Partitë, mobilizimi i votuesve dhe trendet e votimit

Partitë politike, kanë edhe një mision të veçantë gjatë kësaj fushate zgjedhore: mobilizimin e një numri sa më të madh të qytetarëve, për të marrë pjesë në to, përkatësisht për ta shfrytëzuar të drejtën e votimit. Siç e dimë, trendi i përqindjes së votuesve në nivel të republikës, në tri palë zgjedhjet e fundit për Kuvendin e Kosovës, ka shënuar rënie, por kjo nuk do të thotë se nuk do të ndryshojë gjë kësaj radhe – shkruan Gazeta e Re.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), shifrat e tri palë zgjedhjeve të fundit parlamentare, shënojnë një trend negativ të daljes së votuesve. Kështu:

Në zgjedhjet për Kuvend të Kosovës të vitit 2010, nga 1,632,276 votues të regjistruar, në zgjedhje kanë dalë: 706,317; thënë ndryshe, dalja në zgjedhje ka qenë 45.29%.

Në zgjedhjet e vitit 2014, po ashtu për Kuvend të Kosovës, nga 1,799,023 votues të regjistruar, në zgjedhje kanë dalë: 734,055 – ose 42.63%.

Ndërsa në zgjedhjet për kuvend të Kosovës të vitit 2017-të, nga 1,888,059  votues të regjistruar, në zgjedhje kanë dalë:  747,228 – ose 41.30%.

 Analisti Armend Muja, ka analizuar trendin e grupeve të votuesve, dhe tendencën e tyre për t’i votuar partitë. Sipas tij, veç tjerash, ndikim ka edhe mënyra se si subjektet politike i shfrytëzojnë, ose çka shfrytëzojnë nga platformat mediatike:

«Dalja ne zgjedhje: ekzistojnë dy beteja kryesore gjatë cikleve zgjedhore; njëra në platforma mediatike dhe rrjete sociale dhe tjera ne terren. Debati në rrjete sociale shpesh dominohet nga grup-moshat 18-24 dhe 25-34 ndërsa terreni dominohet nga grupmoshat 45-54 dhe 54-65. Grupmosha 18-24 dominohet nga Vetëvendosje por kanë dalje tejet të ulët në votime (30%). Grupmoshat 35-54 dominohen nga PDK dhe kanë dalje rreth 55% në votime. Ndërsa, grupmoshat 54+ dominohen nga LDK. Janë të pakët në numër por kanë dalje mbi 60% në votime.»

Në këtë postim të tij në murin e tij në facebook, sugjerohet që bastionet të mos shihen vetëm mbi baza gjeografike, meqë elektorati ndahet edhe në bazë të disa «socio-demografive» të tjera:

«Ne jemi mësuar që përkrahjen për partitë politike ta vështrojmë vetëm në baza gjeografike. Sidoqoftë, partitë politike kanë edhe bastione tjera socio-demografike. Çfarëdo ndryshimi në skenën politike duhet parë jo në baza gjeografike sa në shkallën e daljes në votime të këtyre grupmoshave. Votimet kanë edhe dallime gjinore, në bazë të profesionit dhe shkallës së besimit në zot. Femrat në të kaluarën kanë mbështetur më shume VV dhe PDK, ndërsa meshkujt LDK dhe PDK. Besimtarët kanë mbështetur më shumë PDK dhe PD në të kaluarën.»

Por ç’tregojnë statistikat e KQZ-së? Dhe a dalin të sakta analizat e Mujës? Sipas këtyre statistikave, në zgjedhjet e vitit 2010 për Kuvend të Kosovës, PDK është radhitur si subjekti i parë me 32.11% vota të grumbulluara; LDK është radhitur e dyta me  24. 69% vota të grumbulluara, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje është radhitur e treta me 12.69% vota të grumbulluara.

Në zgjedhjet e vitit 2014-të, përsëri PDK-ja është renditur e para me 30.38% vota të grumbulluara, por këtë rezultat ajo e ka arritur duke qenë në koalicion me disa subjekte të tjera si: Partia e Drejtësisë, Lëvizja për Bashkim, Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës dhe Partia Konservatore e Kosovës. E dyta renditet LDK me 25.24% vota të grumbulluara dhe e treta Lëvizja Vetëvendose me 13.59% vota të grumbulluara.

Në ato të vitit 2017-të ndërkaq, treshja e parë ndryshon. Përsëri PDK futet në një koalicion të gjerë, duke e formuar PAN-in e famshëm, dhe grumbullon: 33.74%. Lëvizja Vetëvendosje, e vetme, arrin të ngjitet në vendin e dytë, duke i grumbulluar 27.49%; ndërsa LDK edhe pse duke qenë në koalicion me AKR-në, s’arrin të grumbullojë më shumë se 25.53% të votave, duke u renditur e treta.

Këto të dhëna tregojnë që Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka targetuar vetëm votuesit jobesimtarë, besimtarë, të rinj apo të vjetër, por të gjitha kategoritë. Rritja e saj brenda një dekade, sipas këtyre të dhënave, i demanton pretendimet e tilla – thonë disa analistë të tjerë. Megjithatë, gjithçka mbetet për t’u vërtetuar më 6 tetor, datë kjo e cila po avitet mjaft shpejt./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet