Politika ngushëllon për vdekjen e artistit Ahmet Brahimaj

Është shuar në moshën 66-vjeçare , ish-balerini dhe ish-drejtori i Baletit të Kosovës, Ahmet Brahimaj. Me këtë rast, krerët e institucioneve kanë shprehur ngushëllime me rastin e vdekjes së artistit të shquar.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, tha se Brahimaj kontribuoi shumë për artin dhe kulturën e Kosovës.

“Në moshën 66 vjeçare paska ndërruar jetë Ahmet Brahimaj, një prej themeluesve dhe drejtuesve të trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës. Ai kontribuoi shumë për artin dhe kulturën tonë. Ngushëllime familjes Brahimaj, kolegëve të tij dhe gjithë artdashësve në Kosovë!”, shkroi Thaçi.

Edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllime me rastin e vdekjes së mjeshtrit të baletit Ahmet Brahimaj.

“Sot iku rithemeluesi i trupës së baletit të Kosovës. Njeriu, i cili dha gjithçka për baletin, artisti i merituar dhe profesionisti i pakompromis. Ahmet Brahimaj është përfaqësues i brezit të parë të balerinëve të Kosovës dhe do të mbetet ikona e artit skenik të baletit. Trupa e Baletit mbeti pa frymëzuesin, bashkëpunëtorin e mirë e vetëmohuesin! Kosova mbeti pa maestron! Ngushëllime komunitetit artistik! Pusho në paqe mjeshtër!”, ngushëlloi Osmani.

Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, përmes një telegrami ngushëllimi, tha se Ahmeti ka qenë njeriu me të cilin është identifikuar baleti në Kosovë. Me angazhimin e tij, Dumoshi tha se Ahmeti ka bërë që të njihet jo vetëm nga artistët e ata që merren me kulturë por edhe në fusha tjera.

“Baleti i Kosovës por edhe kultura shqiptare në përgjithësi ka humbur një figurë shumë të madhe duke e lënë një zbrazëti të pazëvendësueshme. Ahmeti do të kujtohet dhe do të mbetet i paharruar përmes veprave të shumta e gjurmëve të pashlyera që la pas. Mes bashkëpunëtorësh, shëmbëlltyra e tij do të mbetet përjetësisht udhërrëfyes i punës dhe angazhimit. Ngushëllime familjes, miqve e tërë komunitetit artistik për këtë humbje të madhe”, thuhet ndër të tjera në telegramin e ministres Dumoshi.

Për vdekjen e Ahmet Brahmiajt ka ngushëlluar edhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, për të cilin tha se ka qenë njeriu kyç i rithemelimit të Baleti Kombëtar të Kosovës pas luftës dhe meritori kryesor i sukseseve të shumta të këtij institucioni.

“Nën udhëheqjen e Ahmetit, Baleti i Kosovës ka arritur që me kushte minimale, të vendosë me sukses në skenë, shfaqjet më rëndësishme të baletit klasik, si dhe të tërheqë koreografë të mirënjohur nga e gjithë bota. Fal punës së tij këmbëngulëse, trupa kosovare e baletit u bë një nga institucionet më të suksesshme kulturore të vendit, që ftohej rregullisht nëpër skenat më prestigjioze të Evropës, duke shërbyer kështu, si ambasadore e kulturës dhe imazhit të Kosovës”, shkroi Veseli.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se Brahimaj me kontributin e tij i dha vulën e tij origjinale zhvillimit të artit të baletit në vendin tonë.

“Me keqardhje pranova lajmin për kalimin në amshim të Artistit të Merituar, Ahmet Brahimaj, ish Drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës. Me kontributin e çmuar, ai i dha vulën e tij origjinale zhvillimit të Artit të Baletit në vendin tonë. Ngushëllime familjes Brahimaj, të gjithë artistëve që punuan më të dhe miqve të tij të shumtë”, shkroi Haradinaj.

Ahmet Brahimaj është prej njerëzve të parë që është marrë me balet dhe është edukuar në këtë fushë duke qenë prej gjeneratave të para të Baletit të Kosovës. Si një ndër balerinët e parë, ai ka formuar Ansamblin e Baletit në vendin tonë në vitet e 70-ta të shekullit 20.

Ka luajtur në mëse 40 premiera baleti e në shumë premiera tjera artistike duke pasur rolet kryesore në to duke u paraqitur me sukses.

Kategoritë
Kulturë

Të ngjajshmet