Politikanët jopopullor, për ta përfaqësuar popullin (Foto)

Anëtarët e zgjedhur të Grupit Negociator që janë duke e përfaqësuar Kosovën në bisedimet me Serbinë, bashkë me Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, janë ndër politikanët më jo-popullor aktualisht. Rrjetet sociale janë një pasqyrë e për këtë gjë – shkruan Gazeta e Re.

Kuvendi i Republikës së Kosovës, me gjithë krizën e thellë me të cilën u përball gjatë vitit të kaluar, arriti që ta votonte rezolutën dhe t’i jepte mbështetje Ekipit Negociator, të udhëhequr nga Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, natyrisht, pa pjesëmarrjen e dy partive më të mëdha opozitare LDK dhe LVV. Por ngërçi institucional dhe përçarja e spektrit politik, janë duke reflektuar në një formë shumë negative te anëtarët e zgjedhur të këtij ekipi. Duket që aktualisht ata janë më jo-popullorët, dhe kjo reflektohet më së miri në komentet e qytetarëve nëpër rrjetet sociale.

As pas takimit të djeshëm, të realizuar në Bruksel me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian Për Politika të Jashtme dhe Siguri Frederica Mogherini, ku këta anëtarë dhanë fjalë të mëdha se: “Epilogu është njohja e Kosovës nga Serbia”; popullariteti i tyre nuk është rikthyer.

Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, në paraqitjen e parë për gazetarë, pas takimit të realizuar, shpërfaqën qëndrime dhe përshtypje të njëjta, duke i siguruar qytetarët se procesi tashmë është në duar të sigurta. Sipas tyre, me këtë rast, Kosova e ka dorëzuar një listë me kushte, ku “kushti primar është njohja reciproke”, si hap i parë drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Por këto deklarata nuk u kanë lënë përshtypje qytetarëve. Vëmendjen e ka tërhequr pamja e delegacionit kosovarë, përballë delegacionit të BE-së, i pari i përbërë nga burra, pa asnjë përfaqësuese grua dhe tjetri, i përbërë pothuajse tërësisht nga gratë.

Përdorues të ndryshëm të rrjeteve sociale, ironizuan me këtë paraqitje, si një rrugëtim ku dërgohen “10 burra mrrolana”, pa asnjë femër në përbërjen e delegacionit, përballë Mogherinit, e cila shoqërohej nga gra zyrtare, dhe vetëm një burrë.

Gjithsesi, rasti i djeshëm, nuk është i vetmi ku kritikat ndaj delegacionit janë manifestuar krejt hapur. Në një “eksperiment” të cilin e ka realizuar portali Periskopi, fotografitë e këtyre përfaqësuesve më të lartë të shtetit, kanë marrë komente tejet negative. Qytetarët madje nuk janë kursyer nga sharjet dhe fyerjet, të cilat ua kanë adresuar zyrtarëve në fjalë. Natyrisht, ndër cilësimet, vërehen aty këtu disa që janë pozitive, ose më të buta, por në shumicën prej tyre reflekton një jo-popullaritet i theksuar.

Epitetet si: “shkatërrimtar i Kosovës”; “kusar”; “gjarpër”; etj, dominojnë  në shumicën e komenteve, duke manifestuar një anti-popullaritet të egër.

Veç anëtarëve të delegacionit edhe figura e Presidentit Thaçi, nuk është kursyer aspak. Ai “tradhtari i shek. XXI”, “sharlatani”, sikurse anëtarët e delegacionit, kanë rol kyç në këtë proces të ndjeshëm. Pra ani pse bëhet fjalë për një proces tepër të ndjeshëm politik, nëpërmjet të cilit mund të vendoset e ardhmja e Republikës së Kosovës, në krye të procesit janë politikanët më jo-popullor në vend./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet