Përgjigjja e mundshme e BE-së në pyetjen e Vuçiqit, e rëndësishme edhe për Kosovën

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, pas takimit të Këshillit të Lartë për Bashkëpunim, i themeluar për përmirësim raportesh Greqi-Serbi dhe i mbajtur në Selanik, tha se Serbia dëshiron të dijë se në cilin afat mund të hyjë në BE, kur të përmbushen të gjitha kushtet, pasi që me këtë njerëzit do të ishin të motivuar dhe reformat do të zbatoheshin më lehtë. Ai i bëri thirrje Bashkimit Evropian që qartë dhe hapur të thotë se çfarë pritet nga Serbia rreth çështjes së Kosovës – shkruan Gazeta e Re.

Seb Bytyçi, ligjërues në Universitetin e Winchesterit, pohon se, BE deri tash ka ndjekur politikën e ambiguitetit kreativ ose dykuptimësisë kreative, dhe se, vështirë do ta braktisë atë lloj politike.

“Mirëpo kjo politike ka hasur në probleme dhe nuk ka pasur shumë sukses. Ka lejuar që të ruhen iluzionet në Kosovë dhe Serbi duke u ndihmuar politikanëve të krijojnë edhe mite të reja. Rasti i asociacion/bashkësisë, tregon se, kjo politikë i ka limitet e veta. Ndërsa nga BE presim që t’ia thotë Beogradit se duhet ta njohë Kosovën”, shprehet Bytyçi.

Por, a mund të konsiderohet e nevojshme edhe për Kosovën kjo përgjigje nga ana e BE-së, pra që t’ia thotë troç BE-ja Serbisë se çfarë duhet të bëjë ajo karshi Kosovës, e të mos shkohet me dy-kuptimësi nga ana e BE-së për raportet Kosovë-Serbi?

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare Dimal Basha, në një prononcim dhënë për mediumin tonë, thekson se, njohja e Kosovës si shtet është kusht imperativë nëse Serbia kërkon të jetë pjesë e BE-së.

Sipas tij: “Bashkësia Evropiane nuk pranon më anëtarësim të shteteve me probleme që i ka sot Serbia dhe Kosova dhe prandaj kërkesa e Vuçiq është në njëfarë forme fillimi i përgatitjes të opinionit publik në Serbi për një njohje të tillë, përndryshe vet Vuçiq dhe administrata e tij e dinë mirë përgjigjen e kësaj pyetje”.

E, njohësi i çështjeve politike në vend Arben Rugova, tregon se, Serbia që nga vitit 1999, e dinë që nuk e ka më Kosovën, de-facto dhe de-jure, mirëpo, sipas tij, këtë të fundit, në aspektin juridik heziton ta pranojë meqë synon të nxjerrë sa më shumë të drejta për serbët kosovarë dhe fonde për vetveten.

“Beogradi zyrtar po ashtu ka provokuar, shantazhuar e sabotuar direkt dhe përmes pakicës serbe shtetin e Kosovës në vazhdimësi, edhe sot, me qëllim që të pengojë zhvillimin e tij normal, si dhe në një mënyrë t’iu dëshmojë perëndimorëve si përkrahës të shqiptarëve se “projekti” i tyre do të dështojë. Këtë qasje destruktive të politikës serbe e ka toleruar në vazhdimësi Bashkimi Evropian, duke përdorur standarde të dyfishta përballë Serbisë dhe Kosovës, me shpresë se kështu do të arrijë të joshë Beogradin zyrtar dhe të largojë ndikimin rus në Ballkan dhe varësinë e liderëve serbë prej Kremlinit! Mirëpo, kjo politikë burokratike e Bashkimit Evropian, politikë pa guxim dhe me ide të mjegullta, ka dështuar të “disiplinojë” Serbinë, e cila dihet botërisht se është shkaktare e të gjitha luftërave në ish-Jugosllavi”, deklaron Rugova.

Përveç provokimeve që Beogradi zyrtar vazhdon t’ia bëjë Kosovës, ai thotë se, “është shtuar qasja destabilizuese e Rusisë te disa vende fqinje të Serbisë, në veçanti në Maqedoni dhe Mal të Zi. Tashti presidenti serb Aleksandar Vuçiq po përpiqet të bëjë sikur është i gatshëm të merr disa hapa drejt njohjes së Kosovës, duke mos e quajt njohje, por duke e njohur të kaluarën e tij, unë dyshoj se ai, ashtu sikurse kanë vepruar edhe në të kaluarën liderët serbë, po përpiqet të vë në lajthitje Bashkimin Evropian dhe të përfitojë prej tij politikisht dhe ekonomikisht si gjoja lider i moderuar e pro-perëndimor”.

Ai nuk beson se, liderët e vendeve të Evropës Perëndimore do t’i besojnë Vuçiqit. Por, ai gjithashtu nuk pret prej tyre të jenë të drejtpërdrejtë dhe, “t’i kërkojnë Serbisë njohjen e Kosovës, ani pse disa zyrtarë të rangjeve të ulëta ia kanë bërë të ditur Beogradit zyrtar se integrimi në Bashkimin Evropian do të ndodhë vetëm pas njohjes së Kosovës. Sa i përket asaj se a duhet Prishtina zyrtare të kërkojë nga Bashkimi Evropian ndryshim të qasjes së deritashme, vlerësoj se e para që duhet bërë është që ajo t’ia ndryshoj qasjen vetvetes në raport me Brukselin dhe Beogradin. Qeveria kosovare duhet të ndryshojë formatin e bisedimeve në Bruksel, duhet të bisedojë vetëm për raportet ndërfqinjësore me Serbinë (jo për rregullimin e brendshëm të Kosovës); t’i ndërpres negociatat sa herë që Beogradi provokon sikur që ishte “rasti i trenit” dhe të kërkojë afatizimin e këtyre bisedimeve, pra të dihet kur do të marrin fund, pavarësisht a do të rezultojnë me njohje reciproke apo jo”.

Kujtojmë se Serbia në bisedimet për anëtarësim me BE-në ka edhe kapitullin 35, i cili ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe të “rregullojë dhe gjenerojë” rrugën evropiane të Serbisë./Fahrije Bajrami/Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet