Përleshjet vazhdojnë në Suwayda, forcat e sigurisë siriane vendosen për të zbatuar armëpushimin

Njësitë e sigurisë tashmë kanë filluar vendosjen e tyre brenda dhe përreth Suwayda-s për të zbatuar kushtet e armëpushimit dhe për të ndihmuar në stabilizimin e situatës

Përleshjet e armatosura vazhduan të shtunën midis luftëtarëve fisnor beduinë dhe grupeve të armatosura lokale në Suwayda të Sirisë, pavarësisht se forcat e sigurisë së brendshme filluan të vendosen në të gjithë provincën për të zbatuar një marrëveshje armëpushimi mbarëkombëtare, transmeton Anadolu.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve SANA, njësitë e sigurisë tashmë kanë filluar vendosjen e tyre brenda dhe përreth Suwayda-s për të zbatuar kushtet e armëpushimit dhe për të ndihmuar në stabilizimin e situatës.

Megjithatë, luftime intensive vazhdojnë në disa pjesë të provincës.

Më herët, presidenca siriane njoftoi një armëpushim gjithëpërfshirës dhe të menjëhershëm pas ditëve të trazirave në provincën jugore.

Më 13 korrik, shpërthyen përleshje midis fiseve arabe beduine dhe grupeve të armatosura druze në Suwayda. Dhuna u përshkallëzua dhe pasuan sulmet ajrore izraelite, duke përfshirë edhe pozicionet dhe infrastrukturën ushtarake siriane në kryeqytetin Damask.

Izraeli përmendi nevojën për të mbrojtur komunitetet druzë si pretekst për sulmet në tokën siriane.

Kategoritë
BotaLajme