Portieri i Kosovës transferohet në Zvicër

Portieri i përfaqësueses së Kosovës në hendboll, Haris Berisha, ka bërë hap të madh në karrierë. Ai ka kaluar te skuadra e kategorisë së dytë zvicerane, HSC Kreuzlingen, që synon kalimin në elitë në edicionin e ardhshëm.

Deri më tani Berisha ka luajtur në nivel amator në Gjermani dhe kalimi në Zvicër, sipas FHK-së, është hap i rëndësishëm për karrierën e tij.Berisha (24) ka firmosur për një vit, me mundësi të vazhdimit të kontratës.

“Jam shumë i gëzuar për mundësinë që të luaj në ligën e dytë zvicerane. Jam i motivuar që iu kam bashkuar një ekipi me kualitet dhe me potencial të madh. Këtë vit synimi është ngritja në ligën elitare të Zvicrës. Me përgatitjet që po i zhvillojmë dhe me një seriozitet të madh, shpresoj që në fund të edicionit t’i arrijmë synimet”, ka thënë Haris Berisha.Për kalimin e kosovarit te Kreuzlingeni ka shkruar edhe Federata e Hendbollit të Zvicrës.

Te kjo skuadër luajnë edhe kapiteni i Kosovës, Valon Dedaj dhe Drenit Tahirukaj.“Me gjithë moshën e re, 24-vjeçari tashmë ka shumë përvojë ndërkombëtare. Portieri i gjatë 197 centimetra ishte numër një në kualifikimet për Evropianin 2020, te Kosova.

Falë pritjeve të tij, Kosova arriti fitore historike, 27:24 ndaj Izraelit dhe barazimin e jashtëzakonshëm 23:23 ndaj Polonisë. Berisha po ashtu është vlerësuar lartë për paraqitjen ndaj Gjermanisë para 7200 shikuesve. Falë asaj paraqitje ka siguruar kalimin në Zvicër”, ka shkruar federata zvicerane.

Kategoritë
Sport

Të ngjajshmet