Plot shtatë dekada, kjo është revista më e vjetër letrare në hapësirat shqiptare

Letërsia shqipe përgjithësisht, e edhe ajo e Kosovës në veçanti, nuk ka një traditë shumë të gjatë të shkrimit, thonë studiuesit. Për rrjedhojë, edhe revistat letrare, kanë filluar vonë të botohen. Megjithatë në hapësirat shqiptare, është një revistë letrare që sivjet i mbushi plot shtatë dekada – shkruan Gazeta e Re.

Revista letrare në përgjithësi, për jetën kulturore të një vendi, cilësohet si mjet promovues. Aty  prezantohen autorët e rinj, autorët e vjetër, flitet për letërsinë dhe lexuesi ka mundësi të mësojë më shumë për rrjedhat letrare jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij.

«Letërsia shqipe përgjatë gjithë historisë së saj ka pasur organet e saj promovuese, më konkretisht revistat letrare, të cilat ia kanë dhënë frymën, zhvillimin dhe progresin në kohë. Ky proces është shoqëruar me lindjen dhe mbylljen e vazhdueshme të këtyre organeve letrare, për shkaqe nga më të ndryshmet e më së shumti financiare, kujtojmë këtu, duke filluar nga: “Flamuri i Arbrit” (1883 – 1887) i De Radës, “Drita” (1884 – 1885), që ndërroi emrin dhe u quajt “Dituria” e vëllezërve Sami dhe Naim Frashëri, apo revista “Albania”  1897 – 1909 e Konicës, “Hylli i Dritës” (1913- 1944 – 5) e Gjergj Fishtës, “Ilyria” e Arsim Jakovës (1936- 39) e shumë të tjera përgjatë historisë deri tek “Fjala” e Agron Tufës që nis si gazetë (2001- 2006) dhe del si revistë në 2007-ën. Të gjitha këto me një rëndësi vendimtare dhe jetësore për zhvillimin e letërsisë dhe kritikës letrare shqiptare» – vë në dukje studiuesja Manjola Brahaj.

Konteksti politik, aspak i favorshëm, ndryshimi i sistemeve shoqërore e politike, luftërat dhe telashet e mëdha në Ballkanin e trazuar, nuk i kanë lënë vend artistit shqiptar as të shprehet lirshëm, e as ta ndërtojë veprën e tij, ashtu siç bëjnë në shumë vende të tjera të botës – thonë studiuesit.

Megjithatë, kur bëhet fjalë për revistat letrare, Jeta e Re mbetet më jetëgjata. Si në Shqipërinë post-komuniste, ashtu edhe në Kosovën post-jugosllave, ka pasur përpjekje për themelimin e revistave letrare, shumica prej të cilave nuk i kanë mbijetuar “tonit” vulgar të kohës. Kështu për shembull: E për7tshme, Verbi, Kalendari Letrar, Oaza etj, dhe shumë revista të tjera më pak të njohura, më nuk botohen prej vitesh. Por Jeta e Re, përkundër vështirësive dhe përkundër pauzave të gjata që i shkaktoi lufta, pas përfundimit të saj i është rikthyer lexuesit.

Numri i parë i saj i botuar, i takon vitit 1949. Asokohe kryeredaktor i saj qe poeti «nga mëngët e të cilit doli letërsia e Kosovës», – Esad Mekuli. Ky njëherësh njihet edhe si themelues dhe drejtues i saj, që nga themelimi e deri në vitin 1972. Përveç Mekulit, Jeta e Re ka qenë në dorën e disa emrave të shquar të kulturës dhe letërsisë shqipe si: Rrahman Dedaj, Rexhep Qosja, Ali Jasiqi e Sali Bashota.

Për disa vite me radhë, për shkak të krizave që e përcollën vendin njëra pas tjetrës, nuk kishte kurrfarë mbështetje për revistat, por në vitin 2010, një redaksi e re e sapozgjedhur, e udhëhequr nga Ag Apolloni, filloi t’i përgatiste numrat e parë.

Numri jubilar ka dalë tashmë në treg, ndërsa sipas redaksisë veç kanë filluar të vijnë dorëshkrime të reja. /Gazetaere.com/

Kategoritë
KulturëKurioziteteTë ndryshme

Të ngjajshmet