Pikëpamje nga Prishtina, Tirana e Shkupi: A po zbehet Festa e 28 Nëntorit?

Organizime ku valëviten flamuj kombëtar e dëgjohen këngë patriotike zënë vend në agjendat e zyrtarëve të lartë shtetëror në muajin e nëntorit. Qëllimi i tyre është që të rikujtojnë datën e 28 nëntorit të vitit 1912 kur edhe u shpall Pavarësia e Shqipërisë, shkruan Gazeta e Re.

Ndër të tjerash, 28 nëntori si datë shënon edhe ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari si dhe daljen e parë të UÇK-së në skenë. E duke u bërë tri festa në një,  për shqiptarët kjo datë shënon një ditë historike.

Ndërkohë që festimet kanë nisur anekënd trojeve shqiptare, ka të atillë që mendojnë se festimet e kësaj date në një farë forme janë zbehur. Një ndër ta është edhe Vehap Kola, njohës i çështjeve politike në Shqipëri. Sipas tij,  Dita e Shpalljes së Pavarësisë ndër shqiptarët në disa shtete të Ballkanit rrallëherë ka marrë vëmendjen e duhur si ditë e themelimit të shtetit tonë kombëtar.

“Veçanërisht kjo është e vërtetë për shqiptarët e Shqipërisë pas Luftës II Botërore kur në pushtet erdhën komunistët, aleatë të komunistëve jugosllavë, dhe ndërmorën një fushatë përndjekjeje ndaj figurave politike kryesore të periudhës ndërmjet dy luftërave botërore. Këto figura që kishin dominuar jetën politike të vendit pas Pavarësisë, ishin pikërisht firmëtarë të Deklaratës së Pavarësisë dhe anëtarë të qeverive e parlamenteve që u konstituuan gjatë atyre 30 viteve. Dita e Pavarësisë shpejt u mjegullua nga Festa e Çlirimit, që fillimisht u festua me 28 Nëntor, dhe nga viti 1946 nisi të festohej në të njëjtën ditë me Çlirimin e Jugosllavisë, pikërisht me 29 Nëntor. Komunistët, që sunduan vendin për 45 vite, i identifikonin më mirë kontributet e tyre në zhvillimet politike e sociale të vendit me Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare siç e quanin ata, dhe nuk mund ta pranonin që një tjetër gjeneratë dhe kategorie socio-politike t’i njihej më shumë rol në shtetbërje. Në këtë mënyrë, edhe pas ndryshimit të regnimit në vitin 1991, sa herë në pushtet në Shqipëri janë të majtët, Pavarësia mbetet në hije dhe Çlirimi merr përparësi. Kështu ka ndodhur në Shqipëri prej 5 vitesh që kur ish-komunistët janë rikthyer në pushtet”, thotë Kola për Gazeta e Re.

Ai veçon festimet e fundit të mëdha të Pavarësisë të vitit 2012 kur edhe shënohej 100-vjetori i Pavarësisë.  Por vlerëson se qeveritë e majta akordojnë  fonde të mëdha për festimin e Ditës së Konferencës së Pezës me 16 shtator dhe Natës se Bardhë me 29 nëntor, se sa për Ditën e Pavarësisë.

“Një tjetër arsye themelore që parathotë zbehjen e mëtejshme të Festes së Pavarësisë është edhe liberalizimi dhe orientimi gjithnjë e më kozmopolit, jonacionalist i mënyrës së jetesës në vend. Krahas festave tradicionale, tashmë shqiptarët festojnë me intensitet festën krejt të huaj të Halloween-it, Shën Valentinit apo festat pagane si Dita e Verës e Nata e Bardhë që organizohet nga Bashkia e Tiranës etj. Këto celebrime shpesh imponohen nga institucionet shtetërore, veçanërisht në institucionet e Edukimit. Së fundi, shqiptarët janë gjithnjë e më të zhgënjyer nga mënyra si është drejtuar vendi dhe mungesa e perspektivës së jetesës në vend. Një popull i tillë nuk mund të jetë krenar për përvjetorët dhe simbolikën kombëtare të vendit të tij të dështuar. Pjesa më e madhe e shqiptarëve (56% sipas një studimi të fundit) duan të largohen nga vendi dhe duket se në Shqipëri jetojnë vetëm qeveritare të korruptuar dhe të kriminalizuar, oligarkë dhe njerëzit që s’kanë mundësi të ikin”, shton Kola.

E njohësi i çështjeve politike në Kosovë Fadil Lepaja, konsideron se nuk vërehet ndonjë zbehje e Festës së Pavarësisë. “Unë mendoj se festa e flamurit është një nga shtyllat e identitetit dhe shqiptarët kudo që janë e festojnë atë pavarësisht identitetit shtetëror apo fetar. Në popull nuk do të ketë zbehje por edhe në institucione dhe ndërmarrje publike do të jetë festë”, potencon Lepaja.

Edhe për shqiptarët e Maqedonisë  nuk ka festë tjetër të flamurit, pos asaj të 28 nëntorit. Gazetari Fitim Kryeziu thotë për Gazeta  e Re se atmosfera festive e nëntorit ka filluar. “Nuk po mendoj që ka filluar të zbehet rëndësia e Festës së 28 nëntorit, së paku po nisem nga prizmi i shqiptarëve të Maqedonisë, ku për këtë festë ka një interesim të jashtëzakonshëm duke filluar që nga fëmijët, të cilët ne klasat e ulëta i thurin këngë e poezi kësaj feste, e më pas edhe festohet në sheshin “Skënderbeu” dhe në institucione të ndryshme. Por sado që vendet tona të marrin orientimin dhe rrugën e europianizimit kjo festë tek shqiptarët ka rëndësinë e vet, dhe rëndësia për të nuk guxon të humbet. Ne shqiptarët nuk kemi festë tjetër të ndonjë flamuri tjetër, shqiptarët e Maqedonisë nuk kemi flamur tjetër”, përfundon Kryeziu.

Kujtojmë që sot në Korçë është duke u mbajtur takimi mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë në Kosovë. Deri tani këto dy qeveri janë takuar gjithsej tri herë. Takimi i parë ishte mbajtur në Prizren në vitin 2014, i dyti në Tiranë në vitin 2015, ndërsa i treti në  Prishtinë në 2016. Deri më tani gjithsej janë nënshkruar 11 marrëveshje mes Kosovës e Shqipërisë, dhe atë kryesisht në fushën e ekonomisë, drejtësisë, sigurisë dhe në fusha të tjera. /Arbenita Bungu/Gazetaere.com

Kategoritë
Lajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet