Po rritet, po rritet, kabineti Haradinaj

Që në dhjetor të vitit të kaluar, Qeveria e Republikës së Kosovës, ka marrë vendim që ta zgjerojë edhe më tutje kabinetin qeveritar. Vendimi për shtimin e numrit të këshilltarëve, po shihet si skandaloz – shkruan Gazeta e Re.

Vetëm Kryeministri Haradinaj do t’i ketë pranë vetes 35 këshilltarë. Zyra e kryeministrit, nuk e ka mohuar këtë fakt, por ajo ka sqaruar se 11 këshilltarë të jashtëm të Haradinajt, nuk paguhen nga buxheti i Kosovës dhe se 9 prej tyre që vijnë prej komuniteteve, nuk mund të futen në numrin e përgjithshëm të këshilltarëve.

Analisti Blerim Burjani, këtë iniciativë të qeverisë e ka cilësuar si akt i vazhdimit të zhvatjes së buxhetit të Kosovës:

“S’ka para -buxhet Qeveria për rritjen e pagave të mjekeve kirurgë, punëtorëve të Trepçës dhe arsimtarëve, për shkak të zhvatjes së buxhetit të shtetit, respektivisht numrit të madh të ministrave – 23; zëvendësministrave – 80 dhe mbi 90 këshilltarëve politikë. Prandaj, miliona shkojnë kot përderisa shteti ballafaqohet me varfëri dhe greva.

Të gjitha këto para janë zhvatur nga njerëz që thonë se merren me politikë, shumica e tyre që merren me politikë janë kategori sociale dhe e pa punë përderisa një pjesë tjetër kanë përfituar miliona në mënyrë të paligjshme në forma të ndryshme. Mos vetëdijesimi i qytetarëve e ka sjelle një kriminalitet të pandashëm përmes keqpërdorimit të detyrës zyrtare, duke e rritur numrin e ministrave, zëvendësministrave, si dhe këshilltarëve të kotë”.

Vendimi ka ngjallur reagime të shumta edhe të qytetarëve. Duarkryq nuk ka qëndruar as ish Ambasadori i Kosovës në Britani të Madhe Muhamet Hamiti, i cili e ka krahasuar numrin e këshilltarëve të Kryeministrit Haradinaj, me atë të Qeverisë Britanike, të kohës së Cameron-it:

“SA PËR KRAHASIM, 68 KËSHILLTARË NË GJITHË QEVERINË BRITANIKE

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar në kohën e Kryeministrit Cameron – kohë kur kam qenë ambasador i Kosovës në Londër – ka pasur gjithsejt 68këshilltarë politikë (quhen ‘special advisers’). Shumica e ministrave kanë pasur nga dy, ministri i mbrojtjes një, ministri i jashtëm tre (i kam njohur të tretë, njëra prej të cilave, Arminka Helic, tash është anëtare e Dhomës së Lordëve), më së shumti ministri i financave (Sekretari i Thesarit, në emërtimin zyrtar) gjashtë. Në kryeministri kanë punuar 18 këshilltarë. Kaq sa për krahasim” – ka shrkuar ai në profilin e tij në facebook.

Duke e komentuar këtë rritje enorme, Eman Rrahmani anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, përkatësisht asamblist në Kuvendin Komunal të Prishtinës, e ka bërë këtë përllogaritje:

“Qeveria e Kosovës ka:

1     – Kryemninistër;

5     – Zëvendëskryeministra;

21   – Ministra;

80   – Zëvendësministra;

35   – Këshilltarë Kryeministri;

55   – Këshilltarë Zëvendëskryeministrash;

147 – Këshilltarë Ministrash;

80   – Këshilltarë Zëvendësministrash;

479 persona në kabinetin e RAMBOS! paga mesatare 1500 euro.

479 X 1500 X 12 muaj=8.622.000 është kostoja për një vit e këtij kabineti.

Me një qeverisje normale kostoja e kabinetit nuk do të ishte rreth 9 milion euro por do të duhej të ishte më së shumti 1.5 milion euro.

Me 7 milion euro, nuk do të kishim asnjë të pastrehë në Kosovë!!!

Ky është korrupsioni modern.”

Edhe sipas qytetarëve, kjo fryrje enorme e numrit të zyrtarëve në kabinetin qeveritar, s’përbënë veçse zhvatje të buxhetit të Kosovës./Gazetaere.com/

 

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet