Policia: Nisin hetimet për kapjen e personave që dogjën flamurin…

Nisin hetimet për kapjen e personave që dogjën flamurin e Turqisë

Policia në Gjakovë në konsultim me Prokurorinë do të nisë hetimet, duke mbledhur prova dhe dëshmi në lidhje me djegien e flamurit të Turqisë.

Kështu i ka thënë KTV-së, zëdhënësja për rajonin e Gjakovës në Policinë e Kosovës, Lirie Podrimaj Beqiraj.

Vetëm pak minuta më parë, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, kërkoi nga organet e rendit që të vihen në lëvizje për vënien para drejtësisë së autorëve të këtij veprimi vandal.

Haradinaj shkroi në Facebook se Qeveria e Republikës së Kosovës rithekson fuqishëm qëndrimin e saj kundër deklarimeve dhe gjuhës fyese ndaj Republikës së Turqisë dhe popullit turk, nga kushdo qoftë në vendin tonë.

Këto deklarata të kryeministrit vijnë pas një videoje që po qarkullon në rrjetet sociale, ku disa persona i vënë flakën flamurit të Turqisë. Ata madje dëgjohen duke thënë se janë në “përkrahje të Gjergj Dedajt, poshtë Turqia, poshtë Serbia, kalle Erdoganin”, e fjalë të ngjashme.

“Qeveria, gjithashtu, dënon fuqishëm çdo akt vandal që përdhosë simbolet nacionale dhe shtetërore të Republikës së Turqisë. Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në ndërtimin e raporteve të mira me të gjitha vendet e rajonit dhe ka konsideratë të veçantë për bashkëpunimin e mirë me vendet që kanë njohur dhe ndihmuar pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar tutje Haradinaj.

Ndërsa, Haradinaj ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës është e vendosur dhe kërkon nga organet e rendit që të ndërmarrin të gjitha masat ndaj atyre që nuk respektojnë interesat shtetërore të Kosovës dhe ndaj atyre që prishin harmoninë dhe bashkëjetesën e qytetarëve të saj, pa marr parasysh përkatësinë e tyre etnike.

.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet