“Po të donte PDK-ja, qeveria aktuale do të shembej si një kullë prej letre”

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), është duke kaluar në një proces të brendshëm zgjedhor. Ndërkohë që situata është duke ia kërcënuar pozicionin e rëndësishëm që e ka në kuadër të pushtetit, ajo po përpiqet që të reformohet së brendshmi, në mënyrë që të jetë e gatshme për zgjedhjet nacionale – shkruan Gazeta e Re.

“Dridhja” e parë në koalicionin qeverisës, erdhi fill pas kërcënimeve serioze të ShBA-ve, që ndërlidheshin me taksën. I pari i PDK-së Kadri Veseli, njëkohësisht edhe partneri kryesor në kuadër të koalicionit, i dha shenjat e para të dorëzimit karshi trysnisë. Por ishte Kryeministri Ramush Haradinaj, ai i cili këmbënguli që vendimi për taksë 100% ndaj mallrave serbe e boshnjake, të mos vihej në diskutim. Polarizimi i qëndrimeve, pastaj, reflektoi thellimin e çarjes nga brenda, e cila sa vinte e thellohej. Kërcënimet e Veselit, megjithëse u përsëritën disa herë, nuk reflektuan seriozitet. Dukej qartë që të parit të PDK-së, nuk po i përshtatet shembja e parakohshme e qeverisë.

PDK është duke kaluar në një proces të brendshëm zgjedhor, i cili nuk duket të jetë aq i lehtë. Disa incidente janë shënuar gjatë kësaj kohe, qysh kur ka filluar procesi. Në fshatrat Studenticë të Istogut, përkatësisht në Dobratin të Podujevës, është raportuar  edhe për rrahje ndërmjet anëtarëve të PDK-së. “Reforma” e brendshme, pas këtyre raportimeve, nuk tingëllon aq e lehtë për këtë subjekt. Ndoshta kjo është njëra ndër arsyet që ky subjekt, nuk i ka seriozisht kërcënimet ndaj qeverisë?

Për t’iu dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, analisti Florim Zeqa për Gazeta e Re thotë se:

“Përkundër faktit, që një kohë të gjatë ka filluar të flitet për zgjedhje të parakohshme, mundësia e mbajtjes së tyre në radhë të parë varet nga partia më e madhe në pushtet, pra nga PDK-ja. Zgjedhje të parakohshme do të ketë patjetër, por jo në këtë fazë të zhvillimeve politike, dhe atë për disa arsye; partisë së Kadri Veselit i duhet një përgatitje me gjatë strukturore, për shkak se humbja eventuale edhe në zgjedhjet e ardhshme e PDK-së, Kadri Veselit do t’i kushtojë me humbje të postit të kryetarit në këtë subjekt politik. Prandaj është i logjikshëm investimi i PDK-së në “rekrutimin” e sa më shumë figurave të njohura nga opinioni publik, me qëllim të ngritjes së imazhit në prag të zgjedhjeve nacionale” – ka thënë ndër të tjera Zeqa.

“Praktika e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme është shndërruar në dukuri dhe mjet të PDKS-së për mbajtjen e pushtetit. Arsyeja tjetër pse zgjedhjet do të mbahen jo tani, por pak me vonë, është fakti i sigurimit të privilegjeve nga ana e deputeteve të Kuvendit. Kur jemi në këtë segment, duket se ekziston një marrëveshje e pashkruar mes deputeteve të pozitës dhe opozitës. Në momentin që të arrihet momentumi ligjor për privilegjet, qeveria ‘Haradinaj’ do të bie si një “kullë prej letre”, për shkak se të gjithë janë të pajtimit, madje edhe vet kryeministri Haradinaj.

Shtrohet pyetja, sa janë dhe a janë të gatshme dy partitë opozitare (LDK e LVV) si të vetme të përballen me PDK-në e përforcuar nga dy nismat socialdemokrate (PSD e NISMA) dhe figura tjera të shquara të opinionit publik!? Kur dihet fakti se edhe LDK- ja është duke u futur në një fazë të procesit të brendshëm zgjedhor. Vetëm një arritje e marrëveshjes për një koalicion parazgjedhor mes LDK-së dhe LVV-së, do t’ia fundoste shpresat PDK-së për vazhdimin e mandatit qeverisës, gjë në të cilën vërehet qartë frika e Kadri Veslit dhe PDK-së” – konkludon Zeqa.

Ka pasur spekulime që radhëve të PDK-së u janë bashkuar edhe disa figura të njohura për opinionin publik. Burbuqe Berisha, Zake Prelvukaj dhe Eliza Hoxha, kanë qenë pjesë e listës së spekulimeve. Të gjitha i kanë mohuar zërat nëpërmjet rrjeteve sociale. Të gjitha, me përjashtim të këngëtares Hoxha, e cila ka dalë në një foto me ministrin Uran Ismaili duke e shoqëruar fotografinë me një shkrim, ku ka lënë pak hapësirë për dyshime. Ndoshta bëhet fjalë thjesht vetëm për një shaka, megjithatë ofertës së Ismailit, për t’iu bashkuar PDK-së Hoxha i është përgjigjur kësisoj: “Hajt se menoj!”.

Me apo pa Hoxhën, apo artistet e lartpërmendura, PDK-ja është duke i përdorur të gjitha mekanizmat për ta grishur “gjakun e ri” brenda saj. Disa nga analistët, këtë e kanë cilësuar si gjendje paniku. Pa këto ndryshime strukturore, ajo do t’u druhet zgjedhjeve të parakohshme zgjedhore./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet