Panucci: Është krijuar baza e skuadrës

“Kemi krijuar bazën me 20 futbollistë, por kemi edhe disa pika që do i ndjekim në vijimësi. Zëvendësuesi i Agollit për shembull, pasi mosha e tij më obligon të gjej menjëherë alternativën në atë vend”

Në prag të ndeshjes miqësore Shqipëri-Norvegji e cila do të luhet më 26 mars në stadiumin “Elbasan Arena”, në qytetin e Elbasanit, trajneri i Kombëtares së Shqipërisë në Futboll, Christian Panucci, mbajti sot një konferencë për mediat për listën e lojtarëve të grumbulluar.

Panucci theksoi se tashmë është krijuar baza e skuadrës.

“Kemi krijuar bazën me 20 futbollistë, por kemi edhe disa pika që do i ndjekim në vijimësi. Zëvendësuesi i Agollit për shembull, pasi mosha e tij më obligon të gjej menjëherë alternativën në atë vend. Më shqetëson pak fakti që lojtarët nuk luajnë shumë në klubet e tyre. Dhe kjo ishte arsyeja që vendosa të zhvilloj një miqësore dhe të punojmë një javë me futbollistët e grumbulluar”, tha trajneri i Kombëtares së Shqipërisë në Futboll.

Duke folur për lojtarët që do të luajnë në ndeshjen me Norvegjinë, Panucci tha se do të jenë ato që kanë luajtur në shumë ndeshje.

“Për lojtarët që do të zbresin në fushë, do të jenë ato që kanë më shumë ndeshje dhe duhet të prisni për të parë kush luan. Llogaritë për kapitenin bëjini vetë. Grupi është duke u formuar dhe besoj e keni kuptuar. Natyrisht që deri në qershor do të provoj lojtarë 26-28 vjeç, që do të jetë baza. E kam vendosur pak a shumë, por do të kemi dhe lojtarë të tjerë. Sadikun e njoh, por them se është problem, sepse po luan pak. Po punojmë fizikisht me të. Kemi në sulm Cikalleshhin dhe Balajn, me karakteristika të ndryshme me njëri-tjetrin”, deklaroi Panucci.

Ndërsa përsa i përket kampionatit shqiptar të Kategorisë Superiore, Panucci tha se e ndjek këtë kampionat.

Sipas Federatës Shqiptare të Futbollit, në përballjet e ekipit kombëtar të Shqipërisë në futboll, ballafaqimi i parë kundër skuadrës norvegjeze daton në vitin 1998 në Oslo përfunduar në barazim 2-2, ndeshje e vlefshme për eleminatoret e Euro 2000. Në një bilanc të përgjithshëm, me kombëtaren e Norvegjisë, Shqipëria është ndeshur 4 herë, ku ka fituar një herë (me gol të Salihit në Norvegji), ka barazuar 2 herë dhe është mundur një herë.

Lojtarët që ka grumbulluar trajneri Panucci për ndeshjen miqësore me përfaqësuesen e Norvegjisë janë: Etrit Berisha, Thomas Strakosha, Alban Hoxha, Elseid Hysaj, Mërgim Mavraj, Berat Djimsiti, Herdi Prenga, Naser Aliji, Ermir Lenjani, Arlind Ajeti, Bujar Lika, Ylber Ramadani, Sabien Lilaj, Taulant Xhaka, Kamer Qaka, Andi Lila, Eros Grezda, Odise Roshi, Kristal Abazaj, Enis Gavazaj, Liridon Latifi, Bekim Balaj, Armando Sadiku dhe Sokol Cikalleshi./AA

Kategoritë
Sport

Të ngjajshmet