PDK dhe AAK thonë se janë gati për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nesër pritet të votojnë për t’i dhënë fund ose jo legjislaturës aktuale. Partitë politike janë deklaruar se duan zgjedhje të jashtëzakonshme dhe që do të votojnë pro shpërndarjes së Kuvendit.

Partia Demokratike e Kosovës thotë se janë koordinuar për veprimet që do të ndërmarrin në seancën e së enjtes, ku pritet të bëhet shpërndarja e Kuvendit të Kosovës, e që hap rrugën për shkuarjen e vendit në zgjedhje.

Deputetja Blerta Deliu-Kodra i ka thënë KosovaPress-it se si parti janë të dakorduar që nesër të votojnë për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

“Natyrisht jemi dakorduar i kemi dhënë nënshkrimet, nuk ka dilema aty, thirrja e seancës së 22 gushtit për këtë arsye është thirrur. Të gjitha partitë politike jemi dakorduar për këtë datë, fillimisht do votohet pika për fondet IPA, pastaj vjen pika për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës”, tha ajo.

Edhe në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës thonë se janë të gatshëm që nesër të vënë votën e tyre.

Dita e nesërme 22 gusht u caktua si datë në Kryesi të Kuvendit të Kosovës për shpërndarjen e Parlamentit, derisa tashmë janë dorëzuar nënshkrimet nga partitë e mëdha.

Seanca e nesërme pritet të fillojë në orën 10:00 ku si pikë e parë e rendit të ditës do të jetë shqyrtimi i projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes financiare për IPA 2018 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, ndërsa pika tjetër është votimi për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet