Policia gjermane rrahu prindin dhe vajzën me origjinë turke

Cemil Başöngen tha se policia kishte përdorur forcë joproporcionale kundër tij dhe vajzës së tij 17-vjeçare për shkak të një incidenti të thjeshtë.

Një prind dhe vajza e tij 17-vjeçare me origjinë turke u rrahën nga policia gjermane në qytetin Ennepetal në shtetin North Rhine-Westfalen.

Cemil Başöngen për Anadolu Agency (AA) tha se policia kishte përdorur forcë joproporcionale kundër tij dhe vajzës së tij, Yasemin-it, për shkak të një incidenti të thjeshtë më 3 shkurt.

Başöngen, i cili kishte ardhur në Gjermani nga Turqia në vitin 2001 si një punëtor fabrike, tha se ngjarja ndodhi pasi vajza e tij kishte një debat me miqtë e saj, të cilët më pas thirrën policinë.

“Përderisa po e prisja jashtë, policia erdhi për pesë minuta. Policia i kishte thënë vajzës time që të largohej dhe kështu ajo zbriti poshtë. Për shkak se vajza ime zbriti poshtë, një oficere policie me zemërim shkoi pas saj dhe rrëzoi vajzën time 17-vjeçare, bashkë me një oficer tjetër që kishte hyrë nga jashtë shtëpisë”, tregoi Başöngen.

Ai tha se u sulmua gjithashtu nga një oficer tjetër mashkull kur u përpoq të ndante policinë nga vajza e tij, në përpjekje për ta mbrojtur atë.

“Një polic trupmadh mu ngjit përsipër, më goditi me grusht dy herë dhe unë humba vetëdijen, ndërsa ai më vuri prangat pas shpine. Në atë kohë, ata e morën vajzën time në një makinë policie. Unë veçse isha pa ndjenja dhe nuk e pashë këtë”, tha ai.

Kur ishte në stacionin e policisë, Başöngen tha se ka parë që fytyra dhe flokët e vajzës së tij ishin të mbuluara me njolla gjaku.

“Kur ata më hoqën prangat dhe më lejuan të shoh vajzën time, fytyra dhe flokët e saj ishin mbuluar me gjak. Para se të dilnin nga automjeti para stacionit të policisë, ata e kishin rrahur atë rëndë. Kocka e mollëzës së saj ishte thyer, kishte gjakderdhje nga hunda. Nuk kishte nevojë për këtë rrahje. Ata thirrën një ambulancë dhe e çuan atë në spital”, tha Başöngen.

Ai shtoi se vajza e tij tha se policia e kishte kërcënuar se do ta vrasë.

“Unë do të paraqes një ankesë penale kundër policisë dhe do të kërkoj të drejtat e mia përmes mjeteve ligjore deri në fund”, shtoi Başöngen.

Kategoritë
BotaLajme