Pas vizitës në Kosovë, Lajçak viziton Beogradin: Dialogu do të vazhdojë

Përfaqësuesi i Posaçёm i BE-së për Dialogun Prishtinë-Beograd dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak,ka përfunduar sot vizitën e tij tre-ditore në Kosovë. Nga Prishtina, ai vazhdon për në Beograd dhe Podgoricë si pjesë e vizitës së tij në rajon.

Gjatё vizitёs sё tij nё Kosovë menjëherë pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, Lajçak informoi fituesin e zgjedhjeve, liderin e Vetëvendosjes Albin Kurti, në detaje mbi progresin e bërë në dialogun Prishtinë-Beograd që nga rifillimi i tij në korrik 2020. Ata diskutuan gjithashtu hapat e ardhshëm përpara.

“Z. Kurti dhe unë kemi pasur një bisedë shumë të sinqertë dhe konstruktive. Derisa unë e kuptoj që Z. Kurti do të i duhet pak kohë për t’u njohur me Dialogun dhe marrëveshjet e tij, si BE ashtu edhe SHBA presin që procesi i normalizimit gjithëpërfshirës midis Kosovës dhe Serbisë të vazhdojë së shpejti. Jam shumë i kënaqur kur dëgjoj që Z. Kurti e kupton rëndësinë e Dialogut, ” informoi Lajçak, thuhet në komunikatën për media nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Në Prishtinë, Përfaqësuesi i Posaçёm Lajçak zhvilloi takime me Presidenten nё detyrё Vjosa Osmani, Kryeministrin nё detyrё Avdullah Hoti dhe liderët e partive politike, përfshirë PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe për të theksuar rëndësinë e unitetit në Dialog pёrtej linjave partiake.

Ai gjithashtu u takua me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, foli me ambasadorin e SHBA dhe informoi shtetet anëtare të BE-sё mbi bisedat e tij.

Duke përfituar nga mundësia për t’u takuar me gratë udhëheqëse politike, Përfaqësuesi i Posaçёm nënvizoi angazhimin e BE-së në promovimin e pjesëmarrjes së grave në të gjitha sferat e shoqërisë, përfshirë politikën. Lajçak mirëpriti interesimin e tyre të madh dhe rolin e tyre aktiv që nga fillimi i Dialogut.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi