Po a, AUTOSTRADË, apo?!

Nga: Dr. Beni Kizolli

Po a, AUTOSTRADË, apo?!

Në rregull, autoudha “Ibrahim Rugova”, ishte nevojë për zgjerimin e infrastrukturës, kishim nevojë edhe për një përvojë në një projekt të tillë.

Na kushtoi 1 miliard euro, ndërtuam 78 km rrugë, 15 ura, 31 mbikalime, 27 nënkalime.

Kështu që e siguruam infrastrukturën por nuk arritëm dot ta ngrisim përvojën dhe kapacitetin e kompanive vendore që projektin e radhës t’ua besojmë atyre.

Vazhduam me “partnerët” edhe në ndërtimin e autoudhës “Arbën Xhaferi”, po edhe ky projekt ishte nevojë për arritjen e shtrirjes së rrjetit të infrastrukturës.

Mos vallë, kishim më shumë kompani vendore si nënkontraktore?

Mos vallë, arritëm ta ngrisim kapacitetin e kompanive vendore për t’ua besuar projektin e radhës?

Po, paguam/shpërblyem me 10%-shin e kontratës!

Po, ia falëm rretha 53 milion edhe pse kompania Hill International [konsulenti i ndërtimit] në interes së Shtetit kundërshtoi pagesën prej kësaj shume!

Po, këta, që aq shumë i duan Dukagjinasit, po kërkojnë AUTOSTRADË!

Por, qeveria e tyre në Gjakovë me muaj të tërë nuk mundi ta përfundojë një segment rruge.

Por, përsëri qeveria e tyre në Rahovec nuk arriti t’i sigurojë disa rrugë bujqësorë për zonat ku me traditë është zhvilluar bujqësia.

Ky investim, në këto rrethana politiko-ekonomike është ngarkesë dhe është investim në interes të grupeve e jo të qytetarëve.

Dukagjini mbi gjitha ka nevojë për projekte ri-gjeneruese dhe plane orientuese për zhvillim të bujqësisë e turizmit kulturor e malor.

Sot në vend, kemi nevojë për 400 mijë tonë grurë në vit në nivel vendi dhe mund të sigurohen vetëm 50% e nevojave.

Turizmi, në këtë zonë vazhdon të jetë tranzitor sikur në shumë qytet tjera.

E kam të vështirë t’ju kuptoj, jeni prej atyre që keni dhënë nga të afërmit në luftë, jeni diskriminuar para lufte e jeni dëmtuar në luftë, në vend se ju me ndienjën e të shtypurit të tregoheni përgjegjës, ju e shkatërruat çdo gjë.

S’e di çfarë dreqi u ka hyrë në shpirt.

A po munden t’i përballoni vajtimet e të shtypurve, e të varfërve, a ju kujtohen fjalët e nënës sonë nga Gjakova (videon po vlerësoj se nuk është koha ta shpërndajmë) “a keni ndërgjegje, o njerëz të pandërgjeshëm”.

Nëse e kam tepruar, përgjigjuni vetes, se ky projekt në krahasim me nevojat e zonës në çfarë renditje do të ishte sipas nënës sonë që ju drejtohet juve, por që na vret gjithë neve.

(Autori është ekspert i fushës së komunikacionit)


Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Kategoritë
OPINIONEOpinione - Ballina

Të ngjajshmet