Policia e Kosovës identifikon 12 shtetas nga Afganistani të cilët dyshohet se janë kontrabanduar

Policia e Kosovës njofton se në bashkëpunim me prokurorin kompetent janë duke u kryer hetime lidhur me dyshimet për kontrabandim me migrantë

Policia e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se ka identifikuar 12 shtetas të Afganistanit të cilët janë të dyshuar se janë kontrabanduar në një rimorkio të kamionit i cili ka hyrë mëngjesin e ditës së sotme në pikën kufitare të Hanit të Elezit, në kufi me Maqedoninë e Veriut, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç bën të ditur policia, kamioni me ngjyrë të bardhë dhe me rimorkio ngjyrë hiri i drejtuar nga një shtetas kosovar nga Graçanica, në orën 4:00 të mëngjesit është ndaluar në Terminalin Doganor në Han të Elezit.

“Nga ana e zyrtarëve policor mjeti është selektuar për kontroll me pajisje-kamera. Gjatë kontrollimit kamera ka dhënë sinjale se në rimorkio mund të ketë të fshehur gjallesa. Pas sinjalizimit nga pajisja, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën e Kosovës ka këputur plombën, është hapur rimorkio ku edhe janë gjetur dymbëdhjetë (12) persona shtetas nga Afganistani”, bëhet e ditur në njoftim.

Sipas policisë, të gjithë personat janë kontrolluar nga ekipi mjekësor.

Tutje, policia njofton se në bashkëpunim me prokurorin kompetent janë duke u kryer hetime lidhur me dyshimet për kontrabandim me migrante, “përderisa personat e identifikuar janë duke u trajtuar ne përputhje me ligjin për të huaj në Republikën e Kosovës”.

Kosova, sipas autoriteteve shtetërore, gjatë vitit 2020 është përballur me një trend në rritje të fluksit të emigrantëve që vinin kryesisht nga Siria, Palestina, Iraku, Maroku, Algjeria e Afganistani, të cilët Kosovën nuk e shohin si destinacion, por si rrugë për të vazhduar drejtë vendeve të zhvilluara evropiane.

Kategoritë
LajmeVendi