Pandemia, qeveria dhe buxheti i Kosovës

Shkruan: Av.Faik Miftari

Në këtë vështrim do të ndalem në efektet e rënduara  që do të shkaktojë pandemia e korona virusit  buxhetit të Kosovës, të cilin tani me më shumë kujdes duhet të menaxhojë qeveria Kurti në detyrë. Do të cek këto efekte vetëm për tre muajt, të përballjes me virusin Covid-19, mars, prill dhe maj, ndërsa prej qershorit shpresojmë që gradualisht jeta do të kthehet në rrjedhat normale të saj.

Qeveria Kurti  në detyrë e Republikës së Kosovës aprovoi pakon fiskale emergjente për periudhën kohore 3 mujore( prill, maj, qershor) në shumë prej 180 milion Euro, që sado kudo të zbus sadopak shtresat më të goditura të popullatës së Kosovës,  sikurse janë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale, shoqëritë tregtare, subvencionimi i qirave, kontributeve pensionale,  kreditimi i ndërmarrjeve publike,  komunat e Kosovës, punëtorët të rrezikuar në mënyrë direkte me pandeminë, punëtorët në sektorin privat, punëtorët që mbesin pa punë dhe të papunët,  komunitetet, grante dhe subvencione për bujqësi, etj.

Buxheti i Kosovës i aprovuar për vitin 2020,  për fat të qytetarëve të Kosovës  është i vetmi ligj i aprovuar  nga Kuvend i tanishëm, para se të shkarkojë qeverinë aktuale të Kurti, i cili po të mos aprovohej do të lente pasoja të papara për qytetarët  e Kosovës, e sidomos tani me pandeminë me të cilën po përballemi. Buxheti  parasheh të hyrat në shumë prej 2 miliard Euro, ndërsa shpenzime  në shumë prej 2 miliard e 350 Euro. Ky buxhet është planifikuar për suazat normale i cili nuk e ka paraparë pandeminë, dhe i cili edhe si i tillë ka një deficit apo mungesë prej 350 milionë Euro, nga të hyrat e parapara prej 2 miliard Euro.

Pandemia e korona virusit Covid-19  do të çrregullojë në një masë të madhe  buxhetin e Kosovës për  vitin 2020 . Duke marr parasysh se nga pakoja emergjente fiskale e aprovuar nga qeveria e Kosovës për periudhën kohore tremujore(prill, maj, qershor) në shumë prej 180 milion Euro, 145 milion Euro janë  shtesë për ndihmë emergjente shtresave të caktuara të qytetarëve të Kosovës dhe vetëm 35 milion Euro janë kredi me kthim për një periudhë kohore  24 mujore, me këtë pako shpenzimet  e buxhetit të Kosovës për vitin 2020  rriten në  shumën prej 2 miliard e 500 milion Euro. Ndërsa të hyrat e planifikuara prej 2 miliard Euro gjatë vitit 2020, do të zbresin, pasi që parashihet se  për këtë periudhë kohore tremujore do të kemi uljen së paku prej  rreth 500 milion Euro, për shkak të zvogëlimit të hyrave nga doganat, TVSH-ja, tatimet dhe taksat tjera të ndryshme si pasojë e mbylljes së shumë bizneseve dhe institucioneve tjera publike të nivelit qendror e komunal që gjenerojnë të hyra dhe kontribuojnë në buxhetin  Kosovës. Si pasojë e kësaj,  të hyrat për vitin 2020 do të jenë 1 miliard e 500 milion Euro, ndërsa shpenzimet  2 miliard e 500 milion Euro. Do të kemi një deficit ose një mungesë prej 1 miliard Euro. I mbetet një barrë e rëndë  qeverisë Kurti  në detyrë që përkundër  kësaj mungesë të hyrave prej 1 miliard Eurosh të menaxhojë me sukses me këtë   buxhet të zvogëluar të Kosovës si pasojë e pandemisë së korona virusit.

Duke marr parasysh se në çfarë rrethana të vështira është duke vepruar dhe menaxhuar qeveria Kurti në detyrë , është për t’u çuditur dhe habitur se me çfarë dëshirë dhe vullnet të “zjarrtë” janë të gatshëm  krerët e subjekteve parlamentare të përfaqësuara  në Kuvendin e Kosovës, në bisedimet që patën me presidentin Thaçi, të formojnë qeverinë e re të Kosovës, që nga LDK-ja, PDK-ja, AAK-ja, NISMA, 6+, në rast se Lëvizja e Vetëvendosjes si parti fituese e zgjedhjeve nuk do të caktojë mandatarin e ri për formimin e qeverisë.

A thua janë të vetëdijshëm, edhe po të formojnë qeverinë e re e Kosovës, subjektet politike të përfaqësuar në Kuvend, të radhitura pas LVV-së, se çfarë ”patate e nxehte” do të marrin në duart e tyre për të menaxhuar me këtë buxhet të cunguar   në këtë periudhë të vështirë kohore me të cilin  ballafaqohej  Kosova  me pandeminë e korona virusit Covid-19.

Kosova në shumë aspekte është “sui generis” i llojit të vet, ashtu që  edhe në këtë aspekt në vend se të lejohet qeveria Kurti në detyrë që të menaxhojë  gjatë periudhës kohore të  pandemisë, subjektet politike parlamentare  jo vetëm që shkarkojnë kryeministrin Kurti  me mocion votëbesimi, por tani duan të  shkojnë edhe më tutje, të përpiqen të formojnë qeverinë e re të Kosovës, në vend se të përgatiten për zgjedhjet e reja parlamentare  pas përfundimi të pandemisë.

Kjo me të vërtet është” sui generis”, që vetëm në Kosovës mund të ndodhë!

 

                                                             


Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Kategoritë
OPINIONEOpinione - Ballina

Të ngjajshmet