“Përforcimet” e Lëvizjes Vetëvendosje

Subjektet të cilat nuk kanë guxim të garojnë të vetme në zgjedhjet e ardhshme, sipas njohësve të zhvillimeve politike, do të synojnë të bëhen pjesë e koalicioneve, të cilat mund edhe t’ua sigurojnë disa vende edhe në pushtet. Nga ana tjetër, ato që kanë më shumë vetëbesim, me shumë gjasë, do t’ia mësyjnë të vetmuara garës, gjë që po pëlqehet edhe nga elektorati – shkruan Gazeta e Re.

Çarjet u ekspozuan në dhjetor të 2017-tës. Qenë disa mesazhe, që atëbotë u takonin deputetëve të Vetëvendosjes, e që u bënë publike për opinionin, duke shkaktuar kështu një skandal të vërtetë. Saktësisht «e at m…» – një shprehje e ulët që e kishte përdorur Aida Dërguti, që nënkuptohej se aludonte në liderin e VV-së Albin Kurtin, paralajmëruan një varg daljesh nga ky subjekt.

U krijua përshtypja që kjo parti do të shembej njëherë e përgjithmonë. Por kohët e fundit, ajo duket që është rikuperuar shpejt. Ardhje të reja, i përkasin një kuadri të ri profesional, me të cilin subjekti në fjalë duket që e ka rikthyer energjinë, edhe njëherë, madje fuqimisht.

Prej emrave që i janë bashkuar subjektit në fjalë, spikasin edhe emra të rinj, sikurse edhe të njohur për opinionin publik. Prej atyre që tashmë kanë një bagazh politik, janë pa dyshim emrat si: Sabri Kiçmari e Shpëtim Bulliqi.

Kiçmari, i cili ka shërbyer si ambasador i Kosovës, në disa vende, si Austri, Australi e Zelandë të re. Qe i vetmi ambasador i cili i reagoi Kryeministrit në ikje Ramush Haradinaj, i cili në shtator të vitit të kaluar, i pat cilësuar ambasadorët si “qyqana”, duke i thënë se ai me këtë rast ka shfaqur paditurinë e tij.

Bulliqi, ndërkaq, ka qenë për një kohë të gjatë pjesë e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa “rebelizmi” i tij u shqua kur shfaqi pikëpamje të ndryshme në raport me ato që i thoshte shefi i tij i dikurshëm i partisë – Isa Mustafa.

Por VV-së i janë bashkuar edhe emra të cilët nuk e kanë provuar asnjëherë terrenin politik, siç janë Flamur Maloku e Fitim Uka, të dy profesorë universitarë.

Uka, që është 32 vjeç dhe i ka kryer studimet e doktoraturës, në fushën e psikologjisë, në Universitetin e Freiburgut në Gjermani ndërkaq studimet e post-doktoraturës në Universitetin e Illinois në ShBA, në faqen zyrtare të liderit të VV-së Albin Kurti, u prezantua si një kuadër i rrallë, prej të cilit pritet shumë.

Maloku, po ashtu profesor universitar, është rrekur e i pjekur në sistemin arsimor në Kosovë, përkatësisht në Tetovë (në Universitetin e Evropës Juglindore), dhe cilësohet një ndër emrat e brezave të rinj të studiuesve të letërsisë.

Muaj më parë, edhe një tjetër profesor universitar, është mirëpritur në VV. Bëhet fjalë për politikologun Donik Sallova. Biografia e tij, duket premtuese, ndërsa lëvizja pret me siguri shumë prej tij.

Por dyert e VV-së nuk i kanë gjetur të hapura edhe disa personalitete të njohura nga fusha e kulturës dhe shkencës. Poeti dhe shkrimtari Adem Gashi, regjisori Agim Sopi e fizikani Jahja Koka. Begraundi i të gjithë këtyre personaliteteve, duket që ka risjellë një siguri në radhët e VV-së, udhëheqësit e së cilës besojnë që do t’ia dalin t’i mundin të gjitha partitë garuese, në zgjedhjet e parakohshme që po trokasin./Gazetaere.com/  

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet