Përfundon kuvendi zgjedhor i LRFP-së, Ismajl Ajeti zgjidhet anëtar i komitetit ekzekutiv të FFK-së

Ka përfunduar kuvendi zgjedhor i Lidhjes Rajonale të Futbollit të Prishtinës ku kryetari i saj, Ismajl Ajeti është zgjedhur anëtar i komitetit ekzekutiv të FFK-së.

Ismajl Ajeti u zgjodh në këtë kuvend si anëtar i komitetit ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës me shumicën e votave, por me disa tensione qysh në fillim të këtij kuvendi.

Ajeti pas zgjedhjes u shpreh se do të jetë një zë i fuqishëm i të gjitha shkollave dhe klubeve të Prishtinës në komitetit ekzekutiv të FFK-së, ku do ti shpalos të gjitha brengat si dhe nevojat tek organi më i lartë i FFK-së.

Ajeti: Do të jem zëri i fuqishëm i të gjitha shkollave, klubeve të Prishtinës

“Gjithçka ka qenë në rregull, delegatët kanë qenë prezent, vetëm një ka qenë kundër, absolutisht asnjë vërejtje tjetër delegatët tjerë nuk e kanë…E falënderoi kuvendin, Ismajl Ajeti anëtar i komitetit ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës për 4 vitet e ardhshme. Do të jem zëri i fuqishëm i të gjithë shkollave, të gjitha klubeve, pavarësisht se kush, çka, unë do të jem në Lidhjen Rajonale të Futbollit të Prishtinës, për të gjitha shkollat, klubet unik për çdo njërin. Absolutisht, ishte jurisiti anëtar i KE të FFK-së, Luan Vokshi, ai nuk përcaktoi asnjë vërejtje, asnjë delegat tjetër nuk e ka pasur në atë drejtim”, tha Ajeti

I pranishëm në këtë kuvend ishte edhe anëtar i tanishëm i KE, Luan Vokshi si përfaqësues i Federatës së Futbollit të Kosovës për ta vëzhguar këtë kuvend.

Ai deklaroi se ky kuvend ishte i rregullt dhe nuk kishte asnjë shkelje të statutit të FFK-së.

Vokshi: Kuvendi ishte i rregull, nuk ka pasur asnjë shkelje

“I përshëndes të gjithë delegatët që morën pjesë në këtë kuvend. Kuvendi ka qenë shumë i rregullt, nuk ka pasur vërejtje. Ka pas disa delegatë që kanë kundërshtuar vetëm një, ndërsa të tjerët kanë qenë unik, nuk kanë pasur vërejtje. Ndërsa në emër të Komitetit iu uroj kryetarit të porsazgjedhur kështu që nuk kam kurrfarë vërejtje në lidhje me mbajtjen e këtij kuvendi”, potencoi Vokshi.

Mirëpo ndryshe mendoi Fetah Veliu, delegat i këtij kuvendi, ku sipas tij u shkelën shumë norma statutore, duke filluar nga afati për thirrjen e këtij kuvendi e deri tek zgjedhja e Ajetit si anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së.

Veliu: Në këtë kuvend kishte shumë parregullsi

“Ishim në kuvendin zgjedhor të cilin e ka thirrur LRFP-ja, edhe këtu ne kemi pa që ka shkelje të normave statutare. Kemi kërkuar që për shkak të afateve, kanë shkuar jashtë afateve në thirrjen e kuvendit. Nuk është thirr kuvendi në afatin 20 ditë përpara, nuk është dërguar materiali për rendin e ditës 10 ditë përpara, gjithmonë ka qenë me vonesë tek delegatët, po ashtu tek rendi i ditës. Ne kërkuam të dinim rendin e ditës, Rendi i ditës është themi anashkaluar në bazë të statutit. Këtu nuk kemi ne mandatin e delegatëve. Delegatët nuk u thirrën me emra mbiemra se kush është prezent aty. Pastaj edhe nuk përcaktuan një rend të ditës për ta deleguar në kuvendin zgjedhor të delegatëve. Delegatët kanë mandatin 8 vjeçar në përfaqësimin e kuvendin qendror të delegatëve të Federatës”, deklaroi Veliu.

Ajeti u zgjodh si anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së në një mandat 4 vjeçar.

Kujtojmë që gjatë këtij kuvendi, KosovaPress u lejua të qëndronte vetëm 5 minutat e parë, për të përcjellë nga afër këtë kuvend

Kategoritë
Sport

Të ngjajshmet