Patikat firmato si maskë e mjerimit

Zanin e madh e kishte pasur Ali Binaku, por kur shkoi në një mbledhi ku bëhej pleqni, shtatshkurtër dhe me paraqitje e rroba jo fort të fisme, njerëzit kishin filluar të pëshpërisnin. Madje, nën zë, po e kontestonin edhe verdiktin mbi pleqninë, që një njeri me dukje si ai do të mund ta jipte dhe për të cilin ishte thirrur. Ali Binaku po i dëgjonte dhe po e kuptonte dyshimin e pjesëmarrësve. Para se t’i hynte asaj për të cilën ka mbetur në histori, ai iu drejtua atyre që kishin mëdyshje: – Vllazën, – iu tha, – nëse nuk po ju pëlqejnë rrobat e mia, fajin e ka terzia (rrobaqepësi), nëse nuk po ju mbush sy shtati jem, kjo është punë e Zotit a nëse nuk ju pëlqen ajo çka flas, ajo çka do ta pleqnoj këtu, atëherë ajo punë është faji i jem, për atë keni të drejtë me pasë dyshim.

Shkruan: Blerim Gashani

Ishte e tmerrshme, groteske, por edhe komike. Fan Noli, përfaqësuesi i Shqipërisë, i një shteti që deri para dy vjetësh nuk dihej a ekzistonte a jo, në takimin e Ligës së Kombeve po u jepte mend përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha. Me një arrogancë prej fukaraje, ai po u tregonte zotërinjve – të Ligës së Kombeve, pararendëses të Kombeve të Bashkuara – se si bëhej politikë, si udhëhiqej shteti e gjëra të ngjashme, që zotërinjtë në fjalë i kishin përtypur kaherë. Vetëm mund të paramendojmë atë se çfarë kanë bluar në mendje përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha dhe, sidomos, atë çfarë e kanë biseduar ndërmjet vete në takimet ku – u mor vesh – Noli, përndryshe një letrar dhe poliglot gjenial, nuk mund të merrte pjesë.

Zakonisht, njerëzit sillen me shkujdesje në një fushë ku e kanë arritur kulmin, ku ndjehen në shtëpi, ndjehen në kontroll të plotë të situatës. Pasi e ka kontrollin mbi lojën dhe rezultatin, Leo Messi ka të drejtë për shkujdesje, ka të drejtë që mos ta gjuaj penalltinë në mënyrë të zakonshme, por me nonshalancë t’ia pasojë Suarezit. Po, ai ka të drejtë për shkujdesje, për pak teatër, për pak zbavitje, sepse edhe kjo shkujdesje e tij argëton miliarda njerëz. Po, a mund të jetë i shkujdesur dhe teatral – gati, arrogant – Kryministri i Shqipërisë, në një takim shumë serioz? Edi Rama është Kryeministri i shtetit më të varfër në Kontinent, pas Kosovës. Është Kryeministër i një kombi, shumica absolute e të cilëve duan, aspirojnë, përpiqen, gjakojnë dhe bëjnë të pamundurën të ikin nga vendi i tyre, nga vendi i kryeministrit nonshalant. Edi me patika është kryeministër i një vendi ku lulëzon krimi i organizuar, ku lulëzon kanabisi, ku spikat mjerimi i të gjithëve, edhe i udhëheqësve të atij vendi. Rama në Triestë ka përfaqësuar kolektivitetin, që eksportin e vetëm “rentabil” e ka mishin e bardhë. E pse me nonshalancë, pra!?

Si guxon të sillesh me nonshalancë në Perëndim, kur i di të gjitha këto dhe shumë tjera që ne nuk i thamë dhe shumë më shumë të tjera që ne nuk i dimë. Tani për tani, na bie në mend vetëm një gjë. Në konferencën për shtyp, një gazetar i pasherr, mund ta pyeste Edidasin: – Zotëri Kryeministër, ju përgëzoj për “look”-un, mirë shumë po dukeni, jeni i shkujdesur dhe i relaksuar. Mirëpo, desha t’ju bëj një pyetje të thjeshtë. Zotëri Kryeministër, më thoni ju lutem, jo vetëm patikat e bukura Adidas, por a keni momentalisht të veshur diçka që prodhohet në vendin tuaj, duke përfshirë edhe ndërresat e brendshme, çorapet apo çkadoqoftë? Sot, kur po përgatiteshit për të dalë në publik, a keni përdorur diçka nga produktet higjienike, që prodhohen në Shqipëri, çkadoqoftë, pastë dhëmbësh, shampo(n), brisk rroje, sapun rroje, parfum…diçka nga vendi, të cilin sot e përfaqësoni me kaq shkujdesje, me kaq pak respekt, me kaq shumë arrogancë?

Më thoni, ju lutem! Krejt kjo, nëse do të pyeste ndonjë gazetar, se ne – hajde të dalë ku të dalë – s’po flasim. Qe, po e fshehim të vërtetën e madhe se shkujdesja pa bazë, me arrogancë të vërtetë dhe të shtirur, tregon inferioritet, tregon paaftësi, tregon përpjekje dëshpëruese për mbulimin e paditurisë, për mbulimin e turpit, për mbulimin e mjerimit, para se gjithash mjerimit intelektual.

Krejt ndryshe nga Ali Binaku, Edi Adidasi është i bekuar nga terzia dhe nga Perëndia. Por, kur të vjen puna te cilësitë e veta – prapë, krejt ndryshe nga Ali Binaku – eh, aty paraqiten probleme. Edidasi, mu atëherë, e ban edhe ma bërllog, krejt bërllog! Edhepse me shkujdesje e me rroba firmato, me elokuencë të spikatur e me paraqitje (kinse) origjinale, prapëseprapë, ai e bën bërllog. Dhe, aty duhet ta fajësojnë shqiptarët. Dhe ta dënojnë, ta dënojnë ashpër. Me refuzim! Me harrim! Po, kujt po i them se… Mos më dëgjoni! Vazhdoni adhurimin e patikave Adidas, vazhdoni adhurimin e imazhit, dukjes, vlerave sipërfaqësore e, sidomos, efemere! Vazhdoni adhurimin e maskës, sidomos maskës. Maskës që mbulon mjerimin tonë!


Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Kategoritë
OPINIONEOpinione - Ballina

Të ngjajshmet