Paratë e shtetit apo paratë e babës?

Të gjitha të dhënat nga raportet e ndryshme dhe anketave të realizuara në Kosovë në muajt e fundit, flasin për një nivel të lartë të pakënaqësisë së qytetarëve, në raport me institucionet e vendit. Një gjendje Status Quo-je, në të cilën ndodhemi, veç ka mundur t’i përkeqësojë edhe më shumë këto raporte – shkruan Gazeta e Re.

Krerët e institucioneve më të rëndësishme në vend, sikur janë bllokuar dhe barrikaduar në qëndrimet e veta, duke bërë që tashmë as presioni amerikan, të mos kryej punë. Një gjendje e tillë, shkon në dëm vetëm të qytetarëve, të cilët, edhe ashtu të izoluar, i kanë humbur shpresat përfundimisht në institucionet.

Florim Zeqa, analisti i njohur politik, thotë se sikur Lëvizja Vetëvendosje të mos ishte pjesë e sistemit, gjasat që ajo t’u printe qytetarëve në protesta, përkatësisht në manifestim të pakënaqësisë së lartë ndaj drejtuesve të shtetit, do të ishin të mëdha. Nevojën për një presion ndaj institucioneve, në këtë momentum kohor e politik, ai e sheh si imediate.

“Futja e të gjitha subjekteve në sistem, përkatësisht renditja e të gjitha subjekteve pas marrjes së pushtetit, ka bërë që ta lënë në harresë të plotë elektoratin pas përfundimit të procesit zgjedhor nga ana e partive  politike, gjë e cila ka bërë që edhe popullata të pasivizohet dhe demoralizohet siç është më së keqi. Nuk ka si të mos ndodhë pikërisht kështu për faktin se liderët e partive politike përveç pasurimit të skajshëm, kanë punësuar militantët partiakë dhe familjarët e tyre nëpër institucione e borde, nëpër agjenci e  korporata tjera fitimprurëse…”

Zeqa, për më tepër, opozitarizëm nuk sheh as te organizatat joqeveritare, të cilat në vendet e qytetëruara, shpesh dinë të bëhen prijatare të kauzave të rëndësishme politike e sociale:

“Edhe të ashtuquajturat “OJQ”, po mendojnë vetëm si të pasurohen dhe vjelin para të buxhetit të shtetit me ca konferenca të mbajtura sa për sy e faqe dhe në koordinim të plotë me pushtetarët. Duke e parë këtë situatë sa të dhimbshme po aq dëshpëruese dhe vrastare për shtetin, qytetarët e zhgënjyer janë tërhequr nga të gjitha zhvillimet që po ndodhin në vend dhe rreth vendit tonë, duke u pajtuar në heshtje me të keqën e madhe që po i ndodhë këtij vendi, për shkak se e vetmja zgjidhje për qytetarët është që të ikin sa më larg, e për të mos u kthyer ndoshta asnjëherë në Kosovë. Deri në këtë derexhe e kanë sjellë qytetarin kusarët politikë të të gjitha llojeve e ngjyrave.”

Duke iu referuar protestës së 25 shkurtit në qytetin e Pejës, që ndodhi për t’i kundërshtuar ndërtimet e hidrocentraleve përgjatë rrjedhës së lumit Lumbardh, Zeqa, në opinionin me titull “Hiperbolizimi i taksës dhe protestat e munguara në Kosovë”, ai konkludon se një riorganizim i ri në sferën politike, i duhet në mënyrë urgjente shoqërisë kosovare.

Pikërisht ata që do të duhej t’i adresonin e debatonin këto probleme, deputetët e Kuvendit të Kosovës, sot kanë mbajtur një seancë të jashtëzakonshme. Deputetët kanë debatuar rreth vendimeve të qeverisë së Kosovës, “për ndarjen e mjeteve financiare nga shpenzimet e paparashikuara”.

Deputetët e opozitarë, siç edhe pritej, u shfaqën shumë të ashpër, duke e akuzuar qeverinë se po i shpenzon paratë e shtetit, siç tha deputetja Albulena Haxhiu:  As si të ishin paratë e babës, “sepse po të ishin paret e babës, do të kishin pasur më shumë kujdes”. Kryeministri Ramush Haradinaj dhe vartësit e tij, janë mbrojtur duke ua bërë të qartë deputetëve se secili që e ka dëmtuar buxhetin e shtetit, duke i shkelur ligjet, duhet të jap llogari.

Por ishte deputetja Hykmete Bajrami nga radhët e LDK-së, e cila konstatoi se pikërisht bëhet fjalë për shkelje të ligjit, meqë ai për rezervat shtetërore, qëndron aty për shpenzime të paparashikueshme, ndërkaq “janë ndarë mjetet për eventet të cilat kanë qenë të parashikueshme dhe i kemi ditë që nga fillimi.”

Korrupsioni dhe nepotizmi, janë dukuri për të cilat është thënë se nuk është bërë asnjëherë mjaftueshëm. Lufta ndaj këtyre dukurive është inkurajuar përherë edhe nga instancat e BE-së. Janë pikërisht këto “trende” negative ato të cilat kanë ndikuar në rënien e besueshmërisë së qytetarëve ndaj institucioneve të Kosovës. Për më keq, shumica, sipas anketave, perspektivë të vetme shohin ikjen nga vendi./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet