Paralajmërimet e Serwerit, rikthim i vëmendjes amerikane në Ballkan apo ekzagjerim i situatës?

Eksperti amerikan, njëherësh drejtori akademik për menaxhim të konfliktit në shkollën për studime të avancuara ndërkombëtare të universitetit “John Hopkins” Daniel Serwer, ka paralajmëruar se rreziku nga dhuna e ripërtërirë dhe jostabiliteti politik në Ballkan është në rritje, shkruan Gazeta e Re.

Në një analizë të tij, Serwer ka shkruar se dekada e progresit në pajtimin dhe rimëkëmbjen ekonomike pas konfliktit, pas intervenimeve të SHBA-së në vitet 1990, ka ngecur dhe tani sipas tij, në disa fusha madje ka kthim prapa. Ai thotë se, marrëveshjet ndërkombëtare që e kanë sjellë paqen në rajonin e Ballkanit, bazuar në parimin se kufijtë ekzistues nuk duhet të lëvizin për të akomoduar dallimet etnike, sipas tij, po zihen dhe mund të zhbëhen me pasoja të padëshiruara edhe për Shtetet e Bashkuara.

Njohësit e çështjeve politike  dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, aktualisht nuk e shohin rrezik të ndonjë konflikti të mundshëm për ndryshimin e kufijve në Ballkan. Disa prej tyre nuk i marrin si të mirëqena deklarimet e eksperti Serwer, derisa të tjerët thonë se këtë paralajmërim ai e ka bërë për të tërhequr vëmendjen amerikane ndaj vendeve të Ballkanit.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare Dimal Basha mendon se teoria e Serwer nuk qëndron. Ai ka thënë për Gazetën e Re se rreziku i Ballkanit vjen nga influencat e jashtme e jo nga kufijtë ekzistues të shteteve brenda tij.

“Unë mendoj se teoria e z. Serwer nuk qëndron, për shkak se Ballkani nuk rrezikohet nga kufijtë ekzistues, por nga influencat e jashtme siç është Rusia që e ka për interes përçarjen e Ballkanit dhe përdorë vende si Serbia për destabilizimin e Evropës. Prandaj, zgjidhja për problemin nuk është ndryshimi i kufijve për rritjen e homogjenitetit në vende, por liberalizimi i kufijve dhe integrimi i këtyre brenda BE-së, dhe çfarëdo vonese shkon në dëm të Evropës dhe në dobi të Rusisë dhe vendeve tjera që synojnë ta përçajnë Evropën përmes shteteve Ballkanike”, ka potencuar Basha.

Sipas studiuesit të marrëdhënieve ndërkombëtare Selam Hajrizi, duhet së shpejti të ketë dialog serioz diplomatik në Ballkan për të mos lëvizur nga kufijtë aktual. Ai shpreson se Serwer të mos ekzagjeroj natyrën diplomatike të ndryshimeve politike dhe të kufijve në Ballkan.

“Rasti i Katalonisë  i cili ka dështuar dhe ka provokuar një proces politik ndërkombëtar të pa dëshirueshëm apo siç thuhet në diplomaci “persona no grata” natyrisht që nuk duhet lëvizur nga Konferenca e Daytonit në 1995 që ka sjell paqen në Bosnjë dhe Konferenca e Rambujes në 1999 me rastin e Kosovës dhe duhet së shpejti që të ketë dialog serioz diplomatik në Ballkan për të mos lëvizur nga kufijtë aktual dhe stabiliteti e paqja në rajon të mos kërcënohen. Zhvillime politike do të ketë si negative si pozitive por shpresoj që Daniel Serwer të mos ekzagjeroj natyrën diplomatike të ndryshimeve politike dhe të kufijve në Ballkan”, ka deklaruar Hajrizi.

Ai mendon se Ballkani duhet të qëndrojë i fortë duke luftuar politikat e brendshme të zhytura në krim e korrupsion për të treguar sipas tij, një imazh ndërkombëtar pozitiv që të mos ketë tensione etnike dhe ndryshime të kufijve.

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike në vend Arben Rugova, duke vlerësuar Serwer-in thotë se ai ka ngritur shqetësimet e tij për situatën në Ballkan me qëllim që të rikthej vëmendjen amerikane ndaj kësaj pjese të botës, siç thotë Rugova, shumë të rëndësishme për interesat gjeostrategjike globale të Shteteve të Bashkuara. Ai beson se brenda dy dekadash kufijtë në Ballkan do të vizatohen dhunshëm apo përmes negociatave, aktualisht nuk ka rrezik për ndonjë konflikt të mundshëm dhe as gatishmëri për të përmirësuar padrejtësitë ndaj disa popujve në rajon.

“Nëse ka një popull të interesuar për ndryshim kufijsh në Ballkan, atëherë ky popull janë shqiptarët, mirëpo aktualisht nuk e kanë fuqinë politike, ekonomike, ushtarake dhe as përkrahjen e aleatëve për të besuar se bashkimi i tyre në një shtet do të ndodhë brenda pak vjetësh. Edhe atëherë nuk do të mund të jetojnë të gjithë shqiptarët në një shtet as të gjithë serbët në shtetin e tyre, sepse nuk mund të ketë ndarje ideale as me luftë dhe as kur te këta dy popuj të dominoj arsyeja dhe vullneti për zgjidhje paqësore të një çështje që ka marrë qindra mijëra jetë (sidomos të shqiptarëve autokton) që prej kohës kur serbët erdhën nga Azia”, ka thënë veç tjerash Rugova.

Çështja e kufijve të shteteve të Ballkanit është diskutuar e vazhdon të diskutohen ende. Muaj më parë, zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit Hoyt Britan Yee pati deklaruar se kufijtë e vendeve të Ballkanit nuk do të ndryshojnë, pasi sipas tij, nëse një ndryshim i tillë do të sillte destabilitet në rajon./Yllnorë Shala/ Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet