Papa Leo: Kisha Katolike dëshiron marrëveshje me ortodoksët për të kremtuar Pashkët në të njëjtën ditë

Papa Leo XIV ka deklaruar se Kisha Katolike është e gatshme të kërkojë një “zgjidhje ekumenike” për të përcaktuar një datë të përbashkët për kremtimin e Pashkëve mes Kishës Katolike dhe kishave ortodokse.

Deklarata u bë gjatë një takimi në Romë, kushtuar 1700-vjetorit të Sinodit të Nikesë dhe unitetit ndërmjet katolikëve dhe ortodoksëve, siç raporton Vatican News.

Një nga temat kryesore të konferencës ishte pikërisht përcaktimi i një date të përbashkët për Pashkët. Papa theksoi se janë propozuar disa zgjidhje konkrete që do t’u mundësonin të gjithë të krishterëve ta festojnë bashkë “festën e festave”.

“Dua të ritheksoj gatishmërinë e Kishës Katolike për të kërkuar një zgjidhje ekumenike që favorizon një kremtim të përbashkët të Ngjalljes së Zotit, duke i dhënë forcë më të madhe misionit tonë në shpalljen e emrit të Jezusit dhe shpëtimit të lindur nga besimi në të vërtetën ungjillore shpëtuese”, tha Papa.

Ai gjithashtu sqaroi se arsyeja për ndarjen e datave është përdorimi i kalendarëve të ndryshëm – kalendarit julian nga ortodoksët dhe atij gregorian nga katolikët.

Më parë, patriarku ekumenik Bartolomeu I e kishte cilësuar kremtimin e ndarë të Ngjalljes së Krishtit si “skandal” dhe kishte bërë thirrje që të gjithë të krishterët të bien dakord për një datë të përbashkët të Pashkëve.

Kategoritë
BotaLajme