Përzgjidhen 15 këngë për edicionin e 29 të festivalit “Zambaku i Prizrenit 2017”

Përmes një njoftimi për media organizatori i festivalit “Zambaku i Prizrenit” studio Helix, njofton se juria në përbërje: Xhevdet Gashi, Besnik Krajku, Krist Lekaj dhe Osman Goranci (për tekst), ka përzgjedhur  këngët që do të jenë pjesë e edicionit të 29 të festivalit të këngës së vjetër qytetare “Zambaku i Prizrenit 2017”

Drejtori i Studio Helix, Istref Krasniqi njofton se pas organizimit të suksesshëm të edicionit të vitit të kaluar të “Zambakut të Prizrenit”, këtë vit interesimi i kompozitorëve për pjesëmarrje në edicionin e 29 ka qenë shumë i madh.

“Organizimi i suksesshëm i edicionit të kaluar nga Studio Helix ia ka kthyer namin festivalit dhe këtë vit në adresën tonë kanë ardhur 25 këngë, nga të cilat juria ka përzgjedhur 15 këngë. Juria e ka përzgjedhur një këngë më shumë këtë vit, sepse tradicionalisht në festival paraqiten 14 këngë. E kemi bërë këtë përjashtim sepse kompozimet që kanë arritur janë me vlera të mirëfillta të natyrës së festivalit” shprehet Krasniqi.

Krasniqi i falënderon të gjithë kompozitorët për pjesëmarrje dhe shpreh keqardhje që rregullat e festivalit kërkojnë numër të caktuar të këngëve.

“Edhe këngët që kanë mbetur jashtë edicionit të 29 kanë vlera, por juria ka përzgjedhur kompozimet më të mira” tha Krasniqi.

Krasniqi shprehet i bindur se festivalit “Zambaku i Prizrenit” po i kthehet rëndësia që e kishte, prandaj, edhe për faktin se vitin e ardhshëm është edicioni jubilar i 30, do t’i propozoj Kuvendit Komunal që “Zambaku i Prizrenit” të mbahet dy netë.

“Sivjet “Zambaku i Prizrenit” do të jetë edhe më cilësor dhe vitin e ardhshëm presim interesim edhe më të madh të kompozitorëve, prandaj ky festival e meriton që të rritet dhe vitin e ardhshëm të mbahet për dy net” shprehet i bindur Krasniqi.

Krasniqi njofton se edhe për festivalin “Fluturat” dhe Rrock live, kanë arritur kompozime të mirëfillta dhe janë përzgjedhur këngët.

Edicioni i 29 i festivalit “Zambaku i Prizrenit”, edicioni i 19 i festivalit Fluturat dhe Rrock live do të mbahet në fund të muajit shtator./R.B/Gazetaere.com/

 

Këngët e përzgjedhura për edicionin e 29 të festivalit “Zambaku i Prizrenit”

  1. Lum Halabaku me këngën “Shpresë”
  2. Gjergj Kaqinari me këngën “Shekëlqimi në bar”
  3. “Besim Berisha me këngën “Balada me numër X”
  4. Tomor Berisha me këngën “O Zambak lule në parajsë”
  5. Arsim Kryeziu me këngën “Vitet po kalojnë”
  6. Menan Kiseri me këngën “Kujtimet e rinisë”
  7. Nexhat Rexha me këngën “Trëndafilin une e zgjodha”
  8. Gazmend Kraja me këngën “Zambaku e lulebora”
  9. Ylli Kalaja me këngën “Sytë e zi vetull gjilpanë”
  10. Nexhat Macula me këngën “ “Loti”
  11. Ylli Ramzoti me këngën “Peisazh pranveror”
  12. Artan Bakija me këngën “Elegji për dashurinë”
  13. Shefqet Hoxha me këngën “Gradu ljubavi” (Qyteti i dashurisë)
  14. Hysein Kazaz me këngën “Ugurlar Olsun”
  15. Edon Ramadani me këngën “Violina e vjetër”
Kategoritë
Kulturë

Të ngjajshmet