PDK-ja dhe shpresat për trenin e fundit

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka paralajmëruar se javët në vijim, do të ketë “befasi”, në vigjilje të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Një ndër subjektet më dominuese në dy dekadat e fundit, megjithatë, është duke e përjetuar një izolim raportesh me subjektet e tjera politike, izolim ky që do të tejkalohet shumë shpejt, sipas drejtuesve të saj – shkruan Gazeta e Re.

Subjektet e tjera politike, përveç reklamës që ua kanë bërë emrave të rinj të cilët kanë aderuar, kanë ndërmarrë edhe hapa konkret në drejtim të lidhjes së koalicioneve me partitë e tjera. Ndërkaq, shumica prej tyre kanë vënë vija të kuqe për PDK-në e Kadri Veselit. Ky i fundit, bashkë me kolegët e tjerë partiakë, beson që këto vija të kuqe nuk janë të patejkalueshme, e për rrjedhojë edhe nuk mund të merren seriozisht.

«Në secilin variant qoftë në koalicion, qoftë e vetme PDK-ja do të dalë fituese e zgjedhjeve» – është shprehur i bindur Xhavit Haliti për Zërin, nënkryetar i PDK-së. Sipas tij vetëm kjo ka rëndësi, ndërsa të tjerat «janë çështje kohe, çështje e marrëveshjeve të mundshme, por edhe nëse shkojmë vetë ne do t’i fitojmë zgjedhjet. Nuk kemi biseduar akoma me partitë politike, por besoj se do të ketë befasi të këndshme».

Metaforat e ‘vijave të kuqe’ sipas Halitit, sikurse edhe sipas shumë anëtarëve të tjerë të PDK-së, vija – të cilat i kanë vënë partitë e tjera ndaj kësaj të fundit, nuk është se duhet marrë me seriozitet. Ata shprehen të bindur që raportet e tilla pothuajse të ngrira, do të tejkalohen, madje pa ndonjë problem.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e madje edhe koalicioni i sapoformuar ndërmjet AAK-së dhe PSD-së (Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Social Demokrate), kanë shprehur qartë pozicionin e tyre për sa i përket raporteve me PDK-në. I vetmi subjekt që e ka lënë të hapur opsionin e bashkëpunimit me PDK-në është NISMA Socialdemokrate e Fatmir Limajt, e cila së fundi e zyrtarizoi koalicionin parazgjedhor me Aleancën Kosova e Re (AKR), e cila udhëhiqet nga Behxhet Pacolli.

Ky i fundit aktin e cilësoi si rrjedhojë të bashkëpunimeve të natyrshme ndërmjet partive në fjalë:

«E kemi mbyllur këtë mandat pa asnjë skandal dhe unë jam krenar me punën e bërë. Ne kemi pasur një bashkëpunim të mirë me Limajn, me ministrat e Nismës dhe kemi qenë një zë i punës së mirë , kemi dërguar gjithmonë mesazhe të mira nga qeveria dhe këtu tani nuk ekziston asnjë problem që do të fliste kundër punës sonë të përbashkët edhe në të ardhmen».

Në qendër të vëmendjes, në planet e këtij koalicioni do të jenë qytetarët e vendit sipas tij. Nga ana tjetër Fatmir Limaj, i cili u nominua si kandidat për kryeministër me këtë rast, për sa u përket bashkëpunimeve të mundshme me të tjerët, tregoi që koalicioni është krejt i hapur:

«Është një lajm që tregon që me këtë vendim që ne sot kemi marrë për të ndërtuar një bosht rreth se cilit presim të bashkohen edhe grupe tjera politike tregon urtësinë, seriozitetin dhe racionalitetin e këtyre zgjedhjeve».

Ata shprehën me këtë rast synimin e tyre në kuadër të garës zgjedhore, synim që nënkupton një ‘mes të artë’ të pozicionimit, i cili do t’ua garantonte frymën bashkëpunuese me të gjitha subjektet e tjera politike.  Pikërisht duke e lexuar këtë disponim për bashkëpunim ndërmjet koalicionit NISMA-AKR me të tjerët, PDK-ja është duke shpresuar në kapjen e “trenit të fundit”. Në qoftë se jo para zgjedhjeve, ajo shpreson në bashkëpunim pas shpalljes së rezultateve zgjedhore./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet