Pas letrës së Trump-it, Gjermania rithekson edhe njëherë: Jemi kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës e Serbisë

Qeveria e Gjermanisë sot e ka ritheksuar edhe një herë më shumë qëndrimin e saj kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të një marrëveshjeje eventuale midis kryetarëve të të dy vendeve, dhe atë pikërisht një ditë pas botimit të letrës së Kryetarit të SHBA-ve dërguar atij të Kosovës lidhur me përpjekjet për siç thuhet ‘normalizim’ të marrëdhënieve me Serbinë.

I lutur që të komentojë letrën e Donald Trump, dërguar Kryetarit të Kosovës Hashim Thaçi, lidhur me mundësinë e arritjes së një marrëveshje me homologun nga Serbia, Aleksandar Vucic, një zëdhënës i qeverisë federale gjermane tha për dtt-net.com se Berlini vazhdon që të jetë kundër ideve për ndryshim kufijsh e territoresh midis të dy vendeve në fjalë, përkatësisht edhe krejt vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

I njëjti zëdhënës, i cili kërkoi që të mbetet anonim, në të njëjtën kohë ritheksoi rëndësinë që marrëveshja eventuale të jetë e pranueshme për të dy palët.

“Qëndrimi i qeverisë Federale lidhur me këtë çështje nuk ka ndryshuar”, tha zëdhënësi gjerman për dtt-net.com.

“Nga pikëpamja e Qeverisë Federale është dhe mbetet thelbësore për qeverinë federale që marrëveshjet për normalizim të marrëdhënieve duhet që të jenë të pranueshme, të vlefshme dhe të qëndrueshme për të dy palët,” tha zëdhënësi, duke ritheksuar përkrahjen e fuqishme që Berlini i jep përpjekjeve të BE-së për të promovuar normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës.

I pyetur se cila është porosia e Kancelares Gjermane Angela Merkel për Vuçiçin dhe Thaçin, pas letrës së Trump-it, pasi që të dy kryetarët e Serbisë dhe Kosovës e shohin zgjidhjen midis të dy vendeve përmes idesë së tyre për ndryshim të kufijve, apo siç Këshilltari për Siguri Nacionale të SHBA-së John Bolton, e quajti në Gusht (në Ukrainë) ‘adaptime territoresh’ (ang. territorial adjustments), zëdhënësi i qeverisë gjermane e rikujtoi qëndrimin e Angela Merkel për pa cenueshmërinë e integritetit territorial të vendeve të rajonit.

“Kancelarja Federale ka bërë disa deklarata personale lidhur me këtë çështje dhe e ka bërë të qartë se sa i rëndësishëm është integriteti territorial i shteteve të Ballkanit Perëndimor nga këndvështrimi i Qeverisë Federale,” tha për dtt-net.com zëdhënësi i qeverisë gjermane.

Me 13 Gusht në Berlin, Merkel pat thënë se nuk guxon që të ketë ndryshim kufijsh në rajon.

“Nuk ka ndryshime kufijsh në Ballkan dhe integriteti territorial i vendeve të Ballkanit perëndimor është përcaktuar dhe është i paprekshëm. Kjo duhet thënë çdo herë, sepse ka disa tendenca për të folur për kufijtë dhe kjo nuk mund të bëhet,” pat deklaruar Merkel në një konferencë për shtyp me Kryeministrin e Bosnjë e Hercegovinës, Denis Zvizdic.

Dhjetë ditë më pas, këshilltari kryesor i Donald Trumpit, John Bolton, gjatë një vizite në Ukrainë, për ironi bëri të qartë se qeveria amerikane nuk është në të njëjtën qëndrim me qeverinë gjermane për kufijtë e Kosovës dhe Serbisë.

“Qasja e jonë, qasja e SHBA-ve, është se nëse të dy palët mund të arrijnë midis tyre një marrëveshje, ne nuk i përjashtojmë adaptimet e kufijve. Nuk na takon neve që të themi….Por ne nuk do të pengojmë, dhe mendoj se askush në Evropë nuk do të duhej të pengojë nëse të dy palët e përfshira e arrijnë një marrëveshje të pranueshme dhe të kënaqshme midis tyre,” pat thënë Bolton.

Në Kosovë, Kryetari Thaçi është i vetmi zyrtar shqiptar i cili favorizon ndryshim territoresh apo siç ai e quajti disa herë ‘korrigjim kufijsh’, përderisa partitë në qeveri dhe ato në opozitë janë shprehur qartë kundër.

Të hënën në Bruksel, edhe Kryeministri Ramush Haradinaj ritheksoi kundërshtinë e tij kundër rrudhjes së kufijve të Kosovës, ndërkohë që ka akuzuar ideatorët dhe përkrahësit e idesë së ndryshimit të kufijve të jenë armiq të Kosovës.

“Më lejoni të theksoj edhe një herë, unë si Kryeministër dhe Qeveria e Kosovës, kundërshtojmë fuqishëm dhe e refuzojmë këtë ide, e cila do të sjellë vetëm luftëra dhe tragjedi të reja në Ballkan. Kushdo që flet për kufijtë, territorin, apo çfarëdo korrigjimi tjetër për vendim tim, është armiku ynë,” ka thënë Haradinaj në takimin me shefen e diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini dhe Komisionarin Evropian Johannes Hahn, në kuadër të takimit të Këshillit të Tretë të Stabilizimit dhe Asociimit ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

Që të dy zyrtarët e BE-së, Mogherini dhe Hahn, për ndryshim nga qeveria gjermane dhe disa vende të tjera të bllokut evropian, kanë shprehur tolerancë ndaj idesë së ndryshimit të kufijve të nisur së pari nga Vuçiçi dhe Thaçi.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet