Përplasje ballkanike

Idetë që çojnë në ndryshim të kufijve, shkëmbim territoreve etj, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, po vijojnë të cilësohen si të rrezikshme nga një pjesë e akterve politikë vendorë e të huaj. Pjesa tjetër, ndërkaq, këmbëngulë që momenti për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet palëve ka ardhur dhe se nuk duhet humbur kohë, ndërsa efektet e marrëveshjes, nuk mund të jenë aq të rrezikshme, sa ç’po predikojnë pala kundërshtuese  – shkruan Gazeta e Re.

Qe Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ai i cili vitin e kaluar e përdori termin “luftë”, duke e ashpërsuar kështu diskursin politik,  që për kryetemë kishte kufirin me Serbinë dhe arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet dy shteteve. Ideatorëve të lëvizjes së kufijve, Kryeministri Haradinaj, ua pat kujtuar se ata janë vendosur me luftë dhe se “veç lufta i luan. Kush kujton se kufijtë luhen ndryshe, është gabim”. Me këto deklarata “të forta”, kryeministri i pat çuar selame, në rend të parë Presidentit Hashim Thaçi, i cili i pari i pat promovuar këto ide. Muaj më vonë, raportet e tensionuara ndërmjet zyrtarëve më të lartë shtetëror të Republikës së Kosovës, sikur u zbutën, ndonëse vizionet e tyre për sa i përket epilogut të dialogut, vazhdojnë të kenë pamje të ndryshme.

Por diskutimet kanë pasur një efekt zinxhiror në tërë Ballkanin, meqë hedhje-pritjet ndërmjet politikanëve serbë e shqiptarë, i kanë provokuar edhe ata të vendeve të tjera. Para disa ditësh, Kryeministrja Serbe Ana Brnabić duke e komentuar situatën e krijuar pas vënies së taksës nga ana e Kosovës për mallrat serbe e boshnjake, ka thënë se ajo nuk sheh kurrfarë gatishmërie për kompromise nga pala kosovare. Taksa për mallrat serbe e boshnjake, krijimi i ushtrisë, si dhe heqja e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, e kanë zhvendosur dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pesëdhjetë hapa prapa – parafrazohet ajo nga agjencia serbe e lajmeve Tanjug. Me këtë, kryeministrja serbe, ka lënë të nënkuptohet se pala serbe, është pala e gatshme për zgjidhjen e çështjes, ndërsa pala shqiptare, është ajo që nuk po jep shenja gatishmërie për kompromise, e rrjedhimisht as për arritjen e një marrëveshjeje finale.

Letrave të Presidentit të ShBA-së Donald Trump, të dërguara për presidentët e Kosovës, përkatësisht Serbisë, u kanë paraprirë thirrjet e shumta të zyrtarëve të BE-së që dialogu ndërmjet palëve të vazhdojë, pa çka që duket sikur janë hedhur disa hapa prapa.

Temës Kosovë-Serbi, nuk i kanë shpëtuar as disa zyrtarë të tjerë ballkanik. Dhe ishte përsëri Brnabibc ajo që i nxiti ata që të përfshiheshin. Ajo qe protagoniste edhe e një dueli tjetër, në distancë, i cili erdhi si shkak i deklaratës se meqë është duke u diskutuar për kufij, “si është e mundur që kjo të vlejë vetëm për disa, e jo edhe për Republikën Sërbska?”. Një kundërpërgjigje e rrufeshme erdhi nga Anëtari i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës Zhelko Komshiq, i cili është shprehur i bindur se: “Kufijtë e Bosnje e Hercegovinës nuk mund të kontestohen në asnjë mënyrë, pavarësisht asaj se çka ndodh ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Pse dikush mendon që politika e viteve të 90-ta tani mund të japë rezultate të tjera?”

Për më shumë Komshiq citohet të ketë thënë se, tash ish dashur të diskutohet për mënyrat e bashkëpunimit dhe integrimit të përbashkët në BE dhe stabilizimit të rajonit, serbët po përpiqen të tërheqin paralele totalisht të paqëndrueshme ndërmjet BH dhe Kosovës. I një mendje ka qenë edhe anëtari tjetër boshnjak Shefik Xhaferoviq, i cili konsideron se çfarëdo hapi që çon drejt këtyre ndryshimeve, do të ketë një efekt zinxhiror  në tërë Ballkanin.

Zërat se shqiptarët janë duke i hedhur themelet e një Shqipërie të Madhe, në kampin serb, veç janë duke u shtuar, por këta po interpretohen në kuadër të një gjuhe populiste, përkatësisht manipuluese edhe në raport me opinionin publik serb. Megjithatë, shndërrimi i FSK-së në ushtri të mirëfilltë – është akt i pakthyeshëm për serbët, ndryshe nga ai i vendosjes së taksës, e cila që në krye të herës, është shoqëruar me disa kushte për Serbinë. Me fjalë të tjera, vendimi për taksën mund të hiqet, po qe se Serbia zotohet për përmbushjen e disa kushteve dhe heqjen dorë nga qasja destruktive ndaj politikave integruese të Kosovës.

Se taksa është një vendim pa jetë të gjatë, e konfirmon edhe Presidenti Thaçi. Së fundi, duke i ri-artikuluar thirrjet e tij për ShBA-në (që ajo të shndërrohet në ndërmjetësuese dhe garantuese e marrëveshjes finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë), ai  është shprehur se: “Kosova është gati të shqyrtojë heqjen e taksës për produktet serbe nëse Kosovës i jepet një rrugë e qartë drejt arritjes së një marrëveshjeje finale paqësore me Serbinë.” Nën udhëheqjen e ShBA-ve, sipas presidentit, gjasat që ndërmjet palëve të arrihet një marrëveshje përfundimtare, e pranueshme për të dy palët, do të jenë më të mëdha. Fundja, sipas tij, “kjo është një detyrë historike”. /Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet