesia e Kuvendit para disa dite e ka ftu të gjithë deputetët për këtë seancë, është obligim i kushtetues i kryetarit që të sigurohet që seanca të hapet sipas kërkesës së 40 deputetëve, pasiqë është një çështje mjaft e rëndësishme është një dokument draft-marrëveshje si gjithëpërfshirëse që i është dorëzu partive politike, ambasadorëve të vendeve të BE-së që është dashtë të diskutohet këtu në kuvend për të dhënë qëndrimet e deputetëve dhe të dy grupeve kryesore opozitare. Vlerësojmë që kjo është papërgjegjësi e madhe”, tha Hoti.

E Glauk Konjufca, shef i Grupit Parlamentar të VV0-së, konsideron se marrëveshja për dialogun e proceduar nga Qeveria ka një serë defektesh e për të cilat domosdoshmërisht është dashur të diskutohet.

Konjufca e ka quajtur strategji të bojkotit mosprezencën e deputetëve të mazhorancës në sallë.

Konjufca: Kjo seancë ishte jetike, marrëveshja përmban shumë defekte

“Kjo shpërfaqë atë strategjinë e kësaj mazhorancës…për neve ka qenë jetike pasiqë kjo marrëveshje përmban shumë defekte duke filluar prej defekteve procedurale deri tek ato përmbajtjesore dhe ne kemi dashur kemi qenë të interesuar që përball kryeministrit, këshillit të ministrave ta hapim këtë teme. Por siç e keni pa edhe vet, mazhoranca është kushedi e sata herë që po aplikon strategjinë e bojkotit karshi opozitës dhe kjo është kundërthënëse duke pasë parasysh qëllimet e tyre pasiqë ata janë për fuqizim të rolit të Kuvendit sa i përket dialogut”, tha Konjufca.

E për shefin e GP të PSD-së Dardan Sejdiun, bojkoti i deputetëve të koalicionit qeverisës është situatë e çuditshme, duke thënë se ata që thirrën këtë seancë, nuk ndodhen këtu.

Sejdiu shtoi se opozita do të ketë rol vendimmarrës në marrëveshjen përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë.

Sejdiu: opozita me rol vendimmarrës në dialog

“Është situatë e çuditshme pasiqë këto situata kur e diskutojmë dialogun janë duke u përsëritur prej 24 korrikut. Në fakt kemi vendimmarrje të Kuvendit, Kuvendi e ka një vendim një rezolutë me të cilën definohet qartazi dhe mirë rruga përpara, i kthehet komplet Kuvendit diskutimi për dialog Kuvend dhe me ligjin për dialog i cili është proceduar edhe në Qeveri para dy ditësh… është e qartë se opozita do të marrë një rol vendimmarrës sa i përket dialogut”, tha Sejdiu.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot në orën 14:00, ku presidenti i vendit Hashim Thaçi do t’u adresohet deputetëve.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet