Peterle: Reforma zgjedhore, një hap drejt BE-së

Dobësi të kahershme të procesit zgjedhor në Kosovë duhet të adresohen mjaftueshëm, derisa reforma zgjedhore mbetet hap tejet i rëndësishëm në rrugën e integrimit.

Kështu deklaroi sot në një konferencë për media shefi i Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian, Alojz Peterle,  me rastin e prezantimit të   Raportit Final mbi zgjedhjet lokale të 22 tetorit të vitit të kaluar. Teksa u tha se zgjedhjet e fundit ishin konkurruese në pjesën më të madhe të komunave në Kosovë, përveç atyre me shumicë serbe ku fushata u shëmtua nga frikësimet.

Nga ky raport i cili përmban një vlerësim të gjithë procesit zgjedhor, ofrohen 22 rekomandime për përmirësimin e proceseve të ardhshme zgjedhore në Kosovë.

Ndërkaq, Peterle bëri të ditur se BE do të mbështes Kosovën në mënyrë që të çojë këtë reformën zgjedhore përpara.

Peterle: BE do të mbështesë Kosovën me ndihmë zgjedhore dhe financiare

“Reforma zgjedhore është vetëm një prej gurthemeleve në rrugën drejt BE-së, por në mënyrë të konsiderueshme do të përmirësojë kredibilitetin në BE. BE do të angazhohet në periudhat vijuese gjatë periudhave ndërmjet zgjedhjeve, dhe është e gatshme të japë ofrojë ndihmë zgjedhore dhe mbështetje financiare me fokus në implementimin e rekomandimeve të Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve dhe rekomandimet tjera që do t’i avanconin reformat zgjedhore dhe demokratike në Kosovë”, theksoi ai.

Peterle theksoi se nevojitet vullnet politik nga i gjithë spektri politik për të adresuar rekomandimet duke përfshirë ato me prioritet të cilat përmbajnë përmirësime në listën e votuesve, mbikëqyrje më të mirë mbi shpenzimet e fushatës, kujdes të shtuar në sistemin e votimit jashtë shtetit, dhe rritje të pjesëmarrjes së grave në procesin zgjedhor.

Ai tha se duhet të zbatohet deklarata e partive politike e cila garanton pjesëmarrjen e grave prej 40 përqind në procesin zgjedhor.

Sipas tij, zgjedhjet nuk përfshijnë vetëm ditën e zgjedhjeve, por tërë procesin zgjedhor brenda ciklit zgjedhor, prandaj siç tha ai, tash është koha më e mirë për të vepruar në mënyrë që çështjet të jenë të zgjidhura kur të afrohen zgjedhjet.

Peterle: Duhet të adresohen dobësitë e kahershme të procesit zgjedhor

“Dobësi të kahershme të procesit zgjedhor në Kosovë duhet të adresohen mjaftueshëm. Për shembull çështjet lidhur me regjistrin e votuesve, trajnimin dhe profesionalizimin e këshilleve të vendvotimeve, mangësitë në sistemin e votimit jashtë Kosovës, stimulimin e kufizuar për ndjekje penale të aktiviteteve penale që lidhen me zgjedhjet, mungesën e mekanizmave efektiv për kërkesat për financimin e fushatës dhe rregullimin e programeve të sponzorizuara”, tha ai.

Ai tha se duhet të bëhet pastrimi i listave nga personat e vdekur, të krijohet një sistem unik i adresave për qendrat e votimit që qytetarët të votojnë në qendrën më të afërt.

Ndërsa për votimin me postë tha se duhet rishikuar mënyra e votimit dhe verifikohet procesi pasi që sipas tij, në zgjedhjet e fundit janë vërejtur mashtrime të mëdha.

Krejt në fund, Peterle duke aluduar në ardhjen e presidentit slloven në Kosovë, Borut Pahor, tha se nuk ndjehet xheloz që vëmendje më e madhe po i kushtohet ardhjes së tij sesa çështjes që po diskutohej aty.

Ndryshe, Misioni Vëzhgues i Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian do të organizojë tryezë të rrumbullakët për të diskutuar rekomandimet dhe sugjerimet e deritashme në mënyrë që të zhvillohet një plan veprimi mbi përmirësimin e procesit zgjedhor.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet