Partitë në “gjah” për gratë dhe të rinjtë

Partitë politike, asnjë prej tyre, nuk i kanë bërë publike programet qeverisëse (në versionin online), me të cilat ato do të duhej të përpiqeshin ta fitonin betejën kundër njëra tjetrës. Publikimi i tyre nuk ka qenë praktikë e njohur as në të kaluarën për shumicën prej tyre dhe për disa, duket që nuk është as tash. A kanë në të vërtetë programe partitë tona apo jo? Apo votuesit duhet të kënaqen dhe të përpiqen të kuptojnë nëpërmjet debateve dhe premtimeve përgjatë fushatës se cilat do të jenë pikat e forta të programeve qeverisëse të pretendentëve për kryeministra. Veç fjalimeve dhe disa broshurave të shtypura, ato asnjëherë nuk i kanë ofruar më shumë votuesit.

Rinia dhe gratë/përfaqësimi

Programet e mëhershme qeverisës, ofertat për të rinjtë kryesisht i kanë koncentruar te kategoria e kulturës dhe arsimit.  Ndërsa përqindja e ulët e grave të përfshira në kryesitë e partive, tregon më së miri se ç’synime kanë për këtë kategori. ‹‹Përfaqësimi i grave në kryesitë e partive është më i lartë se i rinisë, dhe atë në LDK me 21%, LVV dhe AAK me 20%, PDK 16.6% dhe me 11% në NISMA.›› – Vihej në dukje nga një hulumtim i paradokohshëm i Kipred-it.

Po ashtu sipas të njëjtit hulumtim ka dalë që: ‹‹Rezultatet e hulumtimit tregojnë që fuqizimi i grave dhe rinisë në vendim-marjen e partive politike të Kosovës varet nga vullneti i kryetarëve të partive, që e kanë të drejtën statutore për të propozuar përbërjen e plotë apo të pjesëshme të kryesive të partive të tyre. Në kryesitë e partive politike rinia është e përfaqësuar simbolikisht, ndërkaq përfaqësimi i grave ndryshon nga 11% (NISMA) deri në 21% (LDK).››

Por gjendja nuk ka mundur të shënojë një progres shumë të madh prej 2015-tës.

Rinia arsimi dhe perspektiva

Fjalimi i Kadri Veselit, Kryetar i PDK-së, në hapjen e fushatës sot në Prishtinë, për të rinjtë, s’përmbante shumë premtim. Fjalia: ‹‹Orientimi në sport dhe në art është imperativ i strategjisë sonë nacionale zhvillimore, Kosova jonë duhet të ketë më shumë Majlinda Kelmendi, kampione në botë.›› -ishte gjithë ajo ç’u tha nga ai, ndërsa parafolësit e tjerë, duke përfshirë edhe të nominuarin për kryeministër Ramush Haradinajn, nuk dallonin shumë.

Ndërkohë i nominuari për kryeministër nga radhët e Vetëvendosjes Albin Kurti, mbrëmë në një emision televiziv tha se, sistemit arsimor i duhet një reformë e thellë dhe se nuk mjafton një mandat për ta realizuar këtë. Por si shumë në shumë debate të tjera, frazat tejet përgjithësuese fare pak mund të zbulojnë çka konkretisht do të prekin projektet në rast se vihen në jetë.

‹‹Është e domosdoshme që të ndërtohet plan pune me të cilin arsimi lidhet me ekonominë, me shkollat profesionale›› – tha ndër të tjera ai, duke vënë në dukje se këto plane të mëdha, kurrsesi nuk mund të vihen në jetë brenda një mandati.

Por VV-ja s’përbënë veçse një alternativë brenda atyre të shumtave të cilat po i servohen sot votuesit potencial të 11 qershorit. Një ndër to vjen edhe prej koalicionit LDK, AKR, Alternativa. Ndonëse këto partnerët e AKR-së LDK dhe Alternativa nuk i kanë ofruar votuesit ndonjë version online rreth ofertës së tyre, AKR të paktën i ka publike ofertat e mëhershme, pothuajse të gjitha, qysh prej kohës kur ky subjekt është futur në “lojërat” për pushtet.

Nga programi i saj i ofruar në vitin 2014 mund të veçohen oferta shumë më konkrete se sa Programi Qeverisës i Republikës së Kosovës 2015 – 2018, të cilin provoi ta vinte në jetë kryeministri në largim Isa Mustafa.

Paragrafe si ky: ‹‹Duke pasur parasysh numrin e madh të nxënësve në paralele, sidomos në arsimin e mesëm të lartë, Qeveria do të angazhohet për krijimin e kushteve infrastrukturore për mësim, me qëllim të eliminimit të mbingarkesave dhe turneve në shkolla. Qeveria do të punojë për plotësimin e kushteve të nevojshme që arsimi para-universitar të jetë i obligueshëm, siç e përcaktojnë edhe rrjedhat evropiane të arsimit›› – nga programi qeverisës që pritej të jetësohej nën udhëheqjen e Isa Mustafës, mund të zëvendësohen me pika konkrete nga programi i AKR-së i 2014-tës, siç janë:

  1. Decentralizimi i institucioneve shkollore;
  2. Program shkollor për fëmijët, që nga mosha 3 vjeçare;
  3. Kujdes të posaçëm për fëmijët me aftësi të kufizuara;
  4. Program për fëmijët e sëmurë të detyruar të shtrihen në spitale apo në shtëpi etj.

Këto dhe pika të tjera, duken shumë më të prekshme, ndonëse për nivelet më të larta, nuk ofron zgjidhje konkrete. Rinia përbënë potencialin thelbësor të shoqërisë, potencial që duhet shfrytëzohet, këtë e thonë të gjithë, por plane për të ende nuk i kemi parë./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendiZgjedhjet Parlamentare 2017

Të ngjajshmet