Pas zgjedhjeve të 6 tetorit, kryetemë do të mbetet dialogu me Serbinë

Ndërsa dita e zgjedhjeve po avitet, serbët e Kosovës ndodhen nën një presion të madh. Lista Serbe e cila e ka shijuar privilegjin e pushtetit edhe në Kosovë, e ndërsa nuk i ka fshehur lidhjet e forta as me Beogradin, po u bënë presion atyre që të mos i votojnë subjektet e tjera politike. Përfundimisht, zgjedhjet e 6 tetorit, dhe fillimi i procesit të dialogut, siç parashohin analistët, mund të sqarojë gjithçka në këtë drejtim – shkruan Gazeta e Re.

Në nëntor të vitit që iku Republika e Kosovës u vendosi taksë 100% produkteve serbe e boshnjake, me ç’rast shkaktoi bllokim total të procesit të dialogut. Edhe pas presioneve të mëdha vendorët nuk u tërhoqën, por as dialogu nuk vazhdoi. Skena politike kosovare filloi të polarizohej, ndërsa partnerët e koalicionit filluan të luhaten karshi presioneve dhe kështu erdhi edhe dorëheqja e Kryeministrit Ramush Haradinaj.

Fillimisht pat thënë që: «Arsyeja e këtij vendimi që e kam marrë është për shkak të thirrjes së marrë nga dhomat e Specializuara si i dyshuar. Qeveritë dhe pushtetet janë të ndërrueshme,jetojmë në demokraci, nderi i Kryeministrit dhe shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtërojë asnjëherë».

Mirëpo muaj më vonë në një intervistë ai dha një version tjetër të arsyes:

«Quint-i, vendet e Quent-it shumë të respektuara si ShBA, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia janë aleatë të Kosovës, por janë edhe të interesuara për marrëdhënie të mira me Serbinë, për zgjedhjen e problemit. Por ata duhet ta kuptojnë se nuk ka hapësirë më, as për me i bë presion Kosovës, se ata me presion e detyruan edhe qeverinë me dhënë dorëheqje, me masa të çuditshme».

Sidoqoftë, hipoteza që çështja e taksës mund t’i ketë çuar raportet ndërmjet dy vendeve Serbi – Kosovë, drejt bllokimit total të procesit, por edhe rrëzimin e qeverisë së kësaj të fundit pikërisht për shkak të kësaj arsyeje, mund të jetë shumë e saktë.

BE dhe ShBA është duke i bërë disa lëvizje nëpërmjet të cilave pritet të involvohet edhe më thellë në procesin e dialogut, ndërsa kjo padyshim do të jetë një ndër çështjet më të rëndësishme në tryezën e qeverisë së ardhshme.

Angela Merkel dhe Emmanuel Macron janë dakorduar që të dy vendet e fuqishme evropiane të përcaktojnë me detyrë një të dërguar special për këtë çështje. Sipas disa informacioneve, emërimi i tij mund të bëhet fill pas përfundimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë.

«Jam i mendimit që Bashkimi Evropian duhet të caktojë një përfaqësues për bisedimet Kosovë – Serbi. Ekipa Speciale e udhëhequr nga ky person, do ta ndihmonte procesin, duke u treguar konstruktiv ndërmjet palëve. Siç dihet, Amerika është lojtari më i madh në këtë proces, një aleat i ngushtë i Gjermanisë» – citohet të ketë thënë politikani gjerman Peter Beyer.

Methju Palmer, nga ana tjetër, është emëruar si emisar për çështje të Ballkanit. Ky i fundit fokus kryesor do ta ketë çështjen e ‘konfliktit të ngrirë’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht rehabilitimi i raporteve të tyre dhe vënia e kapakut të njohjeve të ndërsjella. Disa nga mediumet serbe e  kanë përshkruar si një figurë që «do ta shoh një Serbi të mposhtur!» Por nuk është këtu problemi, theksojnë njohësit e zhvillimeve. BE, por edhe ShBA është e interesuar që sa më parë ta integrojë Ballkanin në Evropë, duke mos i lënë hapësirë Rusisë të ketë ndikimin e vet mbi këtë pjesë. Është analisti Dusan Janjic ai i cili ka hedhur hipotezën se në çështjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ambicie për t’u përzier ka edhe Putini. Kështu formati i ri i bisedimeve, sipas tij, pas zgjedhjeve të gjashtë tetorit do të mund të jetë i mbikëqyrur përveç nga Gjermania e Franca, edhe nga ShBA dhe Rusia./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet