Përmes “normalizimit” deri te kontrolli mbi proceset politike në Ballkan

Kosova si “vendi më i ri në Evropë”, që pas vetes la luftën që ndodhi në fund të viteve të 90-ta, ende përballet me probleme të ndryshme në formimin e shtetësisë.

ADMIR FAZLAGIQ

Shpërbërja e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ) dhe mëvetësimi i shteteve të saj që vijoi më pas në vitet e hershme të nëntëdhejta në sipërfaqe nxorrën shumë çështje të hapura, të cilat ende janë të pazgjidhura në hapësirën ballkanike, ndërsa prej të cilave, aktorët ndërkombëtare tentojnë në të gjitha mënyrat e mundshme të realizojnë dobi prej tyre.

Çështje të hapura

Gjatë viteve të fundit në opinion u bë gjerë e njohur se në Ballkan ekzistojnë tri çështje të hapura për të cilët bashkësia ndërkombëtare tregoi interesim të madh që të zgjidhen. Ajo është kontesti për emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë i cili u zgjidh pas pothuajse tre dekadash, pasi në vitin 2018 u nënshkrua Marrëveshja e Prespës me të cilën Maqedonia ndryshoi emrin kushtetues në Republika e Maqedonisë së Veriut. Çështja e dytë e hapur është dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa e treta është çështja e mosfunksionalitetit të Bosnjë e Hercegovinës, gjegjësisht rregullimi shtetëror i këtij vendi i cili pas luftës ka dy entitete, federata dhe Republika Sërpska.

Pasi u zgjidh kontesti mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, “topi” u hodh tek kontesti “Kosovë-Serbi. Pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë nga Serbia më 17 shkurt të vitit 2008, Kosova si “vendi më i ri në Evropë”, që pas vetes la luftën që ndodhi në fund të viteve të 90-ta, ende përballet me probleme të ndryshme në formimin e shtetësisë.

Me qëllim të fillimit të procesit të zgjidhjes së kontestit mes Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel në vitin 2013 filloi procesi i mbajtjes së bisedimeve për dialog mes dy shteteve. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, gjegjësisht Prishtinës dhe Beogradit, që me ndërmjetësim të BE-së mbahej në Bruksel, u ndërpre në nëntor të vitit 2018 kur Qeveria e Kosovës vendosi taksë prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe BeH-së, e cila më pas u hoq nën trysni të madhe mbi krerët kosovarë nga ana e vendeve kryesore të BE-së dhe SHBA-ve.

Pas 20 muajsh pauzë, dialogu vazhdoi në korrik të këtij viti në Bruksel, kur më 16 korrik u mbajt takimi i parë i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç me ndërmjetësim të BE-së.

Hije mbi dialogun hodhi aktakuza e Prokurorisë Speciale në Hagë, e cila kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi ngriti aktakuzë për krime lufte.

Megjithatë, pas këtyre ngjarjeve më 4 shtator në Washington, me ndërmjetësim të SHBA-ve dhe pjesëmarrjes personale të presidentit amerikan Donald Trump, Serbia dhe Kosova arritën marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, që u karakterizua si “historike”.

Firmosja e kësaj marrëveshje për opinionin e ekspertëve, por edhe atë më të gjerë ishte njëfarë befasie, meqë gjatë viteve të fundit BE-ja ishte ajo nën sponsorisim të së cilës zhvilloheshin bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës zyrtare, ndërsa gjatë kohës së fundit për këtë çështje interesim tregoi edhe SHBA e cila emëroi përfaqësues special për dialogun Kosovë-Serbi.

Nëse kjo marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve do të kontribuojë që Serbia ta njohë Kosovën apo do të mbetet vetëm “fjalë në letër” dhe nëse kjo është një marrëveshje prej së cilës dobi do të kenë vendet e bashkësisë ndërkombëtare të cilat në zgjidhjen e kësaj çështjeje shikojnë të nxjerrin dobi, ishin vetëm disa nga çështjet që hapën “Kutinë e Pandorës”.

Fillimisht, logjikisht shtrohet pyetja çka me të vërtetë nënkuptohet me “normalizimin” e marrëdhënieve ekonomike mes Serbisë dhe Kosovës? A do të thotë kjo se SHBA-të e marrin rolin kryesor nga BE-ja në kontrollin e proceseve në dialogun mes Serbisë dhe Kosovës?

Vëmendje të veçantë tërhoqi fakti se edhe në vet ceremoninë e firmosjes së marrëveshjes, presidenti amerikan Trump bëri të ditur se Serbia do ta zhvendosë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Kuds ndërsa Kosova dhe Izraeli do t’i normalizojnë marrëdhëniet e tyre dhe do të vendosin marrëdhënie diplomatike.

Në fakt, nëse shikohen efektet e Marrëveshjes për “normalizim” të marrëdhënieve ekonomike midis Serbisë dhe Kosovës, del se më së shumti dobi ka Izraeli e cila fitoi njohje nga Kosova ndërsa Serbia do ta zhvendosë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Kuds, që është një ide për të cilën angazhohet administrata e Trumpit. Prej këtu shtrohet pyetja nëse Trump i keqpërdor marrëdhëniet e Serbisë dhe Kosovës, me qëllim të arritjes së interesave të tij?.

Mes tjerash, për nismat që përmenden në marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve ekonomike midis Serbisë dhe Kosovës flitet për ide për të cilat është biseduar në janar, por ende mbeten shumë paqartësi nga marrëveshja lidhur me ekonominë, siç janë detyrimet financiare të palëve në marrëveshje, por nga të gjitha gjërat e theksuara, si më tepër në sipërfaqe dolën interesat e SHBA-ve dhe ‘win-win’ pozita fituese e Izraelit.

Në kuadër të kësaj vlen të përmendet edhe deklarata e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu i cili pas marrëveshjes së Beogradit dhe Prishtinës deklaroi se “Kosova do të jetë vendi i parë me shumicë muslimane që do të hapë ambasadë në Kuds”.

Dilema dhe paqartësi që dalin nga “normalizimi i marrëdhënieve”

Lidhur me analizën më të thellë të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Serbisë dhe Kosovës, mbetet e paqartë nëse përmes një lloj normalizimi ekonomik të marrëdhënieve do të ketë një ndërlikim edhe më të madh të çështjes së dialogut Beograd – Prishtinë, duke pasur parasysh besimin e tyre të dëmtuar, por është gjithashtu e pasigurtë dhe e papërcaktuar se si kjo marrëveshje do të çojë në bisedime politike, përkatësisht njohjen reciproke të Kosovës dhe Serbisë, i cili është thelbi i problemit të tyre.

Midis shumë çështjeve që i hapi marrëveshja është nëse kjo marrëveshje ka vërtetë fuqinë për të ndryshuar diçka për të mirë në marrëdhëniet midis këtyre vendeve, apo është pjesë e fushatës zgjedhore të Trumpit për zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA?.

Nëse shikohet fotografia më e gjerë në skenën politike ndërkombëtare, vlen të merret parasysh edhe ajo nëse SHBA me ndërmjetësimin në marrëveshje synon të zvogëlojë ndikimin e faktorëve të tjerë ndërkombëtarë në rajonin e Ballkanit, veçanërisht Turqisë, e cila është e afërt me popujt ballkanikë me të cilët kultivon marrëdhënie të mira dhe ndikimi i të cilës në sferën e ekonomisë, mbrojtjes, kulturës është i dukshëm.

Në kontekstin e realizimit të ndikimit në skenën politike ndërkombëtare, vlen të përmendet deklarata e fundit e Trumpit i cili më 13 gusht njoftoi se Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) arritën marrëveshje për normalizim të plotë të marrëdhënieve. Rastësisht ose jo, edhe në këtë marrëveshje, fjala kryesore ishte normalizimi. Përsëri, pikëpyetja e madhe këtu është se çfarë nënkuptohet me atë normalizim dhe si do të reflektohet kjo marrëveshje në terren, duke pasur parasysh politikën agresive të Izraelit ndaj Palestinës, në anën e së cilës janë të gjitha aspektet e së drejtës ndërkombëtare.

Me këtë EBA u bë vendi i tretë arab që ka arritur marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin, pas Egjiptit në vitin 1979 dhe Jordanisë në vitin 1994.

Megjithatë, del se me këtë marrëveshje, EBA po marrin hap për zyrtarizimin e marrëdhënieve të saj të hapura dhe të fshehta me Izraelin. Një pjesë e opinionit të ekspertëve theksoi se nuk presin që EBA të arrijë shumë me këtë marrëveshje, sepse tashmë një kohë të gjatë marrin çfarë do lloj mbështetjeje nga SHBA dhe Izraeli.

Në mënyrë analogjike me këtë, mbetet e paqartë nëse në rastin e Serbisë dhe Kosovës, zyrtarizohen vetëm marrëdhënie të caktuara sekrete me SHBA-të, të cilat kohët e fundit kanë treguar interes për zgjidhjen e kësaj çështjeje, të cilën BE e ka avokuar shumë më intensivisht.

Pas shqyrtimit të të gjithë faktorëve të rëndësishëm që ndikojnë në zhvillimin aktual të situatës në Ballkan si dhe faktorëve që përcaktojnë perspektivat e situatës politike dhe ekonomike, veçanërisht përmes prizmit të çështjeve të hapura, konkludohet se aktorët kryesorë të bashkësisë ndërkombëtare pretendojnë të kenë kontrollin në duart e tyre përmes “normalizimit” të marrëdhënieve, në mënyrë që të kontrollojnë proceset në favor të tyre.


Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Kategoritë
OPINIONEOpinione - Ballina

Të ngjajshmet