Parlament apo cirk?

Parlamenti i Kosovës është kthyer në një arenë cirku. Mazhoranca e opozita duket që u kanë dhënë fund raporteve politike normale. Situata e ndjeshme politike, nuk ka arritur t’i bashkojë dy frontet, ndërsa akuza për obskurantizëm politik, s’është veçse një etiketë e stër-përdorur nga dy anët. Për të dalë nga kriza, kryesia e kuvendit ka mbajtur një mbledhje, në të cilën vet Kryeparlamentari Kadri Veseli ka propozuar disa opsione. Edhe sikur të arrihet në parim një marrëveshje për vazhdimin e seancave të jashtëzakonshme, nuk ka as edhe një garanci që institucioni më i lartë në vend, do ta normalizojë sadopak situatën politike – shkruan Gazeta e Re.

Është e turpshme, është për keqardhje situata e krijuar – thonë deputetët e të dy fronteve. Por askush nuk e pranon fajin. Opozitarët fajësojnë shumicën parlamentare e cila po i bojkoton seancat e thirrura nga opozita, ndërkohë që kjo e fundit po ia kthen me të njëjtën gjuhë.

“Kuvendi nuk po funksionin për arsye se pozita po bojkoton seancën e Kuvendit. Vetëm këtu ndodh që pushteti bojkoton seancën e Parlamentit, kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës. Në një Kuvend ku pozita bojkoton seancat ai vend duhet të shkojë në zgjedhje të reja” – u shpreh para gazetarëve deputeti i Vetëvendosjes Glauk Konjufca.

Por mazhoranca po i bënë përpjekjet e fundit, në mënyrë që t’i shmangë zgjedhjet e parakohshme. Të paktën ka përpjekje që të binden deputetët për një marrëveshje alternative e cila do t’i kënaqte të dy palët. Në mbledhjen e kryesisë së kuvendit, bëhet e ditur që Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ka ofruar një zgjidhje për të dalë nga bllokada. Propozimi i tij mbështetet në tri pika kryesore, e që janë:

  1. Të vendosim që të dy çështjet e ngritura për diskutim të shqyrtohen dhe votohen nga deputetët veç e veç dhe rezultati i votimit të jetë i obligueshëm për të gjitha palët.
  2. Të bashkëngjisim propozimet e dyja palëve në një dokument të përbashkët që do të quhet “Rezoluta e Kuvendit të Kosovës” lidhur me dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë. Rezoluta do të përmbajë propozimet e opozitës dhe propozimet e platformës së PDK-së lidhur me dialogun, platformë e cila kohë më parë u është shpërndarë të gjithë palëve.
  3. Propozojmë dy rezoluta, njërën nga pozita dhe tjetrën nga opozita dhe t’i votojmë veç e veç.

Dokumenti përfundon me fjalët që nëse “arrijmë marrëveshje, atëherë përfaqësuesit e grupeve parlamentare të ulen menjëherë me ekspertët e tyre dhe brenda dy orëve të thërrasim vazhdimin e seancës.”

Por, situata s’është shumë shpresëdhënëse. Duke i komentuar këto zhvillime, analisti politik Florim Zeqa për Gazeta e Re, situatën e ka cilësuar si paradoksale.

“…Vërtetë është krijuar një situatë paradoksale në Kuvendin e Kosovës. Për më tepër se në tempull të demokracisë, Kuvendi është shndërruar në një cirk, ku mazhoranca i braktisë seancat e iniciuara nga opozita, ndërsa opozita ato të iniciuara nga mazhoranca! Deshëm apo s’deshëm ta pranojmë faktin, në mes pozitës dhe opozitës shqiptare është pozicionuar fuqishëm si “Sendviq” lista “Srpska”, e cila mbron si asnjëherë më parë interesat e shtetit serb në Kosovë.”

Pikërisht në këtë situatë, më së shumti përfitojnë serbët, thotë Zeqa: “”Pat-pozicioni” i krijuar mes pushtetit dhe opozitës shqiptare, e faktorizoi akoma më shumë listën “Srpska” brenda koalicionit qeverisës PAN. Në anën tjetër, bërja gabim e llogarive nga ana e opozitës, e ka dobësuar akoma më shumë rolin e saj në Kuvendin e Kosovës. Tashmë i kemi dy realitete përballë njëra-tjetrës! E kemi pozitën e varur skajshmërisht nga lista serbe dhe pozitën e pafuqishme kundrejt 52 deputetëve aktualë në Kuvendin e Kosovës. Po ashtu, pozita tashmë e ka të qartë, se pa listën serbe nuk mund të miratojë asnjë marrëveshje të arritur në dialogun e Brukselit, sikurse që edhe opozita e vetme pa listën serbe në Kuvend, nuk do ta ketë më kuorumin e nevojshëm për realizimin e asnjë iniciative apo mocioni mosbesimi ndaj Qeverisë! Me skenën politike kosovare të shantazhuar dhe përçarë, gjegjësisht me një opozitë të pafuqishme për të sjellë ndryshime, jo vetëm se Hashim Thaçi do të takohet me Vuciqin më 7 shtator për hapjen e temës të së ashtuquajtur “korrigjimi i kufirit”, ai do t’i shkojë tutje deri në fund dialogut, përkatësisht deri në ndarjen finale të Kosovës nga Serbia!”

Zeqa nuk sheh ndonjë opsion alternativ për të dalë nga situata e krijuar, veç krijimit të një qeverie që ai e quan Qeveri e Shpëtimit të Kombit:

“Dalja e vetme nga “Labirinthi” i Kuvendit, përkatësisht dalja nga kriza politike në të cilën është futur vendi, është krijimi i një “Qeverie të Shpëtimit Kombëtar”, nga intelektual të kalibrit të lartë jashtë skenës aktuale politike. Ndryshe, shkuarja e vendit në zgjedhje pa ndryshimin e sistemit zgjedhor, përkatësisht realizimin e reformës zgjedhore, përveç përsëritjes së situatës aktuale dhe riciklimit të figurave të konsumuara politike, nuk do të sillte gjë tjetër të mirë për vendin dhe as për të mirën e qytetarëve” – ka thënë ai.

Zgjedhjet e parakohshme po i përmendin edhe partitë politike opozitare. Për këtë Vetëvendosje e ka ftuar Lidhjen Demokratike të Kosovës që të dalin e të “t’i mbushin sheshet”, e me këtë të kërkojnë nga qeveria aktuale të heq dorë nga pushteti. Rrëzimi i qeverisë dhe shkuarja në zgjedhje të parakohshme nacionale, duket që është çështje ditësh./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet