Patriotizmi zgjedhor i liderëve shqiptar

Sa herë që afrohen zgjedhjet, udhëheqësit shtetëror nxiten të japin deklarata për tema të ndjeshme që të kenë ndikim tek votuesit e tyre. Kështu mendojnë njohës të çështjeve politike në vend për deklaratat e fundit të udhëheqësve shtetëror të Kosovës e Shqipërisë.

Kryeministri shqiptar Edi Rama sot gjatë ditës ka deklaruar se ekziston mundësia e bashkimi të Shqipërisë me Kosovën në rast se nuk pranohen nga Bashkimi Evropian. Ndërsa, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, duke përkujtuar njërën nga masakrat e shtetit serb në Kosovë tha se populli dhe shteti i Kosovës asnjëherë nuk do t’i harrojë krimet e luftës dhe se shumë shpejt do ta padis Serbinë për gjenocid në Kosovë.

Sipas profesorit universitar Muhamet Kelmendi, si deklarata e Ramës ashtu edhe ajo e Thaçit janë thjesht propagandë. Edhe pse Kelmendi jep sqarime për mënyrat e kuptimit të këtyre deklaratave, ai prapë mendon se ato janë të karakterit politik

“Deklarata e kryeministrit të Shqipërisë zotit Edi Rama për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, në rast se nuk pranohen në unionin evropian mund të kuptohen në dy drejtime: 1. Si mjet i presionit mbi unionin evropian për të pranuar këto dy shtete (Kosovën dhe Shqipërinë) në unionin evropian dhe 2. Është ide e aspiratës kombëtare të popullit shqiptar në Ballkan për një shtet nacional. Thënia e Thaçit për ngritjen e një padie për një gjenocid ndaj Serbisë është me tepër deklaratë e karakterit politik, se sa një deklaratë të cilën Kosova mund ta bëjë. Kosova nuk është anëtare e OKB-së e prandaj nuk mund të paraqes as padi. Padinë mund ta bëjë vetëm Tirana. Është fakt se shqiptarët dhe vet Kosova kurrë nuk do ta harroj gjenocidin serbomadh. Këtu ka të drejtë zoti Thaçi. Por duhet të them se tash për tash si deklarata e zotit Rama, ashtu edhe deklarata e zotit Thaçi, janë deklarata tipike të karakterit politik”, ka thënë Kelmendi për Gazetën e Re.

Ai shtoi se nuk ka as edhe një veprim nga Tirana e Prishtina që qon kah bashkimi kombëtar dhe se nuk është përgatitur as padia për gjenocid ndaj Serbisë.

E për opinionisti Faton Mehmeti, deklarata e sotme e kryeministrit Rama për bashkim të Shqipërisë me Kosovën më tepër ka karakter të presionit ndaj BE-së për të inkuadruar Shqipërinë në gjirin e saj, se sa deklaratë serioze në interpretimin e saj të natyrës patriotike. Ai thotë se përveç deklaratës së Ramës as ajo e Thaçi për gjenocid nuk duhet të merren seriozisht.

“Duke njohur politikën e BE-së që Ballkani të jetë pjesë e sigurt e BE-së, Rama po e përdorë qëllimisht pikën më të ndjeshme të saj-sigurinë. Pra, Rama po përdorë bashkimin si gur që vret dy zogj, në anën tjetër shton presionin ndaj BE-së për të pranuar Shqipërinë si pjesë të saj dhe në anën tjetër përfiton simpatinë dhe rrjedhimisht votat e popullit shqiptarë, si lider i duhur i tyre. Ndërsa, deklaratat e Hashim Thaçit për të paditur Serbinë për gjenocid i ngjasojnë më tepër deklaratave populiste se sa ndonjë nisme serioze për një gjë të tillë, duke pasur parasysh rolin e tij të kufizuar si President i vendit, Thaçi po përdor temat e nxehta për t’u shpërfaqur si lider i Kosovës. Edhe deklaratat e Ramës edhe të Thaçit s’duhet të merren seriozisht”, deklaroi Mehmeti. Sipas tij, këto deklarata  janë thjesht retorika politike për interesa ditore, të pa kalkuluara mirë. Rrjedhimisht sipas Mehmetit, asgjë nuk pritet të dali nga këto.

Se udhëheqësit shtetëror në fjalë po përdorin deklarata të tilla vetëm sa për poena politik, mendon edhe njohësi i çështjeve politike në vend Islam Krasniqi. Ai thotë se edhe më herët janë dëgjuar këto deklarata mirëpo pa ndonjë rezultat.

“Deklaratat e dy krerëve të shtetit, Presidentit Thaçi dhe Kryeministrit shqiptar Rama janë deklarata të cilat jepen për fushata zgjedhore, sepse në dy shtetet shqiptare pritën zgjedhjet, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, dhe mundohen ti joshin votuesit. Këto deklarata janë dëgjuar edhe më herët, por pa asnjë veprim konkret, edhe pse kryeministri shqiptar shpesh herë ka shprehur gatishmëri në këtë drejtim por është injoruar nga institucionet tona. Presidentit Thaçi kjo deklaratë i ka mbetur që nga pas lufta në gojë, ama vetëm në kohë zgjedhore. Këto dy deklarata mund të jenë edhe një kërcënim ndaj Bashkësisë Ndërkombëtare që të përshpejtohen procedurat e anëtarësimit në to, ku edhe nëse mendojnë seriozisht këta janë dy liderët më të fuqishëm të cilët sikur të kishin vullnet mund të arrin diçka, por fatkeqësisht këto deklarata janë vetëm për poena politike”, është shprehur Islami.

Nuk duhet harruar se ndaj këtyre deklaratave, sot gjatë ditës, ka pasur edhe reagime tjera. Një prej tyre ka qenë nga Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën Jakup Krasniqi i cili ka kritikuar  Thaçin duke thënë se ai më shumë do t’i ndihmonte Kosovës nëse nuk do të fliste fare sesa të flas gjera të tilla. “Mjerisht, sa herë që z. Thaçi i flet për këtë çështje, shkreton keq dhe e dëmton këtë kauzë shumë rëndë, për të mos thënë në mënyrë të pariparueshme”, ka shkruar Krasniqi./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet