Panairi 2019-të i librit në Prishtinë, drejt mbylljes së edicionit të 21-të

Promovime librash nga autorë vendorë e të huaj. Takime me shkrimtarë. Biseda për fatin e librit, fatin e artistëve që e kultivojnë artin e letërsisë, ndonëse vetëm për disa ditë me radhë. Këtë pamje ua ofroi Prishtina qytetarëve të Kosovës, që nga 5 qershori – shkruan Gazeta e Re.

Fluksi i qytetarëve që interesoheshin për libra, ka qenë mjaft i lartë këto ditë, thoshin shitësit në stendat e shtëpive botuese. Kjo ngjarje e madhe kulturore, ka grumbulluar mbi njëqind botues nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Titujt e rinj (mbi 150-të sosh), ishin ata që zgjuan interes më shumë.

Sot (më 8 qershor), ndërkaq, Shoqata e Botuesve të Kosovës, i kurorëzoi aktivitetet e Panairit të 21-të të Librit “Prishtina 2019-të”, duke i ndarë çmimet tashmë tradicionale, që më shumë kanë për qëllim stimulimin e botuesve, por edhe autorëve e përkthyesve, të huaj e vendorë.

Ceremoninë e ndarjes së çmimeve e hapi Edon Zeneli, Kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, i cili edhe njëherë e cilësoi si të suksesshëm këtë panair.

Me këtë rast juria, në përbërje – Behar Gjoka, kryetar, Marigonë Kelmendi anëtare dhe Imer Topanica, anëtar, vlerësuan si vijon:

 

  1. Çmimi për veprën më të mirë në letërsinë për fëmijë: Anila Kruti me librin Flutura e majit, botuar nga Toena;

 

  1. Çmimi “Stenda më e vizituar”: Shtëpia Botuese “Botart”;

 

  1. Çmimi për përkthimin më të mirë të vitit: përkthyeses Saverina Pasho për librin “Lehtësia e padurueshme e qenies” nga Milan Kundera, botuar nga Dituria;

 

  1. Çmimi për veprën më të mirë nga fusha e publicistikës: Mirela Oktrova për librin “55 ditë” botuar nga Onufri;

 

  1. Çmimi për veprën më të mirë në poezi: Ismail Syla për veprën “Sfinksi pyet sërish” botuar nga Buzuku;

 

  1. Çmimi për veprën më të mirë në prozë: Kim Mehmeti për veprën “Lutjet e mesnatës” botuar nga Agora;

 

  1. Çmimi për veprën kapitale: Shtëpisë botuese “Meshari” për kompletin e veprimtarisë letrare të Ymer Elshanit;

 

  1. Çmimi “Autori i vitit i huaj” për shkrimtarin Jacques Baudouin, me veprën “Lindja e një demokracie” botuar nga Buzuku;

 

  1. Ndërsa çmimi: “Autori i vitit shqiptar”, iu nda shkrimtarit Fatos Kongoli, vepra e të cilit “Gënjeshtarë të vegjël” botuar nga Toena, u cilësua si një roman që trajton një temë të vogël “ por të trajtuar në mënyrë të jashtëzakonshme”.

 

Panairi do të jetë i hapur deri nesër, ndërsa botuesit premtojnë që çmimet janë më se të volitshme, bashkë me një laramani titujsh e librash të shumtë, të cilët do ta kënaqin secilin lexues./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet