Policia largon nga rruga 58 fëmijë lëmoshëkërkues, ngritët kallëzim penal ndaj 8 personave

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, në kuadër të angazhimeve të vazhdueshme në parandalimin e dukurive negative, në veçanti luftën kundër abuzimit me fëmijë, ka përpiluar një plan operativ.

Gjatë zbatimit të këtij plani operativ ka rezultuar me identifikimin e 58 fëmijëve lëmoshëkërkues, prej tyre 21 shtetas kosovarë dhe 37 shtetas shqiptarë, identifikimin e 42 lëmoshëkërkuesve të rritur, prej tyre 6 shtetas kosovarë dhe 36 shtetas shqiptarë dhe janë ngritur kallëzime penale ndaj 8 personave të dyshuar për veprën penale “keqtrajtim apo braktisje e fëmijës”.

Të gjithë fëmijët lëmoshëkërkues kanë qenë të shoqëruar nga familjarët e tyre dhe të pajisur me dokumente.

Në prani të punëtorit social, të gjithë fëmijëve lëmoshëkërkues u është plotësuar formulari për shënimet e lëmoshëkërkuesve dhe janë marrë në pyetje familjarët e tyre, me qëllim të identifikimit të viktimave potenciale të trafikimit me njerëz.

Gjatë marrjes në pyetje nuk është identifikuar asnjë viktimë e trafikimit.

Policia ka konsultuar prokurorin përkatës, janë iniciuar 8 raste “keqtrajtim apo braktisje e fëmijës” dhe janë dorëzuar kallëzime penale kundër 8 të dyshuarve, prindërve të fëmijëve lëmoshëkërkues, ndërsa janë identifikuar 21 fëmijë si viktima të kësaj vepre penale,

Të gjithë fëmijët e hasur duke kërkuar lëmoshë janë referuar në Qendrat përkatëse për Punë Sociale.

Ndërsa, pas trajtimit të rasteve veç e veç dhe verifikimit të rrethanave, në konsultim me Prokurorinë dhe QPS-të përkatëse, shtetasit e Shqipërisë janë referuar në drejtorinë përkatëse (DMH) për trajtim të mëtutjeshëm sipas kompetencave.

Plani i emëruar “Identifikimi i fëmijëve në situatë rruge si viktima të mundshme të trafikimit” u implementua në qershor 2019 dhe është zbatuar në gjithë territorin e Kosovës, nga të gjitha njësitë e drejtorisë kompetente policore dhe akterët tjerë relevantë, si: prokuroritë në rajonet përkatëse, qendrat për punë sociale, Drejtoria për Migrim dhe të Huaj, njësitë e migrimit në kuadër të drejtorive rajonale të Policisë Kufitare (DRP-ve Kufitare), Stacionet Policore etj.

Kategoritë
LajmeVendi

Të ngjajshmet