Përse politikanët nuk po e përmendin liberalizimin e vizave?

Fushata e parakohshme, e zgjedhjeve po ashtu të parakohshme, ka filluar me aktivitete të ngjeshura të të gjitha partive. Njohësit e zhvillimeve politike po bëjnë thirrje që politikanët të mos shpenzojnë energji në akuza të ndërsjella, por të përpiqen që sa më mirë ta shpjegojnë programin e tyre politik, ofertë kjo që do të ishte në interes të të gjithë qytetarëve – shkruan Gazeta e Re.

Fushata e viteve të kaluara janë shquar ndër të tjera, edhe për disa premtime të mëdha. Për shembull, liberalizimi i vizave ka qenë ndër top ofertat, pastaj luftimi i krimit të organizuar, korrupsionit e nepotizmit. Ndryshe prej herëve të tjera, ajo që po e karakterizon më shumë këtë fushatë, janë jo premtimet megalomane, por akuzat e ndërsjella që politikanët po hedhin njëri tjetri. Por çka i ka detyruar politikanët të mos e kenë gojën plot me premtime të mëdha?

  1. Problemi kryesor: Krimi i organizuar, korrupsioni dhe nepotizmi

Ndonëse vendi ka vite që ka nisur përpjekjet për t’i plotësuar kushtet për liberalizim të vizave, dhe ndonëse pjesa më e madhe e standardeve veç është arritur, prapëseprapë kemi mbetur të izoluar. Një ndër kriteret që ka mbetur i paplotësuar, e i cili është përmendur sa herë që zyrtarët e huaj kanë ardhur për vizitë në Kosovë, është: lufta ndaj krimit të organizuar, korrupsionit dhe nepotizmit. Në këtë pikë, qeveritë e deritanishme kanë dështuar ta mbështesin sistemin e drejtësisë, dhe mekanizmat relevantë, e për rrjedhojë ka pasur edhe mungesë të efikasitetit. Për më shumë, pushtetarët e deridjeshëm janë akuzuar se ata vet më shumë kanë kontribuar në atë që në diskursin publik ka hyrë si: ‘kapje e shtetit’.

Sipas raportit ‘Vlerësimi i korrupsionit në Kosovë’, i cili është financuar na BE, ndërsa është përgatitur nga: Enisa Serhati, Fatos Hoxha, Alban Hashani, Lumir Abdixhiku, Gent Beqiri dhe Alban Zogaj, ndër të tjera rekomandohet që:

«Rekomandimi kryesor i cili rrjedh nga ky raport është nevoja urgjente për angazhimin me prioritet të luftës kundër korrupsionit nga të gjithë akterët relevantë. Nevoja për një strategji gjithëpërfshirëse, e cila do të zbatohet dhe jo vetëm të hartohet për të përmbushur kërkesë për integrimin në BE, është me rëndësi të madhe».

Kjo luftë, sipas tyre, duhet të nisë që nga qytetari i thjeshtë i cili duhet të mësohet me kulturën e raportimit të korrupsionit, e deri te zyrtari më i lartë i shtetit.

  1. Liberalizimi i vizave, një premtim i shpenzuar

Një arsye tjetër është se shumica e subjekteve që kanë qenë pjesë e pushteteve të deritanishme, kartën e liberalizimit e kanë shfrytëzuar aq shumë, sa që tash, askush nuk iu beson. Pikërisht për këtë shumica e qytetarëve, që janë edhe votues potencialë, mendojnë që kjo kartë është djegur nga vet partitë politike. Qytetarët «e kanë humbur besimin ndaj partive që bëjnë premtime të tilla» thotë qytetari B. Xhakalija. Të një mendimi me të janë plotë të tjerë.

Ç’është e vërteta, pa përjashtim, të gjitha partitë, madje edhe ato që deri dje ishin pjesë e opozitës, e kanë lënë jashtë fjalorit politik çështjen e liberalizimit. Duket që askush prej tyre nuk ka më guxim ta rikthejë në diskursin politik të fushatës zgjedhore një premtim të tillë.

Duke e komentuar këtë prirje, mbase strategjike, Demush Shasha nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), për Radio Evropa e Lirë ka thënë se partitë nuk janë më të sigurta se do t’ia dalin ta përmbushin kriterin themelor për liberalizim – luftën ndaj korrupsionit:

«Tani, në një kontekst të tillë, politikanët e kanë parë që, në mungesë të rezultateve kundër korrupsionit të nivelit të lartë, nuk do të ketë liberalizim të vizave, rrjedhimisht tashmë nuk e përdorin liberalizimin e vizave si premtim elektoral. Në veçanti, duke pasur parasysh faktet, që gjatë vitit 2019 nuk ka gjasa të ndodhë liberalizimi, ndërkaq që për vitin 2020 është një pikëpyetje e madhe».

Kohë ka mjaft, sidomos edhe për të kërkuar llogari pse ky premtim nuk është plotësuar deri më sot. Fushata zyrtarisht fillon më 24 shtator dhe përfundon më 4 tetor, por asnjëra nga subjektet që i është futur kësaj gare, nuk është duke e pritur këtë periudhë të përcaktuar nga vet KQZ.

  1. Kush premtoi i fundit dhe nuk e përmbushi këtë premtim?

Liberalizimi i vizave është një çështje që iu intereson të gjithëve – thonë analistët, por çështja është se kush do të guxojë të zotohet që mund ta zhbllokojë vendin nga izolimi disa dekadësh? I fundit që guxoi ta shfrytëzonte jo vetëm gjatë fushatës zgjedhore, por edhe t’i uronte qytetarët për liberalizim të vizave pasi e fitoi mandatin e të parit të qeverisë, është vet Ramush Haradinaj, tashmë kryeministër në ikje.  Ka qenë muaj maj, ku me rastin e pjesëmarrjes në Samitin e Berlinit, ai pat thënë:

«Ministri i Brendshëm i Gjermanisë më ka konfirmuar se kanë qëndrim dhe na kanë dhënë “PO” për liberalizimin e vizave. Ky është vendimi i Gjermanisë i cili ka peshë dhe ka kërkuar nga personat përgjegjës që të fillojë menjëherë me procedurat. Urime liberalizimi i vizave, dëshiroj të ju them se është një gjë e sigurt, më nuk ka dilema, e dini që ka pasur dilema edhe për Ushtrinë e Kosovës, por tani e kemi».

Këtë premtim të tij, ai e ka lënë me një anë. Nuk ka guxuar deri sot as ta kujtojë, por as nuk i ka shkuar ndërmend të kërkojë ndjesë që nuk ia ka dalë ta përmbushë premtimin e dhënë – thonë ata që e kanë vërejtur këtë mungesë në listën e premtimeve. Por përpos tij, as kandidatët e tjerë për pozitën e kryeministrit, nuk e kanë çelur gojën e të thonë ndonjë llaf në këtë drejtim. Më të lehtësuar ndër të gjithë, mbeten ata që nuk kanë qenë pjesë e pushtetit. Por kushedi, edhe këta duket që, më në fund, e kanë marrë një mësim nga e kaluara./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet