(Pa)drejtësia ndaj deputetëve

Albin Kurti, deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, është arrestuar nga ana e Policisë së Kosovës, para Kuvendit të Kosovës. Aktivistë e madje edhe deputetë të Vetëvendosjes, bënë përpjekje që ta pengojnë këtë arrestim, por nuk ia dolën. Masën e aktivistëve policia e ka shpërndarë duke hedhur gaz lotsjellës, prej të cilit pësuan edhe disa gazetarë e reporterë të medieve vendore – shkruan Gazeta e Re.

Arrestimi i Kurtit është bërë me urdhër të gjykatës, pas injorimit të seancave të njëpasnjëshme në të cilat deputeti në fjalë, duhej të paraqitej. Mbi të dhe mbi disa deputetë të tjerë rëndon akuza për hedhjen e gazit lotsjellës në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Në një prononcim dhënë për mediumin tonë, analisti Bajrush Morina ka kujtuar se, arrestimet e deputetëve që nuk u përgjigjen ftesave të gjykatës janë skena që i kemi parë edhe më herët. Por sipas tij, tash ka një ndryshim.

“Më herët në përkrahje të këtyre deputetëve ishte edhe Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj, si pjesë e opozitës. Tash këta të fundit janë rehatuar në qeveri dhe përballë selisë së qeverisë së tyre, arrestohen deputetët e opozitës. Sidoqoftë askush nuk mund të jetë mbi ligjin por askush nuk mund të keqpërdorë ligjin. Në skenat që i pamë para Kuvendit të Kosovës kishte përpjekje për të shkelur Ligjin dhe për të keqpërdorë ligjin. Veprimin e parë e bënë deputetët e Vetëvendosjes e veprimin e dytë, Policia e Kosovës me urdhra të Qeverisë Haradinaj”, u shpreh Morina.

E sipas analistit politik, Haki Abazi  në një pronocim për gazeta e re thotë se është për keqardhje dhe e pakëndshme që të krijohen skena të tilla, ndonëse beson se të njëjtat po shërbejnë për provokim të situatës.

“Drejtësia dhe padrejtësia janë bërë bashkë dhe një zbatim i ligjit në mënyrë selektive, e shpesh edhe me qëllime të paqarta është duke u zbatuar. Mbi të gjitha po besoj që është duke u provokuar situata dhe po ngriten tensione para proceseve të rëndësishme. është ky edhe një udhëkryq kompleks për vendin dhe si po duket as insitucinet dhe as individët në jetën publike nuk janë në nivelin përgjegjësisë për t’u ballafaquar me rrezikun dhe anën e paparashikueshme që mund të zhvillohet. është e papranueshme që qytetarët të ballafaqohen me skena të tilla dhe faji nuk është jetim për këtë gjë ashtu sic është edhe përgjegjësia e të gjitha anëve në këtë proces”, tha Abazi.

Nga ana tjetër, njohës i çështjeve politike Dimal Basha, tha se urdhër-arresti do duhej të vlente për të gjithë deputetët që hodhën gaz lotsjellës në Kuvend, duke përfshi këtu deputetët e AAK-së, të cilët gjithashtu ndihmuan në hedhjen e gaz lotsjellësit, penguan zhvillimin e seancave parlamentare, si dhe injoruan policinë e Kuvendit.

Pra, “ose duhet të këtë arrestime për të gjithë, ose do duhej të lirohen të gjithë, përndryshe kjo nuk mund të quhet ndryshe përveç se një drejtësi selektive dhe vendim arbitrare. Sa i përket policisë, unë nuk besoj se ata duhet të zgjedhin vendin për të zbatuar një urdhër. Problemi nuk janë policia, ata vetëm zbatojnë urdhrat e tjerëve dhe prandaj respektuar. Çfarë do ankese që drejtohet drejt policisë si institucion është tentim për të zhvendosur vëmendjen nga problemi aktual”, shprehet Basha.

Kujtojmë që, përveç deputetit Albin Kurti, policia ka arrestuar edhe dy deputetet e Lëvizjes Vetëvendosje Donika Kadaj-Bujupi dhe Albulena Haxhiu, për të cilat kishte urdhër arrest nga gjykata. Deputetëve u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaj. /Fahrije Bajrami/Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet