Porosi evropiane

Pozicionimi i Republikës së Kosovës karshi asaj të Serbisë, për sa i përket rrafshit tregtar, ka bërë që udhëheqësit e Bashkimit Evropian të ndihen në siklet. Johanes Hahn, Komisioner i BE-së për Politika të Jashtme dhe Zgjerim, do ta ketë në majë të gjuhës këtë çështje, sapo të takohet me liderët e vendit – shkruan Gazeta e Re.

 Pas takimit me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq, Johanes Hahn ka bërë të ditur se kryetemë e diskutimit ka qenë taksa e Republikës së Kosovës e vënë për produktet serbe e boshnjake.

“Takim i mirë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Beograd, ku diskutuam për vendimin e Kosovës për vendosjen futjen e tarifave mbi mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, e cila pengon CEFTA-n dhe bashkëpunimin rajonal. Ne ramë dakord për nevojë urgjente që situata të ri-stabilizohet” – ka thënë Hahn, duke përsëritur qëndrimin e BE-së që Kosova ta anulojë menjëherë këtë vendim.

Vuçiq, nga ana tjetër, sipas raportimeve të mediave serbe, ia ka kujtuar zyrtarit të BE-së që ky akt i kosovarëve, e shkelë marrëveshjen e CEFTA-s. Në një mënyrë, Vuçiq i ka premtuar Komisionerit Hahn se nëse Republika e Kosovës e anulon vendimin, Serbia nuk do t’i përgjigjet me ndonjë kundërmasë, meqë kjo do t’i ritensiononte sërish raportet.

Por në këtë situatë, Kryeministri i Kosovës duket që po ndihet në një pozicion më të sigurt, aq sa edhe ta kushtëzojë BE-në. Në një vizitë të cilën e realizoi në Panairin ‘Prishtina 2018-të’, ai në një mënyrë rikonfirmoi qëndrimin e Qeverisë së Kosovës, e cila duket që do të qëndrojë e paluhatshme për sa i përket vendimit:

“Krenar, në mesin e sipërmarrësve dhe prodhuesve vendorë, sot në hapjen e panairit të produkteve Bujqësore, Agroindustriale dhe Tregtisë Inverse ”Prishtina 2018′. Vendimet e fundit të Qeverisë menjëherë kanë filluar të ndikojnë në rritjen e prodhimit vendor në disa sektorë. Ka ardhur koha që t’i vendosim produktet tona në rend të parë dhe të bashkohemi të gjithë për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës” – ka shkruar Haradinaj në facebook.

Në këtë panair janë duke marrë pjesë mbi 30 kompani kosovare, ndërsa sipas kryeministrit, pikërisht këtu është duke reflektuar menjëherë vendimi kundër produkteve serbe e boshnjake. Ai u ka bërë thirrjeve bizneseve vendore, që favorizimin në treg të cilin ua ka krijuar vendimi, të mos e shfrytëzojnë duke i rritur çmimet e produkteve, por për ta rritur sasinë dhe cilësinë e tyre.

Ky panair është organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës, zyrtarët e së cilës janë shprehur të bindur se nëpërmjet tij, bizneset vendore, do të mund ta shfaqin potencialin e tyre prodhues.

Këto deklarata të bëra, pak para se Hahn të takohet me krerët e vendit, janë një paralajmërim se Kosova nuk do të heq dorë aq lehtë nga ai. Këtë e ka bërë të qartë edhe Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj.

Taksa 100% të vazhdojë, derisa nuk kemi njohje nga Serbia, liberalizim dhe njohje të plotë nga BE-ja.

Zotëri Komisionar Hahn, me këto lajme do të ishte më mirë të vinit në Kosovën e pavarur, e jo për të bërë trysni” – ka shkruar ai para pak orësh.

Hahn, nuk do të mirëpritet vetëm nga krerët e shtetit, por edhe nga një pllakat, e cila atij ia kujton se BE është duke iu qasur Kosovës me standarde të dyfishta.  Po të aplikohej në tërësi reciprociteti, vet Hahn do t’i duhej të aplikonte për vizë duke i plotësuar paraprakisht “45 dokumente të ndryshme, dhe duke i paguar 35 euro”. Përtej çdo ironie, nuk dihet përfundimisht nëse kjo vizitë, do të arrijë t’ia ndërroj kursin marrëdhënieve Kosovë – Serbi, apo të paktën t’u premtojë zyrtarëve tanë që nëse hiqet vendimi për taksë, do të bëhet edhe liberalizimi i vizave./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet