“Përmirësimi i ligjeve ndryshon klimën e rëndë të të bërit biznes në Kosovë”

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) është duke punuar vazhdimisht në mënyrë që kërkesat e bizneseve të adresohen në institucionet kompetente, kjo pasi klima e të bërit biznes në Kosovë nuk është e kënaqshme.

Kështu u tha në takimin e realizuar sot nga përfaqësues të OAK-së me drejtoreshën e Departamentit të Tregtisë në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Sytrime Dervisholli.

Qëllim i këtij takimi ishte marrja e informatave të detajuara nga kërkesat, të cilat bizneset anëtare kanë adresuar paraprakisht tek OAK, e që njëkohësisht janë edhe preokupimi kryesor i tyre.

Kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës Skënder Krasniqi tha se bizneset kanë mungesë të informacionit në lidhje me atë që është nënshkruar përmes Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) dhe vazhdimisht po kërkojnë informata për lehtësirat dhe kufizimet që vijnë si rrjedhojë e saj.

Një nga rastet konkrete që u shpreh në takim u theksua edhe kufizimi që është bërë nga ana e MSA-së në eksportin e peshkut në vendet e BE-së .

Ndër të tjera, Krasniqi shprehu edhe shqetësimin e bizneseve për dhënien e lejeve nga institucionet vendore pa bërë paraprakisht analizën e tregut.

Dervisholli u shpreh e hapur që t’i informojë bizneset për çdo paqartësi të cilën ata kanë në lidhje me MSA dhe kërkesat tjera, e cila është përgjegjësi e departamentit që ajo e udhëheq.

Ajo gjithashtu shtoi që në momentin kur janë hartuar këto kufizime, MTI është kujdesur që të vendosë kufizime më të larta dhe ka të drejtë të kërkojë rritjen e kufizimit ashtu që bizneset të mos kenë nevojë të paguajnë tarifë.

Ndërsa për çështjen e lejeve të punës, Dervisholli tha se janë duke punuar në Ligjin për Tregti të Brendshme kjo pasi ligji aktual është nga viti 2004, dhe  pavarësisht ndryshim-plotësimit të tij në vitin 2010, prapë nuk i rregullon çështjet e lejeve të punës. Sipas saj ky ligj pritet të aprovohet në tremujorin e parë të vitit 2019.

Në fund të këtij takimi palët u pajtuan për realizim të aktiviteteve të përbashkëta në mënyrë që të jenë sa më afër bizneseve dhe të ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e bizneseve dhe vendit.

Kategoritë
Ekonomi

Të ngjajshmet